Kosova pritet ta ketë rritjen më të madhe ekonomike në rajon për këtë vit

Kosova pritet ta ketë rritjen më të madhe ekonomike në rajon për këtë vit

13:30, 16/05/2023

Banka Evropian për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ka parashikuar rritje ekonomike 3.5 për qind për vitin 2023.

Përpos Kosovës, raporti përfshin edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, ku në bazë të të dhënave Kosova pritet ta ketë rritjen më të madhe ekonomike në rajon.

Afër Kosovës është Mali i Zi me rritje të mundshme 3.3 për qind. Më pas Shqipëria 2.5 për qind. Ndërkaq Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje dhe Hercegovina me 2 për qind rritje ekonomike.

Rritja mesatare e Ballkanit Perëndimor sipas indikacioneve të BERZH do të jetë 2.2 për qind. Një ulje kur krahasohet me vitin 2022, që kishte qenë 3.1 për qind.

Një projeksion të ngjashëm për Kosovën në prill e kishte dhënë edhe Banka Botërore, shifra më optimiste kishte qenë 3.7 për qind.

”Rritja e BPV-së pritet të rritet në mënyrë modeste, duke arritur në 3.7 përqind në vitin 2023. Impulsi i konsiderueshëm në konsumin privat dhe eksportet e shërbimeve nga flukset e diasporës gjatë 2021 dhe 2022”, ishte thënë në raport.

Kjo rritje ekonomike nuk është as për së afërmi me atë të vitit 2021 që kalonte 10 përqindshin.

Me atë rritje ekonomike, Qeveria e Kosovës që drejtohet nga Albin Kurti ishte krenuar, duke konsideruar “si një nga sukseset më të mëdha të Qeverisë”.

Megjithatë, opozita nuk sheh ndonjë sukses. Avdullah Hoti, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në prill të këtij viti kishte thënë se nuk do të ketë rritje më të madhe ekonomike krahasuar me vitin paraprak.

“Në vitin 2023, rritja ekonomike pritet të jetë rreth 3.7 për qind, që është pothuajse e njëjtë me atë të vitit 2022. Shpresa këtu mbetet tek stabilizimi i çmimeve në tregje ndërkombëtare. Nuk shihet në horizont ndonjë politikë ekonomike që mund të krijojë ndonjë moment të ri për t’i dhënë shtytje zhvillimit dhe punësimit në vitin 2023 dhe 2024”, kishte shkruar Hoti në Facebook.

Edhe pjesa e tjetër e opozitës kishte akuzuar Kurtin se po përdor të dhëna nominale për t’i paraqitur si “suksese qeveritare”.

Për argument e kanë marrë inflacionin e lartë që kalon normën 10 për qind, sipas të cilëve ka vështirësuar jetën e qytetarëve – duke shtuar se ”numrat e Kurtit nuk kanë rëndësi”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco