Kriteret për tregtinë me naftën kërkohet të rregullohen me ligj

Kriteret për tregtinë me naftën kërkohet të rregullohen me ligj

19:25, 21/09/2021

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka mbajtur dëgjim publik, në të cilin është shqyrtuar Projektligji i ri për naftën. Të pranishmit kanë kërkuar që Ligji të përcaktojë kushtet dhe kriteret për tregtinë me naftën, në mënyrë që të mos lihet në vullnet të ministrit ndërrimi i këtyre kritereve. U kërkua të trajtohen problematikat e monopoleve në tregti të naftës

Problemet disavjeçare në tregun e naftës po kërkohen që të zgjidhen përmes Projektligjit të ri, i cili u diskutua të martën në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

Në dëgjimin publik, përfaqësuesit e Shoqatës së Naftës dhe subjekte të tjera kërkuan që standardet për cilësi të naftës të përcaktohen në ligj. Kërkesa të tilla kanë ardhur pas dyshimeve të shumta të ngritura për kontroll të cilësisë së naftës përmes udhëzimeve administrative, të cilat ministrat e kaluar dyshohet se favorizuan kompani të caktuar, duke krijuar edhe monopole.

Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Skënder Krasniqi, tha se është e rëndësishme që kushtet dhe kriteret për ushtrimin e veprimtarisë të përcaktohen me ligj.

 

“Konsiderojmë që është më se e rëndësishme që kushtet dhe kriteret për ushtrimin e veprimtarisë të përcaktohen me ligj e të mos lihen në dorën e një udhëzimi administrativ, apo akteve të tjera nënligjore, i cili mund të ndërrohet varësisht nga ministri dhe vullneti i tij”, ka thënë Krasniqi.

Me këtë u pajtua kryetari i Komisionit, Ferat Shala, i cili ka thënë se cilësia duhet të jetë prej standardeve bazë të ligjit.

“Recepcioni i ministrit, profesionalizmi është i ndryshëm, prandaj cilësia duhet të rregullohet me ligj, jo me akt nënligjor. Cilësia duhet të jetë prej standardeve bazë të ligjit. Nëse e lëmë me akte nënligjore, ne e pamë saktë se ku na sollën këto akte nënligjore”, ka theksuar Shala.

Ministri i kaluar i Tregtisë, Vesel Krasniqi, kishte lënë pas një monopol të ri, koston e të cilit do të mbartin kompanitë e naftës dhe qytetarët. Ai kishte autorizuar një kompani zvicerane për shënjim/markim të naftës. Shkëputja eventuale e kësaj kontrate mund të rrezikojë që rasti të dërgohet në arbitrazh.

Shënjimi i karburanteve tregon se cilësia e naftës është verifikuar dhe ka kryer obligimet doganore. Kjo bëhet duke injektuar karburantet e lëngëta me produktin unik dhe të poqëm për shënjim.

MTI nuk ka publikuar se sa duhet të paguajë një biznes për litër të shënjuar.

Shënjimi i karburanteve në Shqipëri kishte filluar në vitin 2013. Çmimi për litër të shënjuar është 5 centë. Vitin e kaluar në Kosovë janë importuar 602 milionë litra naftë. Nëse do të jetë çmimi si në Shqipëri i bie që kompanitë do të përfitojnë rreth 30 milionë euro në vit.

Kjo sipas Shoqatës së Naftëtarëve do të ndikojë që çmimi i naftës të rritet.

MTI-ja ka tentuar që të krijojë monopol edhe përmes udhëzimit për pastrim të rezervuarve, por që ai është shfuqizuar.

Kjo është kundërshtuar nga naftëtarët për shkak të çmimit. Kundërshtim ka pasur edhe për pastrimin e rezervuarve çdo 3 vjet.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, ka përmendur tri kërkesa që kanë si shoqatë e që një nga to ka të bëjë me pastrimin e rezervuarve.

“Pastrimi i rezervuarëve në shtetet e BE-së dhe në të gjithë Evropën bëhet çdo 10 vjet, dhe kjo është një kërkesë. Ne si shoqatë nuk kërkojmë diçka me të cilën dëmtohet shteti”, ka theksuar ai.

Edhe naftëtarët që ishin prezent paraqitën para deputetëve të Komisionit shqetësimet dhe kërkesat e tyre. Kërkuan që licencat të jenë të përhershme, pastrimi i rezervuarëve të bëhet çdo 10 vjet. Kurse sa i përket matjes së cilësisë, kërkuan që kur subjekti del komfor, të mos obligohet të mbulojë shpenzimet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco