Tregu i auditimit në rritje qarkulloi mbi 12 mln euro, garë e fortë mes shoqërive

Tregu i auditimit në rritje qarkulloi mbi 12 mln euro, garë e fortë mes shoqërive

07:26, 06/04/2024

Tregu i auditimit, në vitin 2023, qarkulloi rreth 12.3 milionë euro, me rritje prej 16% me bazë vjetore. Publikohet për të pestin vit radhazi renditja e shoqërive të auditimit, sipas volumit të të ardhurave të realizuara nga honoraret e auditimit të njësive ekonomike me interes publik

Tregu i auditimit, në vitin 2023, arriti në rreth 1.28 miliardë lekë, ose rreth 12.3 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike (BMP), një autoritet rregullator i pavarur, i cili kontrollon zbatimin e kritereve ligjore tek audituesit ligjorë dhe kontabilistët e miratuar.

Në krahasim me vitin e mëparshëm është shënuar një rritje prej 16% në volumin e të ardhurave të realizuara nga honoraret e shërbimeve të auditimit ligjor.

Tregu i auditimit, në fund të vitit 2023, kishte 240 auditues ligjorë të regjistruar, nga të cilët 143 auditues ligjorë që e ushtrojnë aktivitetin si person fizik, 71 shoqëri auditimi dhe 26 auditues ligjorë të punësuar pranë shoqërive të auditimit, me një total prej 240 audituesish ligjorë të regjistruar.

Audituesit ligjorë dhe shoqëritë e auditimit kanë ndërmarrë 3779 auditime ligjore në vit, referuar të dhënave për angazhimet e auditimit të realizuara në vitin 2023, sipas BMP.

Në vitin 2023, shoqëritë e auditimit shënuan 60% të të ardhurave nga shërbimet e auditimit, përkundrejt 40% të realizuara nga audituesit ligjorë. Gjatë këtij viti vërehet një rritje e lehtë në peshën e shoqërive të auditimit, në krahasim me vitin e mëparshëm.

“Auditimi ligjor, si një e mirë publike, është një mekanizëm i rëndësishëm në sigurimin e transparencës dhe besimit në raportimin financiar të njësive ekonomike”, thotë .Dritan Fino, kryetar i Bordit të Mbikëqyrjes Publike.

Ai shton se nëpërmjet procesit të mbikëqyrjes synohet sigurimi i standardeve më të larta në cilësinë e auditimit, duke pasur në fokus të gjitha palët që mbështeten në një sistem të shëndoshë financiar.

“Në vitet e fundit e kemi vënë re një përmirësim të ndjeshëm të punës së audituesve, në mënyrën e organizimit të punës dhe kohës së angazhimit të tyre në misionet e auditimit, duke sjellë si rezultat dhe një përmirësim në cilësinë e raportimit financiar të njësive ekonomike.

Ky angazhim i shtuar reflektohet dhe në rritjen e konsiderueshme të totalit të vlerës së tregut në tre vitet e fundit prej rreth 30%, krahasuar me totalin e trevjeçarit paraardhës, si një nga treguesit e rëndësishëm lidhur me vlerësimin e punës së audituesve.”, pohon kreu i BMP-së.

Dritan Fino, kreu i BMP-së

“Në vitet e fundit e kemi vënë re një përmirësim të ndjeshëm të punës së audituesve, në mënyrën e organizimit të punës dhe kohës së angazhimit të tyre në misionet e auditimit, duke sjellë si rezultat dhe një përmirësim në cilësinë e raportimit financiar të njësive ekonomike.
Ky angazhim i shtuar reflektohet dhe në rritjen e konsiderueshme të totalit të vlerës së tregut në tre vitet e fundit prej rreth 30%, krahasuar me totalin e trevjeçarit paraardhës, si një nga treguesit e rëndësishëm lidhur me vlerësimin e punës së audituesve”

Renditja

Gara mes shoqërive të auditimit mbetet e fortë. Pesë kompanitë më të mëdha kanë 4-8% të tregut, sipas totalit të honorareve të auditimit, dy të tjera ndajnë 2-3%, katër shoqëri kanë midis 1-1.2%.

Ndërsa 229 shoqëritë e tjera audituese ndajnë 63% të tregut të auditimit, me një peshë prej më pak sesa 1% secila.

Bordi i Mbikëqyrjes Publike (BMP) ka publikuar për të pestin vit renditjen në tregun e auditimit për shoqëritë e auditimit, sipas totalit të honorareve të auditimit të njësive ekonomike me interes publik, bazuar në raportimet dhe analizat e realizuara nga BMP për auditimet e kryera gjatë vitit 2023.

Në vend të parë është Shoqëria e auditimit “Ernst&Young”, me 8.13% të tregut, me rritje prej 1 pikë përqindje në krahasim me vitin e kaluar. “Ernst&Young” është ngjitur në 2023 në vendin e parë, nga i dyti që ishte vitin e mëparshëm.

“Mazars”, që në 2021-2022 u rendit si shoqëria më e madhe audituese, ka zbritur në vend të dytë, me 7.74%, nga 7.02% vitin e mëparshëm, bazuar në totalin e honorareve të realizuara nga shërbimet e auditimit.

E treta në renditje mbetet shoqëria e auditimit “Deloitte Audit Albania Sh.p.k.”, me 4.54%, duke ruajtur të njëjtën renditje për vitin 2023, por duke shënuar rënie të peshës në treg, me rreth 1 pikë përqindje.

“Grant Thornton” u rendit në vend të katërt me 4.07%, duke shënuar rënie të peshës në treg, me më shumë se 1 pikë përqindje.

Në vend të pestë është “Kreston Albania”, me 4.07%, me një përmirësim të lehtë në krahasim me vitin e kaluar.

“PricewaterhouseCoopers” ishte një nga shoqëritë që shënoi rritje më të lartë, duke zënë gati 3% të tregut, ose 1 pikë për qind më shumë se në vitin 2022.

Për renditjen e plotë dhe peshën përkatëse shiko grafikun: Renditja sipas honorareve të faturuara për shërbime auditimi për Shoqëritë e Auditimit, 2023.

Për sa i përket numrit të njësive ekonomike të audituara, në vendin e parë, në vitin 2023, renditet shoqëria “Kreston Albania”, me 3.36%, e ndjekur nga “Mazars”, me 3.07% (2023)./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco