Për një muaj, rritet për 20% çmimi i vajit ushqimor

Për një muaj, rritet për 20% çmimi i vajit ushqimor

15:34, 12/05/2021

Produktet e vajit ushqimor, të cilat përdoren për gatim dhe ofrohen në tregun tonë për konsum të qytetarëve, kanë shënuar rritje për 20 për qind në muajin e katërt të këtij viti, krahasuar me çmimin e muajit paraprak.

Çmimi i një litri të vajit ushqimor, në tregun e Kosovës varion nga mbi 1.60 euro deri në 2.00 euro.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), çmimi i vajit ushqimor ka shënuar rritje dramatike prej 20 për qind në muajin prill, krahasuar me muajin mars të këtij viti.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,9 për qind në muajin prill 2021 krahasuar me muajin prill 2020. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: buka dhe drithërat (2,3%), vajrat dhe yndyrnat ushqimore (20,5%), perimet (0,7%)”, thuhet në raportin e përpiluar nga ASK-ja.

Çmimet e pijeve alkoolike janë rritur për 2,8%, duhani për 4,5%, gazi për 4,6%, produktet farmaceutike për 1,9% dhe karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal për 19,9%.

Rritje prej 20 për qind të vlerës së çmimit kanë shënuar edhe shërbimet telefonike dhe të telefaksit. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco