Qeveria e Kosovës ka miratuar katër dokumente të MINT-it

Qeveria e Kosovës ka miratuar katër dokumente të MINT-it

20:17, 22/09/2021

Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e rregullt të 36-të, ka miratuar katër dokumente të rëndësishme të propozuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), shkruan Syri.net Kosova.

Projektligji për Inspektimet, i cili do të hedhë themelet për reformimin dhe bashkërendimin e inspektorateve, duke përmirësuar zbatimin e ligjit dhe duke zvogëluar barrën te subjektet e inspektimit. 

Ky projektligj është akt kornizë, që vendos rregullat kryesore të inspektimeve, themelon Zyrën e Inspektorit të Përgjithshëm për bashkërendim në shkallë vendi, si dhe udhëzon përgatitjen e ligjeve dhe akteve të tjera për inspektimet në fushat përkatëse.
Projektligji për Topografitë e Gjysmëpërçuesve, që është pjesë e pakos së ligjeve të pronësisë industriale. 

Ky akt përcakton dhe mbron të drejtat e krijuesve të topografive të produkteve gjysmëpërçuese, në përputhje me legjislacionin e BE-së. Me miratimin e këtij projektligji, Republika e Kosovës përmbush një detyrim të radhës nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe forcon infrastrukturën juridike për zhvillimin e vendit.

Vendimi për t'i dhënë statusin investitor strategjik subjektit "Kosmonte Foods" shpk, duke u mbështetur në Ligjin për Investimet Strategjike, rekomandimin e Komisionit Ndërministror dhe vlerësimin përkatës për përmbushjen e kritereve. Kosmonte Foods do të realizojë projekt investiv në industrinë përpunuese të pemëve, produkteve bujqësore dhe mishit të shpezëve. Vlera e projektit kalon 11 milionë euro.

Vendimi për shfuqizimin e akteve sipas Programit për Eliminimin e Barrierave Tregtare, i cili përditëson legjislacionin, duke mënjanuar rregulloret dhe aktet teknike e jo-teknike të trashëguara nga ish-Jugosllavia. Vendimi njëherësh anulon aktet e ngjashme që janë miratuar nga autoritetet e dhunshme pas 22 marsit 1989 dhe për këtë arsye kanë qenë gjithmonë të pavlefshme. 

Programi për Eliminimin e Barrierave Tregtare 2021–2025, që buron nga Traktati mbi Funksionimin e BE-së, është miratuar me vendimin e Qeverisë nr. 22/16, të 22 qershorit 2021. Vendimi i sotëm është vijimësi e vendimit të mëhershëm.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco