Ligji për Paga – kërkesa kryesore e shërbyesve civilë

Ligji për Paga – kërkesa kryesore e shërbyesve civilë

11:31, 23/06/2021

Ligji për Paga është kërkesa kryesore që shërbyesit civilë kanë bërë për institucionet e Kosovës në Ditën Ndërkombëtare të Shërbimit Civil. Pos kësaj, në këtë ditë, dy sindikata, ajo e shërbimit civil dhe ajo e administratës publike, kanë kërkuar edhe tri paga shtesë në rastin e pensionimit të shërbyesve civilë, njohjen e përvojës së punës së të larguarve gjatë viteve të ’90-a, aplikimin e sigurimit shëndetësor si dhe nënshkrimin e kontratave kolektive e sektoriale.

Në një konferencë për media, kryetari i Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës, Mursel Zymeri, ka thënë se viti 2021 është hera e parë që “Qeveria nuk e ndërmerr asnjë veprim për ta shënuar këtë ditë që është edhe ndërkombëtare e aq më pak të njoftohet me problemet tona”.

“Kjo tregon nivelin e përkujdesjes së qeverisë për administratën publike dhe shërbyesit civil”, ka thënë ai.

 

Zymeri dhe kryetari i Sindikatës së Administratës Publike, Ali Gashi, kanë shprehur shqetësimin e tyre për iniciativën e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike për shkarkimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës.

“Komisioni i jep të drejtë vetes të atakojë këshillin për arsye se nuk është pajtuar me një vendim. Me atakimin e këtij këshilli, sindikatat janë vërtetë të shqetësuara. Në rast se vazhdon kjo qasje atëherë ne do të kërkojmë drejtësi në instancat më të larta qoftë edhe jashtë vendit që ky veprim i Komisionit të mos njihet. I bëj ftesë presidentes dhe kryetarit të parlamentit që të veprojë me urgjencë dhe të mos lejojë veprime të tilla apo të mos e lejojë ndërhyrjen në sistemin e drejtësisë”, ka thënë Zymeri.

Ndërkaq, Gashi ka renditur kërkesat e shërbyesve civilë.

“Ne si dy sindikata kemi vlerësuar si nevojë emergjente hartimin dhe procedimin e Ligjit të Pagave. Në këtë ditë i kërkojmë Qeverisë me urgjencë ta procedojë në Kuvend sepse është absurditet të luhet me shërbimin civil të Kosovës. Me rastin e pensionimit të përcillen me tri paga shtesë pasi shërbyesit civil janë të vetmit që nuk e kanë këtë të drejtë. Të pranohet përvoja e punës të gjithë të larguarve nga puna gjatë viteve të ‘90-ta. Të fillojë me aplikimin e sigurimit shëndetësor. Numri më i madh i të sëmurëve me sëmundje të rënda respektivisht me kancer është tek shërbyesit civil. Nënshkrimi i kontratës kolektive dhe sektoriale. Kontrata e vjetër ka skaduar dhe Drafti i ri i marrëveshjes kolektive është i përfunduar nga Këshilli Ekonomiko Social. I ka ardhur fundi kësaj page minimale, kërkesa jonë është që paga minimale të jetë 350. Kohëve të fundit kemi pasur takime të shumta me grupet parlamentare, kemi dërguar ftesa edhe te kryeministri dhe te ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, por deri më tani nuk kemi pasur përgjigje”, ka thënë Gashi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco