Shifra të zeza, afër 5 miliardë euro import dhe mbi 1.7 miliardë borxhi publik

Shifra të zeza, afër 5 miliardë euro import dhe mbi 1.7 miliardë borxhi publik

16:23, 04/08/2022

Vitin e kaluar, Kosova ka importuar mallra në vlerë prej mbi 4.7 miliardë euro, që përkon me një rritje vjetore prej 41.1 për qind. Kurse, borxhi publik i shtetit ka arritur vlerën prej rreth 1.7 miliardë euro, që shënoi rritje prej në 23.3 për qind. 

Viti 2021 mund të konsiderohet i zi për Kosovën, nëse shihen shifrat për importin e mallrave dhe borxhin publik.

Vitin e kaluar në shtetin tonë, i cili qeveriset nga Albin Kurti, kanë hyrë mallra nga shtetet e tjera të botës mbi 4.7 miliardë euro.

Këto shifra të publikuara nga Banka Qendrore tregojnë se Kosova është plotësisht e varur nga importi i mallrave.

Deficiti tregtar kishte arritur në rreth 3.9 miliardë euro.

“Rritja e importit të mallrave, si pasojë e rritjes së kërkesës së përgjithshme në vend ka ndikuar në rritjen e deficitit të mallrave prej 38.3 për qind (9.4 për qind rënie në vitin 2020), përderisa vlera e  shënuar e deficitit ishte rreth 3.9 miliardë euro. Vlera e importit të mallrave ishte 4.7 miliardë euro, që përkon me një rritje vjetore prej 41.1 për qind (5.7 për qind rënie në 2020)”, thuhet në “Raportin e Stabilitetit Financiar” të BQK-së.

Banka Qendrore ka treguar se me rritje janë karakterizuar të gjitha kategoritë e importit, ndërsa rritja më e lartë është shënuar tek importi i produkteve minerale (kryesisht derivate të naftës), metaleve bazë, mjeteve të transportit, makinerive të ndryshme dhe artikujve ushqimorë.

“Të gjitha këto kategori u karakterizuan me rritje të theksuar të çmimeve në tregjet ndërkombëtare”, thuhet në këtë raport.

Megjithatë, kjo nuk është e tëra.

Në vitin e kaluar shtetit tonë i është rritur edhe borxhi publik, duke shkuar në 1.7 miliardë euro.

“Me rritje prej  13.1 për qind u karakterizua edhe borxhi publik, që arriti vlerën prej rreth 1.7 miliardë  euro. Si përqindje e BPV-së, borxhi publik ka arritur në 23.3 për qind nga 22.4 për qind sa ishte në vitin 2020. Rritja e borxhit publik i atribuohet rritjes së borxhit të brendshëm prej 15.0 për qind (i cili ka arritur në 1.1 miliardë euro), si dhe rritjes sё borxhit tё jashtëm publik prej 9.6 për qind duke arritur në 576.4 milionë euro”, ka treguar BQK.

Siç ka treguar Banka Qendrore, sektori fiskal gjatë vitit 2021 u karakterizua me rritje të të hyrave  buxhetore për 27.1 për qind dhe rritje të shpenzimeve buxhetore për 2.3 për qind.

“Rikuperimi i aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2021 ka ndikuar në rritjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse të bilancit të pagesave për 42.5 për qind, duke arritur vlerën prej 673.0 milionë euro. Në raport me BPV-në, deficiti i  llogarisë rrjedhëse ka arritur nё 8.6 për qind (7.0 për qind në vitin 2020). Rritja e deficitit të  llogarisë rrjedhëse ishte si rezultat i rritjes sё lartë të deficitit tё mallrave, ndёrkohё qё bilanci i shërbimeve dhe ai i tё ardhurave parësore dhe dytësore janё pёrmirësuar”, thuhet në këtë raport, përcjell Demokracia.com.

Derisa reciprociteti me Serbinë nuk është aktualisht as në çështjet që diskutohen, Serbia vazhdon të jetë eksportuesja kryesore e mallrave në Kosovë nga vendet e CEFTA-s.

Vetëm në 5-mujorin e parë të këtij viti, Kosova ka importuar mallra nga ky shtet fqinj në vlerë mbi 130 milionë euro ose rreth 25 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ndërkaq, importi produkteve nga Serbia ndër vite vijon kështu: Në vitin 2021 vlera e mallrave të importuara nga ky shtet ishte 305 milionë euro, më 2020 ishte 173.4 milionë euro dhe më 2019 ka qenë 4.4 milionë euro (taksa 100%).

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco