AKK jep detaje se kur pritet të publikohet pasuria e zyrtarëve publikë

AKK jep detaje se kur pritet të publikohet pasuria e zyrtarëve publikë

17:59, 22/06/2021

Agjencia Kundër Korrupsion pritet që gjatë këtij muaji të publikojë të dhënat për deklarimin e pasurisë të zyrtarëve publikë. 

Kjo është konfirmuar në një përgjigje nga kjo agjenci, ku mes tjerash, thuhet se janë pranuar formularë të deklarimit të pasurisë edhe me rastin e marrjes së detyrës zyrtare, si dhe përfundimin e kësaj detyre.

Më 31 mars 2021 ka përfunduar procesi i deklarimit të pasurisë i realizuar në pajtim me Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave.

Në një përgjigje nga AKK-ja, për Demokracia.com kanë thënë se gjatë kësaj kohe kanë pranuar një numër të madh të formularëve të deklarimin të pasurisë, me rastin e marrjes dhe përfundimit të detyrës zyrtare.

“Bazuar në rekomandimet e Qeverisë së Kosovës, për respektimin e masave nga Pandemia Covid-19,  gjatë kësaj periudhe, AKK  ka punuar me staf të reduktuar. Të gjitha të dhënat për deklarimin e pasurisë do të publikohen gjatë këtij muaji”, thuhet tutje në këtë përgjigje.

Ndërkohë, nga Agjencia Kundër Korrupsion më herët kishin bërë të ditur se pasurinë e kanë deklaruar afër pesë mijë zyrtarë publik.

Ndryshe, bazuar ne Ligjin nr. 04/L-050 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të Gjithë Personat Zyrtar si dhe ne Ligjin nr. 04/L-228 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 04/L-050 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të gjithë Personat Zyrtarë, dhe rregulloren e punës nr. 01-2014 e punës, AKK ka përgatitur formularin standard qe duhet te plotësohet nga zyrtarët e lartë publik që obligohen te deklarojnë pasurinë.

Ky formular përmban katër llojet e deklarimit, ku zyrtari duhet ta shënjojë se cilin deklarim është duke e bërë, raporton Demokracia.com.

Me marrjen e detyrës (me rastin e fillimit të punës, zyrtari i lartë publik ka për obligim deklarimin e pasurisë brenda afatit tridhjetë “30” ditor) dhe

Deklarimin sipas kërkesës së Agjencisë (Agjencia në çdo kohë mund të kërkojë nga zyrtari i lartë publik që ta dorëzojë informacionin e kërkuar në pajtim me ligjin. Po ashtu edhe zyrtarët e lartë publik të cilët janë të përfshirë për herën e parë në listën e zyrtarëve të lartë publik kanë për obligim të plotësojnë këtë lloj të deklarimit).

Deklarimin e rregullt vjetor (Deklarimi i rregullt vjetor i pasurisë bëhet gjatë kohës së ushtrimit të funksionit publik nga data 1 mars deri më 31 mars të çdo viti kalendarik. Zyrtari i lartë publik brenda afatit të paraparë deklaron çdo ndryshim në gjendjen e pasurisë); dhe

Deklarimi pas mbarimit, apo shkarkimit nga funksioni (Pas mbarimit apo shkarkimit nga funksioni, zyrtari i lartë publik ka për obligim të paraqes deklarimin e pasurisë brenda tridhjetë ditëve).

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco