Komuna e Shtimes ndan subvencione për serra në dimër, favorizon njerëzit e afërt me politiken dhe zyrtarët komunalë

Komuna e Shtimes ndan subvencione për serra në dimër, favorizon njerëzit e afërt me politiken dhe zyrtarët komunalë

17:42, 14/11/2023

Që në muajin qershor, Komuna e Shtimes që udhëhiqet nga kryetari Qemajl Aliu kishte hapur thirrjen konkurruese për subvencionim me serra. Vera ka ikur dhe bujqit nuk kanë mundur të përfitojnë nga mbëltimi i këtij viti, ngase komuna ka arritur të shpall fituesit e serrave tek para pak ditëve. Demokracia.com ka gjetur se përfituesit e përzgjedhur në masë relativisht të madhe janë të ndërlidhur më familjarët e nëpunësve komunalë dhe të dy partive në pushtet, LVV e LDK.

Fillimisht, më 19 qershor, Komuna e Shtimës ka hapur thirrjen për subvencionim për serra. Aplikimi kishte përfunduar më 3 korrik. Në këtë konkurs kishin aplikuar rreth tetëdhjetë fermerë.

 

Tek pas pesë muajve, Komuna e Shtimes ka publikuar emrat e 27 përfituesve, fiks më 3 nëntor.

Serrat janë të madhësisë 50 m2 dhe subvencionimi përfshin komplet konstruksionin e tyre, folija, transporti dhe të gjitha punët rreth montimit të serrës.

Demokracia.com ka identifikuar disa prej të subvencionuarve dhe aty shihen lidhje direkte me akterë politikë dhe me persona zyrtarë në Komunën e Shtimes.

Edhe pse Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka qenë në përbërje prej pesë personave, Demokracia.com ka mësuar se vetëm tre prej tyre e kanë nënshkruar vendimin, pasi që sipas burimeve brenda Komunës së Shtimes, dy anëtarët e tjerë nuk kanë dalë asnjëherë në terren për vlerësim.

Sipas po këtij burimi, mësohet se një nga anëtarët që ka dalë vetëm një ditë në terren është edhe kryetarja e komisionit, Feride Rexhaj, ndërsa Armend Imeri dhe Tafil Hasani kanë dalë në terren, mirëpo veçmas njëri-tjetrit për shkak se vijnë nga subjekte të ndryshme politike (Tafil Hasani LDK, Armend Imeri VV). Ky proces ngreh dyshime rreth përkushtimit të anëtarëve të Komisionit në Vlerësimin e Aplikacioneve dhe në respektimin e procedurave të përcaktuara, shkruan Demokracia.com.

Ndër personat e përfshirë në këtë rast, disa janë të njohur për lidhjet e tyre familjare dhe politike. Për shembull, një prej përfituesve, Lumbardh Fejzullahu, është kushëriri i Drejtoreshës së Arsimit, Yllka Fejzullahut.

Edhe vëllai i zyrtarit ligjor të komunës, Lulzim Muharremit, Ekrem Muharremi, e ka emrin në listë si përfitues.

Në listë gjendet edhe Enver Mehmeti, vëllai i Idriz Mehmetit, një tjetër zyrtar në komunë, i cili ka përfituar edhe ai nga ky proces.

Po ashtu, në listë ndodhet edhe emri i Latif Sadikut. Mësohet se i njëjti është pensionist, i cili jeton në banesë private në Lipjan.

Emrin në listë e ka edhe Ilirjane Lata, e cila është bashkëshortja e aktivistit te Lëvizjes Vetëvendosje, Latif Lata.

Po ashtu, emrin në listë e ka edhe Burim Emini, i cili është aktivist i LDK-së.

Pastaj aty ndodhet edhe Etleva Rexhaj (gruaja e kushëririt të Feride Rexhajt, kryetares së Komisionit Vlerësues).

Përfitues janë edhe dy militantë të LVV-së, Talat Ramadani dhe Agron Gashi, ndërkohë që banorët e fshatrave që kanë nevojë më së shumti për këtë veprimtari, si Belinci dhe Carraleva, nuk kanë gjetur vend në listën e përfituesve.

Ndonëse ka kontaktuar të gjithë anëtarët e komisionit, Demokracia.com ka arritur të bisedojë vetëm me anëtarin Neriman Ismajli.

Ai ka thënë se nuk i përket asnjë partie politike dhe punën e tij e ka kryer me kohë.

“Nuk e di pse janë publikuar tek tash emrat. Unë e kam kryer punën time më kohë, procedurat tjera nuk i di. Në terren kemi qenë grupe-grupe, për afro dy muaj ka zgjatë terreni, mandej mbi bazën e kësaj kam hedhur vlerësimin tim tek emrat e kandidatëve. Nuk kam pas asnjë ndikim nga askush sesi të bëjmë përzgjedhjen, tek më pastaj e kam marrë vesh se ndonjëri mund t’i përket kësaj apo asaj partie. Por, siç e thashë, nuk kemi pasur kurrfarë ndikimi. Për më shumë, bisedo me drejtorin, Kastriotin”, ka thënë Ismajli për Demokracia.com.

Drejtori i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, Kastriot Shabani, nuk e ka hapur telefonin gjatë ditës së hënë për Demokracia.com. Ai nuk është përgjigjur as nëpërmjet e-mailit gjatë ditës së sotme. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco