Lajm i mirë, mbërrin eksperti gjerman, nis riparimi në bllokun 'B2'

Lajm i mirë, mbërrin eksperti gjerman, nis riparimi në bllokun 'B2'

19:55, 26/12/2021

Ka nisur puna në riparimin e turbinës së bllokut “B2” në termocentralin “Kosova B”. 

Burime të KOHËS brenda Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kanë bërë të ditur se eksperti gjerman që do të merret me sanimin e dëmeve në këtë bllok, ka arritur të shtunën dhe se brenda pak ditësh do të dihet se sa do të zgjasin riparimet.

Brenda pak ditësh do të dihen edhe shkaktarët që dëmtuan flatrat e turbinës së B2-shit.

Siç ka mësuar KOHA, riparimi i turbinës do të bëhet nga inxhinierë të KEK-ut, por që do të monitorohen nga eksperti gjerman që është nga kompania prodhuese e turbinës.

KOHA ka provuar që të marrë përgjigje nga KEK-u për çështjen e ekspertit gjerman, por që nga kjo korporatë kanë thënë se “do t’iu njoftojmë me kohë për të gjitha zhvillimet”.

Ndërkohë situata energjetike është rënduar ditëve të fundit kur janë kthyer edhe reduktimet e energjisë, në disa vende deri në 12 orë.

Rëndimi i situatës energjetike në vend ka ardhur edhe si pasojë e rënies së prodhimit vendor, rritjes së çmimit të energjisë së importit dhe interferimeve nga Serbia në linjën interkonektive.

Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Vetëvendosjes, ka fajësuar qeveritë e kaluara, të cilat, sipas tij, e kanë dërguar sektorin energjetik buzë kolapsit.

“Unë e kuptoj sot frustrimin e secilit qytetar me mungesë të energjisë elektrike, besoni që edhe unë jam i frustruar, por le të jetë ky një kujtim për gjendjen në të cilën ata që qeverisën për dy dekada na e lanë shtetin, sepse si njerëz të territ që ishin, që punët i bënin natën e larg syrit të qytetarëve, ata nuk kishin si ta linin Kosovën ndryshe, pos në terr e skëterrë. Por ajo epokë ka përfunduar, rrugëtimi që kemi filluar së bashku është me plot sfida, por do të na dërgojë në ditë më të mira”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, vitin e ardhshëm do të dalin me zgjidhje afatgjatë për situatën energjetike.

Kurti theksoi se strategjia duhet të jetë që vit pas viti të investohet në energji të ripërtëritshme.

Nga KOSTT-i (Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut) kanë thënë për kohën se situata me energji është reflektimi i rritjes së konsumit dhe pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm, si dhe pamundësisë së sigurimit të importit për të mbuluar konsumin.

Këto, sipas KOSTT-it, kanë shkaktuar mosbalancim ku rreth 40 për qind i konsumit është tërhequr nga sistemi interkonektiv i Evropës Kontinentale.

Konsumi është rritur edhe në veri të vendit për 8.35 për qind më shumë sesa vitin e kaluar.

“Si rrjedhojë e mosbalancës së theksuar në mes të konsumit të energjisë elektrike në vend, Qendra Koordinuese për Evropën Kontinentale në kuadër të ENTSO-E (SwissGrid), si dhe Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE) trup i ENTSO-E kanë kërkuar në mënyrë strikte ndërprerjen e menjëhershme të devijimeve ndaj rrjetit interkonektiv evropian. Derisa monitoruesi i Bllokut AK në vazhdimësi ia ka tërhequr vërejtjen zonës rregulluese të Kosovës për situatën”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it.

Si pasojë e këtyre devijimeve, KEDS-i (Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike) që nga e enjtja ka filluar me reduktime të energjisë elektrike. Edhe pse paralajmërimet ishin për ndërprerje prej 2 orësh, ato kanë zgjatur në disa vende deri në 16 orë.

Për situatën energjetike në vend, të hënën do të mbahet edhe një protestë në të cilën do të kërkohet, mes të tjerash, shkarkimi i ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Aty do të kërkohet furnizim 24 orë me energji elektrike, si dhe nacionalizim i KEDS-it. Protesta do të zhvillohet pranë KEDS-it duke nisur në orën 13:00.

“Kjo krizë përveçqë është duke e paralizuar çdo aspekt të funksionimit shoqëror dhe ekonomik, është duke treguar që shërbimet esenciale nuk duhet të lihen në dorë të sektorit privat. Andaj të hënën, më 27 dhjetor, nga ora 13:00 mblidhemi pranë KEDS-it në protestë ndaj kësaj gjendjeje alarmante dhe kërkojmë rrymë 24 orë në 7 ditë të javës, shkarkim të ministres Rizvanolli dhe nacionalizim të KEDS-it”, ka thënë Dibran Hoxha, një nga organizatorët e protestës.

Sipas tij, që nga privatizimi dhe ndarja përfundimtare nga KEK-u, kompania KEDS nuk ka përmbushur as edhe kushtin bazë për marrëveshje të privatizimit, që është për furnizim 24 orë me rrymë në tërë Kosovën.

“E lëre më investimet 300 milionëshe të premtuara që nuk janë realizuar asnjëherë”, ka thënë ai.

Ka thënë se protestat nuk do të ndalen derisa kjo kompani ta marrë përgjegjësinë për dështimet e saj, vendi t’i kthehet normalitetit dhe të hapet rruga për nacionalizimin e KEDS-it.

Kriza energjetike e cila ka goditur Kosovën javëve të fundit, ka bërë që KEDS-i të nisë reduktimet me energji elektrike, si në kohën e pasluftës. Qeveria e Kosovës javën e kaluar ka ndarë 20 milionë euro për subvencionimin e importit të energjisë elektrike.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco