Kosova për dy vjet humbet dy investitorë strategjikë

Kosova për dy vjet humbet dy investitorë strategjikë

17:11, 22/04/2023

Mbi 150 milionë euro investime të planifikuara në dy projekte të investitorëve ndërkombëtarë në Kosovë, gjatë dy vjetëve të fundit, nuk arritën të jetësohen.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, kjo është humbje për ekonominë e vendit.

Bëhet fjalë për projektin “ÇiçavicaWindFarm” për prodhim të energjisë elektrike me erë, të kompanisë franceze “AkuoEnergy”, dhe atë të kompanisë britanike “MoxicoLuma Kosova Mining” për eksplorimin dhe verifikimin e burimeve minerale, raporton REL.

I pari, në vlerë mbi 100 milionë euro, i planifikuar nga viti 2021, nuk ka nisur të realizohet për shkak të mospërfundimit të procedurave për dhënien e statusit të investitorit strategjik.

Sipas Ligjit për investime strategjike në Kosovë, statusi i investitorit strategjik i jepet atij që i kontribuon rritjes ekonomike, punësimit dhe zbatimit të teknologjive të reja, apo që ndikon në rritjen e mirëqenies dhe kushteve të jetesës së qytetarëve të Kosovës.

Vëllimi i investimeve për ta fituar këtë status duhet të jetë nga 10 deri në 30 milionë euro – varësisht nga sektori.

Për projektin e dytë të lartpërmendur, Qeveria e Kosovës, këtë javë, ka shfuqizuar një vendim të datës 13 dhjetor, 2022, me të cilin është konfirmuar “vullneti i Qeverisë për t’i proceduar Kuvendit vendimin për dhënien e statusit ‘investitor strategjik’ kompanisë ‘MoxicoLuma Kosova Mining’”.

Nga Qeveria e Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se ky veprim është mbështetur në Ligjin për investime strategjike që, siç thuhet, i mundëson ekzekutivit të ndërmarrë masa të revokimit për dhënien e statusit të projektit strategjik.

Vendimi, sipas Qeverisë, është marrë duke iu referuar nenit 14, pika e parë e Ligjit për investime strategjike.

Në këtë nen thuhet:

“Në rast se përgjatë përgatitjeve dhe zbatimit të projektit investues strategjik, Komisioni [vlerësues] merr dëshmi të reja në bazë të të cilave konstaton dhe vërteton se në projektin investues ka të dhëna të pavërteta apo ndryshim të të dhënave, mbi bazën e të cilave nuk do të ishte vendosur për dhënien e statusit të investimit strategjik, Qeveria e revokon vendimin për dhënien e statusit të investitorit strategjik”.

Shpjegime të tjera nuk u dhanë.

Kapitali i investimit të kompanisë britanike ka qenë i paraparë të jetë mbi 45 milionë euro. Projekti, po ashtu, ka paraparë punësimin e 300 punëtorëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco