Pasojat dhe shkeljet, lidhur me projektin milionësh afaristo-banesor në Lakrishtë

Pasojat dhe shkeljet, lidhur me projektin milionësh afaristo-banesor në Lakrishtë

12:02, 25/10/2021

 

Shkruan: Arsim Halili

Janë bërë 39 përkatësisht 22 ditë prejse u shkaktuan dy skandale të njëpasnjëshme mjedisore si pasojë e shkatërrimit me eskavator të azbestit në Lakrishtë, në kuadër të tentativave për realizimin e projektit milionësh afaristo-banesor për të cilin rëndojnë akuza e pretendime të bazuara për shkelje ligjore dhe dyshime për manipulime ndaj Ndërmarrja Publike Banesore SH.A. Prishtinë dhe Komuna e Prishtinës.

Ende askush nuk ka dhënë përgjegjësi ndërsa Prokuroria nuk ka bërë të ditur nëse i ka nisur hetimet për këtë rast.

Në vijim po i risjell në vëmendje, të përmbledhura, pasojat e shkaktuara, faktet, pretendimet dhe akuzat për shkelje ligjore e procedurale dhe për manipulime lidhur me këtë projekt:

- Më 15 shtator 2021 rreth ORËS 06:00 TË MËNGJESIT është shkatërruar pakontroll me eskavator materiali kancerogjen i azbestit te ish-objekti i autoshkollës Instruktori në Lakrishtë.

- Më 02 tetor 2021, në FUNDJAVË, DITË E SHTUNË, është përsëritur rrënimi i kulmeve të azbestit në objektet e NPB-së, disa metra larg gjimnazit “Xhevdet Doda” dhe objekteve të banimit derisa punimet janë ndërprerë po atë ditë nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit pas alarmit të dytë të ngritur nga banorët.

- Ekzistojnë pretendime të bazuara se veprimi është bërë me dashje, me paramendim pasi shkatërrimi i këtij materiali që konsiderohet kancerogjen, ka ndodhur dy herë, në termine kohore të pazakonshme për punime, përkundër ndërhyrjes së Policisë gjatë herës së parë.

- Drejtori i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), Hajdar Hoxha poashtu ka thënë se ishte në dijeni të pranisë së azbestit, por përgjegjësinë kryesore për shkatërrim ia ka hedhur nënkontraktuesit të bashkinvestitorit (Made Group Construction) që i ka kry punimet ndonëse NPB-ja është poseduese e vetme e lejes dhe mbikëqyrëse e zbatimit të projektit, sipas lejes së lëshuar nga Komuna.

- Me këto veprime është rrezikuar shëndeti i banorëve, i nxënësve të kryeqytetit dhe i punëtorëve të cilëve nuk u janë siguruar nga punëdhënësi pajisjet mbrojtëse për largimin e azbestit që llogaritet se ka përmbajtje kancerogjene.

(Kujtojmë se sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në botë çdo vit vdesin nga azbesti rreth 90 mijë persona. Dëmi shkaktohet kur kjo materie nuk ç`montohet në mënyrë të kontrolluar por shkatërrohet dhe grimcat e vogla lëshohen në ajr, të cilat thithen dhe në muajt dhe vitet e ardhdhme shkaktojnë kancer në mushkëri)

- Si pasojë e këtyre akteve, për dy ditë është ndërprerë mësimi në Gjimnazin “Xhevdet Doda” ku gravitojnë nxënësit e kryeqytetit.

- Janë shkelur Ligji për Mbeturinat dhe Udhëzimi Administrativ nr.01/2020 për menaxhimin e mbeturinave që përmbajnë azbest.

- Ndërmarrja Publike Banesore SH.A. Prishtinë, përkundër dijenisë së pranisë së azbestit, nuk e ka deklaruar ose e ka fshehur çështjen e deklarimit të azbestit në dokumentacionin aplikues për leje.

- Komuna e Prishtinës e udhëhequr nga Shpend A. Ahmeti përkatësisht drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Prishtinës e drejtuar nga Ardian Olluri i ka lëshuar tri leje: atë mjedisore, të rrënimit dhe lejën e ndërtimit për NPB-në pa e përmendur fare asbestin dhe domosdoshmërinë ligjore të trajtimit të këtij materiali të rrezikshëm që gjendet në teren.

- Procedura e dhënies së lejes për këtë projekt milionësh është kryer në një kohë relativisht të shkurtër dhe nuk ka pasur transparencë.

- Partia opozitare, VV në Komunën e Prishtinës ka deklaruar se NPB-ja këtë projekt për ndërtim ia ka dhënë njërës prej kompanive private që është regjistruar si biznes vetëm një ditë para se të bëhej shpallja e interesit.

- Sipas këtij subjekti, thirrja për bashkë-investim potencial ka zgjatur vetëm dy ditë prej 10-12 mars 2021 ndërsa afati për pajisje me dosje të tenderit ka qenë vetëm një ditë më 17 mars 2021, gjë që ky subjekt ngre dyshime se operatori ekonomik ka qenë i përzgjedhur para se të hapej thirrja.

- Sipas kësaj partie, në thirrje poashtu nuk është vendosur asnjë kriter, as termat e referencës as kushtet e ndërtimit.

- Në lejen e lëshuar, më 16.08.2021 nga Komuna e Prishtinës për Ndërmarrjen Publike Banesore, nuk figuron fare si hisedare kompania private, Made Group Constuction që ka shumicën e hises 64 përqind në projekt dhe që është e definuar me akt noterial para se të aplikohej për leje ndërtimi.

- Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu në një konferencë për medie ka bërë të ditur se në bazë të dokumentacioneve që i posedon ministria, në elaboratin mjedisor që i ka paraprirë dhënies së lejes mjedisore mungon nënshkrimi dhe emri i autorit të këtij elaborati.

- Ndërmarrja Publike Banesore SH.A. Prishtinë akuzohet nga Ministria e Mjedisit se përmes një akti noterial, ia ka dhënë pronën e paluajtshme publike në shfrytëzim të PËRHERSHËM kompanisë private Made Group Construction me qëllim të ndërtimit të objektit banesor afarist në Lakrishtë. Sipas ministrisë, shfrytëzim të përhershëm nuk njeh Ligji nr. 06/L-092 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës por parashihet vetëm shfrytëzim afatshkurtër dhe afatgjatë maksimumi deri në 99 vjet.

- Ministria e Mjedisit ka akuzuar Bordin e NPB-së në përbërje prej (Lendita Mekuli Myderrizi, Arbnora Jashanica, Xhevdet Leci dhe Bekim Pireva), se kundërligjshëm ka hartuar rregullore për vetën që pronën e NPB-së me e dhënë me përqindje te një kompani private ndërsa më pas, sipas tij, është ndryshu statuti i ndërmarrjes për me iu përshtat rregullores së re.

- Janë ngritur pretendime se Bordi i AKP-së nuk ka dhënë autorizim për përcaktimin e kufirit mes një prone të menaxhuar prej saj dhe pronës së NPB-së.

- Pas akuzave publike, më 14 tetor 2021 Bordi unanimisht ka marr vendim për shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv, Hajdar Hoxha për arsyet: "Neglizhenca e kryeshefit ekzekutiv për përcjellje dhe zbatim të projektit në Lakrishtë në përputhje me rregulloret dhe ligjet në fuqi, mosgatishmëria e kryeshefit ekzekutiv për bashkëpunim dhe transparencë ndaj Bordit të drejtorëve, mosllogaridhënie dhe mosinformim"

- Vendimi për shkarkim nuk ka arritur të fuqizohej pasi anëtarët e Bordit kanë deklaruar se kryeshefi, Hajdar Hoxha dhe vartësit e tij kanë pamundësuar protokollimin e vendimit.

- Dren Kukaj, Genc Sherifi janë dy nga tre anëtarët e Komisionit të aksionarëve të zgjedhur nga kryetari dhe Kuvendi Komunal i Prishtinës, të cilët akuzohen poashtu se e kanë penguar Bordin e Ndërmarrja Publike Banesore SH.A. Prishtinë, për ta shkarkuar, kryeshefin ekzekutiv, Hajdar Hoxha.

- Si revansh, këta aksionarë kanë shkarkuar dy (Bekim Pireva dhe Arbnora Jashanica) nga gjithsej katër anëtarët e Bordit ndonëse të gjithë kishin votuar njëzëri për shkarkimin e Hoxhës, edhepse vendimi nuk kishte arritur të protokollohej.

Gjatë kësaj kohe, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend A. Ahmeti që i përfaqëson qytetarët nuk e ka thënë asnjë fjalë për këtë çështje ashtu sikurse as drejtori i urbanizimit, Ardian Olluri.

Kuvendi Komunal nuk e ka diskutuar ende këtë temë e as nuk e ka vënë në rend dite.

Komisioni prej tre anëtarësh i aksionarëvë të NPB-së Dren Kukaj, Genc Sherifi dhe Vesel Makolli i zgjedhur nga kryetari dhe Kuvendi Komunal poashtu kanë parapëlqyer të heshtin.

Hajdar Hoxha vazhdon ende detyrën si kryeshef ekzekutiv i NPB-së.

Përkundër këtyre pretendimeve të bazuara për shkelje ligjore e procedurale, vendimet mbesin në fuqi.

E Prokuroria...!?

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco