10 kompanitë më të mëdha ajrore në SHBA kanë paralajmëruar se hedhja në treg e rrjetit më të ri telefonik 5G – këtë të mërkurë – mund të shkaktojë një katastrofë të vërtetë ekonomike. 5G është një rrjet i cili i ofron përdoruesve një shpejtësi më të lartë kur lundrojnë në internet ama, valët e […]
10 kompanitë më të mëdha ajrore në SHBA kanë paralajmëruar se hedhja në treg e rrjetit më të ri telefonik 5G – këtë të mërkurë – mund të shkaktojë një katastrofë të vërtetë ekonomike.
5G është një rrjet i cili i ofron përdoruesve një shpejtësi më të lartë kur lundrojnë në internet ama, valët e çliruara për ta bërë këtë të mundur, mund të shkaktojnë probleme serioze që e kanë pikënisjen e tyre pikërisht në ajër.
Kompanitë më të mëdha të telekomunikacionit Verizon dhe AT&T do të aktivizojnë për klientët e tyre sot, sinjalin e ri 5G, i cili sipas gjigandëve ajrorë do të ndalojë qindra fluturime, si dhe do të bllokojë mijëra amerikanë jashtë vendit.
Efekte të tjera negative përfshijnë bllokimin e transportit për mallrat dhe ngarkesat, gjë që do të përçante të gjithë zinxhirin e furnizimit, përfshi këtu porositë e pajisjeve mjekësore dhe medikamenteve.
Vetë pandemia sipas tyre do të ndikohej si pasojë e vonesave apo ndërprerjes së furnizimit me vaksina.
Ata i kanë dërguar një kërkesë zyrtare Administratës Federale të Aviacionit, duke i shpjeguar se situata është alarmante dhe mund të dalë totalisht jashtë kontrollit.
SHBA nxori në ankand për kompanitë e telekomunikacionit, një sinjal me valë 5G me një frekuencë prej 3.7 – 3.98 GHz, për vlerën $80 miliardë dollarë.
Që prej fillimit është thënë se kjo teknologji e re mund të ndërhyjë tek instrumentet e njohur si altimetër, të cilët përdoren për të matur sa larg ndodhet një avion nga toka gjatë fluturimit.
Altimetrat funksionojnë në gamën 4.2 – 4.4 GHz, dhe shqetësimi është se frekuenca e sinjalit të blerë në ankand është shumë afër këtij limit.
Verizon dhe AT&T pretendojnë se kjo lloj frekuence është implementuar në rreth 40 shtete të tjera duke mos shfaqur probleme me fluturimet.
Në vitin 2019, Bashkimi Europian prezantoi sinjalin e ri 5G në 27 vende të bllokut, ama frekuenca e përdorur prej tyre është me e ulët se ajo që pritet të hidhet sot në SHBA (3.4 -3.8 GHz).
Edhe në Kore të Jugut, frekuenca e përdorur nga kompanitë e telekomit varjon nga 3.42-3.7 GHz, gjë që nuk është bërë shkak për incidente.
Verizon dhe AT&T kanë rënë dakord të paktën përkohësisht, të amortizojnë zonat pranë aeroporteve duke zbutur frekuencën me të cilën dërgohet sinjali për të paktën 6 muaj.
Sidoqoftë, në të ardhmen duhet parë për një zgjidhje afatgjatë, e cila duhet të përfshijë edhe studime më të thelluara rreth risqeve reale të përdorimit të një sinjali kaq të fuqishëm.
© SYRI.net