Ekspertët tregojnë se përse nuk po zbulohet vlera e koeficientit

Ekspertët tregojnë se përse nuk po zbulohet vlera e koeficientit

10:06, 18/01/2023 Nga A.S

Ani pse Ligji i Pagave në Sektorin Publik mori dritën jeshile në Kuvend, vlera e koeficientit ende ka mbetur nën hije. Gjithë kjo situatë ka shkaktuar kuriozitet e mjegull në opinionin publik. Edhe pse jemi në ditën e 18 të këtij muaji, qeveria ka vendosur ta lë peng kurreshtjen e zyrtarëve publikë lidhur më koeficientin e pagave që ata do të gëzojnë. Ekspertët po konkludojnë se gjithë kjo zvarritje e procesit nga institucionet përkatëse po bëhet nga ndrojtja për ndonjë trazirë të mundshme në terren, shkruan Syri net Kosova.

  • Koeficienti në mjegull

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 22 dhjetor të vitit të kaluar në lexim të dytë Projektligjin për pagat në sektorin publik. Ky ligj zbatohet për punëtorët e sektorit publik, pagat e të cilëve financohen nga buxheti i shtetit. Qëllimi i këtij ligji është që të krijojë një sistem të njëtrajtshëm të pagave në sektorin publik, që përfshin parimet dhe rregullat për përcaktim të pagës në sektorin publik. Partitë opozitare nuk e kanë mbështetur Projektligjin për pagat. Në projektligjin e miratuar në lexim të dytë nuk është përcaktuar vlera monetare e koeficientit, por thuhet se "vlera monetare e koeficientit përcaktohet me Ligjin vjetor të buxhetit”. Kuvendi i Kosovës, ka miratuar edhe Ligjin për buxhetin, por prapë nuk është përcaktuar ndonjë vlerë monetare e koeficientit për pagat e punëtorëve të sektorit publik. Edhe pse, qeveria ka bërë të ditur se kjo vlerë do të caktohet gjatë muajit janar të këtij viti, ende nuk ka diçka konkrete.

  • Ekspertët: Zbulimi i vlerës së koeficientit, shkas për trazira sociale në Kosovë

Njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, ka vlerësuar për Syri net Kosova se arsyeja pse qeveria po e zvarrit koeficientin e pagave është mundësia e protestave dhe pakënaqësive sociale.

“Arsyeja bazë pse qeveria po e zvarritë koeficentin e pagave, është për shkak se mundet me ndodhë ndonjë protestë sociale apo pakënaqësi sociale tek kategoritë e caktuara, sigurisht te shërbyesit civil. Mundet me ndodhë se edhe për shkak të imflacionit ende të lartë jeta e konsumatorit është bëre e paperballueshme andaj, çfarë do vlere të koeficentit do të kishte krijuar frustim apo pakënaqësi sociale”, ka thënë ai.

Bellaqa ka propozuar që të caktohet një vlerë koeficienti e ekulibruar që nuk bën diferencime të theksuara.

“Kisha sugjeruar që qeveria të caktojë një vlerë të koeficentit të ekuilibruar ku do ishin në një pikë të përbashkët dhe në harmoni të mundësive buxhetore, ndërsa mundet me ndodhë që në sektorë të caktuar të ketë ulje pagash sepse ka disa sektorë që në të kaluarën ka pasur paga shumë më të larta se sektorët ku ka pasur pabarazi sociale, sigurisht te këto kategori do të ketë pakënaqësi më të mëdha, por duhet të konstatohet se sipas politikave publike të pagave për punen e njëjtë duhet të shpërblehen apo të kompenzohen njejtë dhe jo të ketë diskriminim në ketë aspektë por sigurishtē dhe duhet që me ligje të mira te rregullohen keto çështje”, ka shtuar ai.

Njësoj mendon edhe Arbnor Sadiku njohës i çëshjeve politike, i cili ka konsideruar se vonesa e publikimit të vlerës së koeficientit po bëhet për shkak të mundësisë së shfaqjes së pakënaqësive të sindikatave.

“Arsyeja e vonesës së publikimit të vlerës së koficientit të pagave me Ligjin e ri për paga nga Qevria e Kosovës bëhet për dy arsyje: 1. Mundësia e shpërfaqjes së pakënaqësive nga sindikatat, veçanërisht nga ata që kanë qenë të privilegjuar me paga me sistemin e vjetër si: prokurorët, gjykatësit, sekretarët e minstrive, komandantët e policisë. 2. Dërgimi i Ligjit në Gjykatën Kushtetuese dhe bllokimi i tij me pas nga ana e saj me masë pezulluese”, është shprehur ai.

Tutje, Sadiku ka vlerësuar se vlera e një koeficienti do të jetë 107 euro.

“Vlera e Koficeintit sipas mendimi tim dhe informatave që posedoj do të jetë midis vlerës 103 dhe s'do kalojë tavanin prej 110 euro për një koficient, dhe konsideroj se mesatarja e kësaj do të jetë 107 euro për një koeficient, vlerë kjo që do të mundësonte nivelizimin e pagave në sektorin publik, për pozitat e e larta dhe të mesme si drejtor, udhëheqës divizioni në adminstratën publike, kurse, për nivelin menaxhues si: sekretar të përgjithshem, në minstri auditor, prokuror, gjykatës dhe komandanta të policisë dhe ushtrisë do kishte zbritje apo nivelizim të pagave me sektorin e mesëm dhe ulët public”, ka thënë ai për Syri net Kosova.

Kurse, eksperti Safet Gërxhaliu theksoi se koeficienti duhet të përcaktohet urgjentisht.

“Duhet që me urgjencë koeficienti të jetë i ditur, me të vetmin qëllim që të punësuarit të kenë satisfaksion, opozita të matet ta dërgojë në kushtetuese apo jo. E ndoshta një ligj i tillë dhe një koeficient i ditur, do të jetë indikator i përshpejtimit edhe të ligjeve të tjera që kanë të bëjnë me aspektin social në Kosovë në një kohë të krizës edhe ekonomike e sociale, në një kohë të inflacionit, prandaj çdo vonesë është humbje për Kosovën dhe goditje për qytetarët e saj”, thotë Gërxhaliu

  • Më 2020, Ligji për Paga në Sektorin Publik u shpall i pavlefshëm

Kujtojmë se, sipas Ligjit për Buxhetin e vitit 2023, që u miratua në dhjetor të vitit 2022, totali i përgjithshëm i buxhetit për paga në sektorin publik do të jetë 745 milionë euro. Ligji për Pagat në Sektorin Publik është miratuar me 22 dhjetor 2022. Ndërsa, pas dekretimit nga presidentja, ky ligj është publikuar në gazetën zyrtare.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik. Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco