A i shpërbleu Qeveria Kurti ata që bënë shumë për Kosovën me vite të tëra?

A i shpërbleu Qeveria Kurti ata që bënë shumë për Kosovën me vite të tëra?

09:43, 23/06/2021 Nga Dardan Gashi

Për 13 vjet, Kosova ka pranuar afër nëntë miliardë euro remitenca. Këto mjete financiare që dërgojnë qytetarët e Kosovës, të cilët jetojnë jashtë vendit, te familjet e tyre, nuk kanë munguar edhe gjatë pandemisë me COVID-19.

Në Kosovë, në vitin 2020, vlera e remitencave, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ishte rreth 940 milionë euro. Kurse në tremujorin e parë të këtij viti, vlera e remitencave kap shumën e mbi 200 milionë eurove.

Përveq këtyre milionave të ardhur nga diaspora, mërgimtarët që erdhën për pushime në Kosovë, në kufi paguan edhe taksën e sigurimit kufitar.

Por, dje Qeveria ka miratuar propozim vendimin për mbulimin e plotë të obligimeve të Primit të sigurimit kufitar për të gjithë bashkatdhetarët dhe të huajt që janë subjekt i policisë kufitare dhe vijnë në Kosovë deri në fund të vitit 2021.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, sqaroi se ky vendim do të zbatohet nga data 1 korrik.

“Ky vendim na hap rrugën që ne si ministri të lidhemi një memorandum bashkëpunimi që së bashku me BQK e marrim përsipër mbulimin e kostos së primit të sigurimit kufitar dhe mbulimi të fillojë prej datës 1 korrik”.

“Kostoja përfundimtare mund të shihet krejt në fund. Projeksioni është që të jetë 5-6 milionë euro”, ka thënë Murati.

6 milionët që u vendosën si barrë për buxhetin e vendit, për njohësin e ekonomisë, Jakup Bellaqa nuk paraqesin problem.

Bellaqa, për Syri.net Kosova, thotë se në dallim me vlerën e remitencave që dërgon diaspora çdo vit, kjo mbulesë është më e pakta që mund të bëhet për mërgimtarët.

Vendimi për heqjen e taksës kufitare për mërgimtarët, sipas analizës së rriskut në ekonomi, mendoj se është nje vendim i duhur, sepse dihet mirëfilli se diaspora rrjedhimishtë i dërgon mesatarisht rreth 1 milardë euro, edhe pse buxhetit të Kosovës i bie që të paguajë 5 deri 6 milonë euro.

Sipas tij, kjo është e përballueshme dhe ka arsyeshmëri ekonomike, dhe logjikë ekonomike, sepse vlera mbi 1 miliardë euro ka një dallim shumë të madh me vlerën 6 milionë euro.

Konstatoj se është një hap i duhur dhe i mirë për diasporën, kur dihet se diaspora është infuzioni ma i fuqishëm për ekonomitë familjare, për investime në vendlindje për buxhetin e Kosovës, si dhe për gjallërimin ekonomik dhe social të Kosovës,.

Tutje, Bellaqa vlereson se duhet që edhe në të ardhmen shteti i Kosovës, të bëjë më shumë për diasporën ta mobilizoj si në aspektin ekonomik dhe financiar dhe moral, dhe ti krijojë parakushte dhe kushte të volitshme që të jetë e pranishme dhe e koncentruar ekonomikisht.

Ndërsa, analisti Xhevdet Pozhari, vlerëson se  për ata që dërgojnë remitenca rreth 1 miliard euro në vit, më e pakta që do duhej të bënim si shtet është që t'ua lehtësonim që moti ardhje-vajtjet

“Me shumë kënaqësi pranoj që nga taksat që paguaj në këtë shtet, të paguhet polisa kufitare për mërgimtarët. Për ata që e ngjallin ekonominë e këtij vendi dhe kurrë nuk shkëputën rrënjët me vendin e tyre të origjinës. Për ata që dërgojnë remitenca rreth 1 miliard euro në vit. Më e pakta që do duhej të bënim si shtet është që t'ua lehtësonim qëmoti ardhje-vajtjet. Ata janë damari i kombit tonë. Kanë dashni pa kushte për këtë vend. Siç e kanë dëshmuar në secilën periudhë dhe vazhdojnë ta dëshmojnë çdo ditë e më shumë” thotë ai.

Tutje, ai thotë se janë mërgimtarët ata që dhanë gjithçka për vendin.

“Kemi paguar taksa për RTK-në që vlon nga njerëz të çoroditur, e lëre më për ata që dhanë gjithçka për këtë vend, edhe jetën kur kërkohej” shton ai.

Kujtojmë se, vendim për mbulim të kësaj takse ishte marrë edhe vitin e kaluar, kohë kur me qeverinë udhëhiqte kryeministri Avdullah Hoti.

Asokohe, ministra e Financave Hykmete Bajrami kishte deklaruar se kjo taksë do mbulohej nga 1 gushti deri 31 dhjetor 2020.

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco