Auditori gjen një varg mangësish në pasqyrat financiare të Ferizajt

Auditori gjen një varg mangësish në pasqyrat financiare të Ferizajt

09:14, 08/09/2021

Auditori i Përgjithshëm ka publikuar raportin e pasqyrave financiare të Komunës së Ferizajt për vitin 2020 në të cilat ka gjetur një varg mangësish.

Sipas auditorit kjo komunë së paku në 11 raste ishte vonuar t’i paguajë faturat e ndryshme megjithëse ato është dashur të përfundojnë brenda 30 ditësh pas dorëzimit. Vonesat në pagesa janë regjistruar me nga katër muaj, ndërkaq në dy raste faturat ishin dorëzuar para vitit 2020, kurse në 9 raste faturat ishin të vitit aktual.

“Vonesat ishin kryesisht të shkaktuara nga mungesa e mjeteve buxhetore dhe planifikimi jo i mirë për kryerjen e obligimeve sipas afateve të përcaktuara. Vonesat në realizimin e pagesave rrisin rrezikun që në periudhat e ardhshme komuna të ballafaqohet me konteste gjyqësore apo veprime përmbarimore të cilat njëherit mund të rezultojnë me obligime shtesë të cilat e rëndojnë buxhetin e komunës”, thuhet në raportin e auditorit.

 

Sipas raportit, kryetari i Komunës duhet të sigurojë funksionimin efikas të kontrolleve financiare për raportimin e saktë të obligimeve dhe kryerjen e pagesave brenda afatit të paraparë ligjorë.

“Komuna gjatë vitit 2020 nuk kishte arritur që në listën e pagave të regjistrojë edhe 28 të punësuar. Mësimdhënësit e angazhuar jashtë listës së pagave, nuk ishin kompensuar dhe Komunës i kishin mbetur si obligime të pagave të papaguara 66 mijë e 972 euro. Po ashtu, në PFV ishte prezantuar vetëm një i punësuar jashtë listës së pagave. Kjo ka ndodhur për shkak se në arsim është shtuar numri i paraleleve më shumë se sa ishin në planin për regjistrimin e nxënësve në klasat e 10-ta për vitin shkollor 2020/2021, mungesa me arsyeje të mësimdhënësve dhe pushimet e lehonisë”, thuhet midis të tjerash në raport.

Kjo çështje ka nxitur reagime edhe nga opozita në Ferizaj. Në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal, javën e shkuar, asamblisti i LDK-së, Shkëlzen Selmani, e ka quajtur “të keq” raportin e Auditorit duke thënë se “pavarësisht rekomandimeve që po vijnë, po ka përsëritje të moszbatimit”.

Sipas tij, është shqetësuese se si 28 të punësuar gjatë vitit 2020 në arsim nuk kanë marrë paga.

“Komuna tash është në borxh mbi 66 mijë euro për këta mësimdhënës të cilët kanë kryer punën e vetë, por kanë punuar ‘veresi’. Tash ata duhet të shkojnë tek një përmbarues për t’i nxjerrë paratë e veta kurse Komuna sërish duhet të paguajë kamatë siç ka ndodhur në shumë raste “, ka kritikuar Selmani.

KOHA ka provuar të marrë një përgjigje nga drejtoresha e Financave në Komunën e Ferizajt Sebahate Ajeti-Sadiku, por ajo nuk ka qenë e qasshme. Ndërkohë kryetari i Komunës, Agim Aliu, i është përgjigjur Auditorit të Përgjithshëm nëpërmjet një letre.

“Kam pranuar draft raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për auditimin e pasqyrave financiare të Komunës së Ferizajt për Vitin 2020. Pajtohem me të gjeturat dhe rekomandimet dhe nuk kam ndonjë koment për përmbajtjen e raportit. Brenda 30 ditësh do t’iu dorëzoi një plan të veprimit për zbatimin e rekomandimeve i cili do të përfshijë afatet kohore dhe stafin përgjegjës për zbatimin e tyre”, thuhet në letrën e kryetarit Aliu drejtuar Auditorit të Përgjithshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco