Gropa e buxhetit/ Tatimet e Tiranës mosrealizim rekord në tetor

Gropa e buxhetit/ Tatimet e Tiranës mosrealizim rekord në tetor

19:21, 09/11/2019

Gropa financiare e buxhetit vazhdon të thellohet teksa tatimet e Tiranës kanë shënuar në muajin tetor rekordin më negativ në histori. Të dhënat zyrtare tregojnë Drejtoria Tatimore Tiranë e mbylli muajin që lamë pas me një mosrealizim prej 440 milionë lekësh ose mbi 3.5 milionë euro.

Sipas të dhënave, ndërkohë që plani ishte 8.74 miliardë lekë, tatimet e Tiranës kanë mundur mbledhin vetëm 8,3 miliardë lekë, pra me një deficit prej 440 milion lekësh të reja. Pjesa më e madhe e mosrealizimit, ka ardhur si pasojë e ecurisë së dobët të të ardhurave nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, ndërkohë që dhe tatim-fitimi dhe ai mbi të ardhurën personale rezultojnë me mosrealizim të theksuar.

Drejtoria Tatimore e Tiranës është më e madhja në vend. Rezultatet negative të shënuara në Tetor pritet të thellojnë edhe më shumë gropën e financave të shtetit, që po kalojnë një nga situatat më të vështira në histori.

Krizë dhe paaftësi  

Drejtoria Rajonale Tatimore e Tiranës drejtohet nga Borjana Shaka. Megjithëse e dorëhequr apo larguar nga disa institucione si Ministria e Ekonomisë apo dhe OSHEE, Shaka është komanduar në krye të tatimeve të Tiranës me insistimin e zëvendskryeministrit Erjon Braçe. Në fakt, është tashmë gjerësisht e njohur se prej kohësh Braçe është shndërruar në drejtuesin de fakto të Tatimeve, përmes emërimeve aty të njerëzve të tij.

Por emerimet nepotike dhe militantizmi po rëndojnë jo pak mbi financat e shtetit. Për 9 muajt e parë të vitit, të ardhurat totale në buxhet ishin 65 milionë euro më të ulëta se plani. Qeveria ka shkurtuar planin vjetor të buxhetit me gati 100 milionë euro, por pavarësisht kësaj shthurja e Tatimeve nuk ndalet.

Burime nga Tatimet e Tiranës thonë se mosrealizimi rekord në tetor do të ishte edhe më i thellë, por administrate është duke i bërë presion bizneseve, që të parapaguajnë taksat duke i kërcënuar me bllokim të llogarive bankare. Megjithatë represioni mbi biznesin nuk ka mundur të shmangë krizën e thellë që po kalojnë financat e shtetit, për shkak të paaaftësisë së administratës, por edhe krizës që po kalon ekonomia.

Situata është dramatike, sa që për herë të parë qeveria ka deklaruar se mund të mos shpërndajë bonusin e përvitshëm të pensionistëve pasi buxheti nuk ka para, ndërkohë që një pjesë e madhe e investimeve publike janë pezulluar ose shtyrë për më vonë duke dëmtuar edhe më shumë ekonominë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco