Çka janë kriptovalutat?

Çka janë kriptovalutat?

09:33, 27/12/2021

Shkruan Faton Bajselmani:

E diela shkencore - "Kriptovalutat"

Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain” (shqip: blloqe zinxhir). Mund të keni dëgjuar tashmë për versionet më të popullarizuara, Bitcoin dhe Ethereum, por ekzistojnë mbi 5.000 kriptovaluta të ndryshme në qarkullim, sipas uebsajtit për monitorimin e tregut të kriptovalutave, CoinLore. Kriptovaluta është mjet shkëmbimi, i cili është digjital, i koduar dhe i decentralizuar. Ndryshe nga euroja apo dollari amerikan, nuk ekziston një autoritet qendror që menaxhon dhe ruan vlerën e një kriptovalute, transaksionet të cilat verifikohen dhe regjistrohen në formën e një programi, të quajtur “blockchain”. “Blockchain” është një libër i hapur, i shpërndarë, i cili regjistron transaksionet me shifra. Në praktikë, është disi si një libër shitblerjeje, që është i shpërndarë nëpër kompjuterë të pafundmë nëpër botë.

Transaksionet regjistrohen në “blloqe”, të cilat lidhen me njëra-tjetrën nëpërmjet një “zinxhiri” të transaksioneve të mëparshme të kriptovalutës. Njësitë e kriptovalutës mund të blihen nga ndërmjetësit ose të gjenerohen përmes një procesi në internet të quajtur “miniera” (mining) dhe të përdoren për të bërë pagesa ose për të ruajtur para në mënyrë anonime. Kriptovalutat me sistem të dëshmisë së punës harxhojnë shumë energji. Llogaritet se 0.21 për qind e elektricitetit të mbarë botës harxhohet për të fuqizuar minierat e Bitcoin-it. Zvicra përdor një sasi të tillë energjie brenda vitit. Llogaritet se minatorët e Bitcoin-it harxhojnë 60 deri në 80 për qind të fitimeve nga puna si minatorë, për të mbuluar kostot e rrymës.

Ju mund t’i përdorni kriptovalutat për të bërë blerje, por kjo formë pagese ende nuk gjen pranim të gjerë. Vetëm pak tregtarë ‘online’ pranojnë Bitcoin, kriptoja është larg normëzimit. Kjo, megjithatë, mund të ndryshojë në të ardhmen. Sa më shumë transaksione, ose blloqe, të regjistruara publikisht, që i shtohen teknologjisë blockchain, sistemi është më i sigurt. Kjo nuk do të thotë që kriptot nuk janë të prekshme nga sulmet kibernetike, mashtrimet e daljes, vjedhjet ose pastrimi i parave. Rreth 190 milionë dollarë në kriptovaluta janë “mbyllur” në një vrimë të zezë në internet pasi themeluesi i platformës për monedha virtuale vdiq papritur, duke marrë me vete edhe kodin e qasjes. Investitorët në QuadrigaCX, platforma më e madhe e Kanadasë për kriptovalutat, nuk janë në gjendje të marrin fondet e tyre mbrapsht, pasi themeluesi i saj, Gerald Cotten, vdiq vitin e kaluar.

Kosova pritet që së shpejti të bëhet me një ligj të ri, i cili do të përcaktojë rregullat e përdorimit të kriptovalutave, apo parave digjitale, brenda territorit të saj. Përveç kategorizimit të kriptovalutave dhe të formave të taksimit, projektligji synon edhe të sigurojë pajtueshmëri të industrisë me ligjet vendëse dhe ato ndërkombëtare.
Kjo është njëherit edhe e diela e fundit shkencore për vitin 2021. Gjithashtu gjatë të dielave të ardhshme të vitit 2022 ju njoftoj se do të kalojmë nga e "diela shkencore" në të "dielen profesionale".
Stay connected! [🙂]
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco