Podujevës i tepruan mbi dy milionë euro në 2020

Podujevës i tepruan mbi dy milionë euro në 2020

16:22, 08/04/2021

Pushteti i LDK-së në Podujevë nuk ka arritur të shpenzojë buxhetin komunal në vitin e fundit të qeverisjes në këtë komunë. Ish-qeverisë i kanë tepëruar rreth 2.5 milionë euro. Afër 2 milionë euro janë mjete nga granti qeveriar, që rrjedhimisht i janë kthyer thesarit të shtetit. Ndërsa, më shumë se 600 mijë euro janë nga të hyrat vetjake, të cilat do të barten këtë vit.

Ekzekutivi i tanishëm komunal që udhëhiqet nga Vetëvendosje, e cila e ka marrë pushtetin në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 29 nëntorit të vitit të kaluar, e ka sjellë në Kuvend raportin financiar 2020 për diskutim. Këshilltarët e LDK-së nuk kanë diskutuar rreth shpenzimeve komunale. Ndërsa, vërejtje kanë dhënë ata të LVV-së e PDK-së. Këshilltarja Doruntina Hasani (LVV), ka thënë të jetë e vetëdijshme se nuk e ka përballë ish-pushtetin që ka menaxhuar me këto mjete. Por, sipas saj, vërejtjet i bën me qëllim që qeverisja e tanishme të mos i bëjë gabimet e njëjta.

“Edhe në 2020, si në vitet e kaluara kemi teprim buxheti madje nga granti qeveritar i kemi rreth dy milionë euro tepricë. Këtë qytetarët llapjanë nuk e kanë merituar. Teprim kemi deri më tani edhe tek pagat e mëditjet, ku aty do të duhej të ishte shifra e saktë. Mirëpo, mosrregullimi me koeficientë për punëtorët e sjell vazhdimisht këtë problem, e që mendoj se duhet të merret më seriozisht që secili punëtor ta ketë trajtimin e merituar”, ka thënë Hasani gjatë mbledhjes së Kuvendit Komunal.

 

Ajo e ka përmendur edhe projektin “Vrella e Revuqit”, që sipas saj, vazhdimisht barten paratë të cilat qytetarët i kanë dhënë për atë projekt.

“Sjelljet ndaj këtij projekti kanë qenë jokorrekte që nga fillimi dhe kanë vazhduar deri më tani, pa u bërë asnjë zgjidhje. Po kalojmë tek shpenzimet sipas kodeve. Kodi 13330 ‘Shërbimet Postare’ rriten vazhdimisht qe dy vite radhazi, a mund ta dimë se çka është në pyetje ky shpenzim, sepse është shumë e çuditshme që ka rritje në këtë kategori vazhdimisht”, ka deklaruar këshilltarja e VV-së.

Hasani thotë se “Shërbimet kontraktuese tjera” nga 439,000 mijë sa ishin më herët, në 2020 janë rritur në 863,000.

“Shërbimet teknike’ po ashtu nga 9,700 janë rritë në 56,000 euro. Pastaj diçka shumë e dyshimtë është tek regjistrimi i automjeteve dhe sigurimi i tyre. Tek regjistrimi kemi pothuajse vlerën e njëjtë ose pak më e lartë se në vitin 2019, kurse tek sigurimi kemi një vlerë rreth 3000 euro më të vogël që është paqartësi e madhe. Tek kodi ‘Reklamat dhe Konkurset’ kemi rritje nga 2,145 në 4,231 euro. D.m.th. dihet që ka qenë vit i fushatës, edhe mund të jetë e kuptushme se çka është paguar me këtë kod”, ka theksuar Doruntina Hasani.

“Kemi pyetje për shumë kode të tjera siç është mirëmbajtja rutinore, qiraja, pajisjet, reklamat e konkurset, drekat zyrtare që ka shpenzime njëlloj si në vitin 2019 edhe pse në vitin 2020 pothuajse pjesën më të madhe kemi qenë të mbyllur për shkak të masave. Këto e shumë gjëra, shpresoj që do të sqarohen në raportet tjera financiare”.

Edhe këshilltari nga radhët e PDK-së, Rafet Llapashtica, ka thënë se ky raport i paraqet shpenzimet e një qeverie tjetër.

“Qeverisja e Komunës së Podujevës edhe në vitin 2020 kishte një suficit buxhetor afro dy milionë euro, që tregon paaftësinë qeverisëse në këtë komunë dhe mungesën e aftësisë për realizim të projekteve të parapara për vitin 2020. Kurse ne e dimë se sa të mëdha janë nevojat e qytetarëve në këtë Komunë. Pastaj kemi edhe një borxh të komunës në shumën afro 468 mijë euro të vitit 2020. Dështim në inkasim të të hyrave vetanake. Koncentrim të tenderëve në kompani të caktuara ku kanë marrë punë në këtë komunë shumicën e projekteve”, ka thënë Rafet Llpashtica.

Sipas tij, tash do të duhej ta kishin raportin financiar tremujor të këtij viti, për të parë qeverisjen e Vetëvendosjes.

“Por, me vendimin e fundit që ka marrë kryetari i komunës që të kthej në detyrën e zyrtarit kryesor të prokurimit, të cilin vetë e kanë paditur për korrupsion dhe ndikim në tenderë lë pak për të dëshiruar edhe nga kjo qeverisje që duket të jetë vetëm shartim i LDK-së e jo diçka tjetër edhe pse quhet LVV”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, ka thënë se raporti financiar tremujor përfundon më 31 mars dhe për këtë arsye nuk kanë mund ta përgatisin në javën e parë të prillit.

“Realisht kjo është seancë e marsit, por që po mbahet në fillim të prillit. Bartja e të hyrave do të bëhet në mbledhjen e radhës, sepse nuk kemi dashtë ta bëjmë me procedurë të përshpejtuar. Ndoshta me të drejtë u ngrit çështja e suficitit prej 1 milion e 900 e sa mijë euro, në anën tjetër janë mbi 400 mijë euro që janë borxhe të papaguara. Kjo ka ndodhur sepse kanë ardhur disa fatura pas datës kur mund të bëhen pagesat”, ka theksuar Osmani.

Buxheti total i alokuar në vitin 2020 në Komunën e Podujevës ka qenë 27 milionë e 400 mijë e 385 euro, ndërsa janë shpenzuar 24 milionë e 798 mijë e 321 euro ose 90,50 për qind.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco