Rritje e pagës minimale ose revoltë popullore

Rritje e pagës minimale ose revoltë popullore

15:12, 27/10/2021 Nga A.S

Një popull u ngrit në këmbë pas një ngritje enorme të çmimeve të produkteve bazë në Kosovë. Përballja me një realitet të tillë të ri ngjalli reagime të shumta, por që zgjidhje nuk po gjendet akoma, shkruan Syri net Kosova.

Shporta e qytetarit kosovar do të varfërohet pasi që kuleta e tij do të posedojë të holla as më pak e as më shumë se vlera e njëjtë që ka pasur tash e sa vite.

Sy e veshë janë drejtuar nga Qeveria e ‘zë’ nga ta nuk po del, veç kërkesës së kryeministrit  Kurti drejtuar qytetarëve  për durim e qetësi në këto kohë.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli ka thënë në një prononcim për Syri net Kosova se rritja e çmimeve të produkteve esenciale do ta rëndojë edhe më tepër gjendjen sociale të qytetarëve në vend.

 “Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, po ndjekë me shqetësim rritjen e çmimeve të artikujve esencial në Kosovë. Kjo e rëndon edhe me tepër gjendjen sociale të punëtorëve dhe të qytetarëve në vend. Fatkeqësisht edhe pse ka rritje të vazhdueshme të çmimeve edhe për artikujt esencial siç janë mielli, vaji sheqeri, etj, nuk kemi rritje pagash për punëtorët si dhe paga minimale në vend vazhdon të mbetet e njëjtë”, është shprehur ai.

Hykolli po ashtu ka kërkuar publikisht nga Qeveria e Kosovës që të iniciojë sa më parë rritjen e pagës minimale.

“Si kryetar i BSPK-së, dhe njëkohësisht si kryesues i Këshillit Ekonomik Social e ftoj publikisht qeverinë që t’i bashkohet Këshillit Ekonomik Social dhe të iniciohet rritja e pagës minimale në vend. Është e rëndësishme që kjo të bëhet sa më parë në mënyra që të përfshihet në Buxhetin e vitit të ardhshëm. Njëkohësisht ftoj deputetët e Parlamentit të Kosovës, pa dallim që të përkrahin rritjen e pagës minimale në vend. Ne si BSPK, mbetemi të përkushtuar të bashkëpunojmë me qeverinë dhe secilin institucion që mbështetë kauzën e drejtë sociale për rritjen e pagës minimale në vend”, ka përfunduar ai.

Më anën tjetër njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj barrën kryesore për rritjen e çmimeve po ja la vetë Qeverisë.

“Është pritur për faktin që bizneset nuk morën përkrahjen e merituar nga qeveria për rimëkëmbje ekonomike kështu që janë detyruar që të marrin këto veprime në parim jo të mira por biznesi është i orientuar nga fitimi përndryshe nuk mund të ekzistoj. Pra bizneset nuk janë shoqata humanitare. Barra i bie qeverisë që nuk i ka përfillur kërkesat e bizneseve njëherit edhe thirrjen e vazhdueshme nga njohësit e ekonomisë duke u sjellë komod si një qeveri e shumicës”, është shprehur ai.

Mustafa më tej ka theksuar se nëse shpejt nuk merret një vendim për normalizim çmimesh, mund të priten protesta masovike të qytetarëve.

“Për fat jo të mire kriza do të thellohet edhe më shumë sepse do të varfërohet shporta e konsumit tek qytetarët dhe do të ngritet pakënaqësi dhe kjo e bën edhe me të rëndë perspektivën në vend kjo do jetë edhe një shtytje për të ikur nga vendi. Në bazë të qeverisurit deri më tani nga kjo qeveri besimi i 14 shkurtit çdo dite e më shumë po dyfishohet zhgënjimi pra kjo qeveri edhe parimin majtist që të ketë mirëqenie për të gjithë qytetarët po dështon dita ditës. Si përfundim duhet të ketë të qartë kryeministri Kurti që nëse nuk merr vendime një hap e para për të stabilizuar çmimet për produkte jetike dhe esenciale mund të vie fundi durimit të qytetarit do të përballet me protesta masovike për faktin që qytetari e ka pritur si shpëtimtar e jo të ia rëndoj jetën edh më shumë”, ka përfunduar ai për Syri net Kosova.

Ndërsa sot Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se paga minimale do të rritet, mirëpo nuk ka dhënë ndonjë afat kohor se kur do të ndodhë diçka e tillë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco