Bien 13% eksportet e bimëve mjekësore

Bien 13% eksportet e bimëve mjekësore

07:11, 14/03/2024

Eksportet e bimëve medicinale vijojnë rënien edhe në fillimin e këtij viti, për shkak të një sërë problematikash me të cilat po përballet sektori.

Për muajin janar 2024 sipas të dhënave të INSTAT eksportet për grupin “Farat vajore, bimët industriale apo medicinale, ushqim për kafshët” ranë rreth 13% krahasuar me janar 2023. Vitin e kaluar eksportet e grupit shënuan rënie 18% krahasuar me 2022.

Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Bimëve Medicinale dhe Aromatike Filip Gjoka renditi për Monitor disa arsye për rënien e eksporteve duke nisur që nga zhvlerësimi i lartë i monedhave euro dhe dollar, rënia e kërkesës dhe çmimeve në tregjet e huaja dhe mungesa e investimeve për rritjen e shkallës përpunuese dhe cilësisë së bimëve.

Gjoka pohoi se çmimet në tregjet e huaja janë ulur rreth 40% krahasuar me vjet.

“Një ndër arsyet kryesore që eksportet vazhdojnë të jenë me rënie mbetet zhvlerësimi i lartë i monedhës euro dhe dollarit. Për 1 vit kursi është zhvlerësuar 15%.

Arsyeja të tjera janë rënia e kërkesës dhe çmimeve në tregjet e huaja. Nëse vjet 1 kg sherbelë kushtonte 4 USD këtë vit kushton 2,4 USD. Ulja e kërkesës dhe çmimeve rreth 40% ka shtuar stokun e bimëve të pashitura. Stoku vijon të mbetet në nivele të larta. Kjo situatë po ndikon të ulja e prodhimit, pasi fermerët kultivues të bimëve medicinale janë të demoralizuar nga rënia e shitjeve”.

Për të vijuar aktivitetin sipas Gjokës disa eksportues po importojnë si lëndë të parë, bimët e dëllinjës së zezë, belin e bardhë dhe artemisën nga shtetet, si: Tunizia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut apo Kosova e cila përpunohet në vend dhe më pas shitet për eksport.

“Në vend s’ka lëndë të parë. Kjo është ndikuar edhe nga heqja e skemës së TVSH-së së rimbursueshme, ku po fillojnë të ndihen efektet negative. Nga jashtë po importohet edhe me çmim më të lirë”, tha Gjoka.

Më 2019 hyri në fuqi ndryshimi për skemën e rimbursimit të TVSH-së, duke u ulur nga 20% në 6%. Ndërsa nga 1 janari 2022, nisi zbatimin heqja e skemës së TVSH-së së rimbursueshme, çka solli reduktim të disa prodhimeve nga fermerët.

Sakaq sivjet është shënuar sasia më e lartë e importeve të muajit janar pas sasisë së eksportuar në 2022 për 19 vitet e fundit. Për muajin janar importet e grupit “Farat vajore, bimët industriale apo medicinale, ushqim për kafshët” u rritën rreth 43% krahasuar me muajin janar 2023. Për 2023 totali i importeve ra rreth 4% krahasuar me 2022.

Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Bimëve Medicinale dhe Aromantike Filip Gjoka nënvizon se është e domosdoshme që eksportuesit të rrisin shkallën e përpunimit, që do të sjellë rritjen e cilësisë dhe të vlerës së produktit në eksport./D.Azo/MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco