Pandemia prek edhe auditimet

Pandemia prek edhe auditimet

14:01, 26/02/2021
Me qëllim të përmbushjes së planit vjetor të auditimit 2020/2021, 38 ekipe të auditimit kanë dalë në teren për të filluar me ekzekutimin e auditimeve të para, ku parashihet të kryhen 124 auditime. 116 auditime të rregullsisë (financiare dhe të pajtueshmërisë) përfshijnë: auditimin e buxhetit të Kosovës, 52 auditime të institucioneve të nivelit qendror, 38 të nivelit lokal, 12 ndërmarrje publike dhe 13 projekte të financuara nga fondet e jashtme. Krahas, auditimeve të rregullsisë, gjatë vitit 2021 do të publikohen edhe 8 auditime të performancës.
Megjithatë, realizimi i sezonit auditues është mjaft sfidues pasi që do të zhvillohet në rrethana të shtrirjes së pandemisë. Përderisa, Institucionet Supreme të Auditimit kanë mundësi që të hartojnë planet e tyre vjetore bazuar në rrezik, ZKA-ja është e obliguar të kryej në baza vjetore auditimin e detyrueshëm të rregullsisë së: Raportit të Qeverisë për Buxhetin e Kosovës; të gjitha organizatave buxhetore të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë pranuar një buxhet përmes Ligjit vjetor të Buxhetit dhe janë të obliguara të hartojnë Pasqyra Vjetore Financiare. Cikli i auditimeve të rregullsisë përmbyllet në fund të muajit gusht, kur Raporti Vjetor i Auditimit (RVA) për Raportin Financiar Vjetor të Buxhetit të Kosovës (RFV/BK) dorëzohet në Kuvendin e Kosovës.
Ndikimi i pandemisë është i dukshëm edhe gjatë këtij sezoni të auditimit, pasi që entitetet audituese janë duke punuar me staf të reduktuar. Për më tepër disa prej auditorëve janë prekur nga Covid-19 dhe janë detyruar të izolohen dhe t'i nënshtrohen trajtimit mjekësor. Përveç kësaj vitin e kaluar, ka pasur edhe ndryshime në strukturën e ministrive.
Një sfidë tjetër e rëndësishme gjatë këtij sezoni do të jetë zbatimi paralel i metodologjisë së re për auditime financiare dhe të pajtueshmërisë që është zhvilluar me përkrahjen e partnerit të projektit të binjakëzimit, ISA-në e Polonisë, si dhe sistemit elektronik për menaxhimin e auditimit – SITA.
Të dy këto projekte shumë domethënëse për ZKA-në janë duke u realizuar gjatë kësaj sezone të auditimit. Ndërsa, me qëllim të futjes në përdorim të tyre, janë mbajtur dhe po vazhdojnë të mbahen një numër i madh i trajnimeve për të gjithë stafin.
Zyra Kombëtare e Auditimit në shërbim të misionit të saj për fuqizimin e llogaridhënies në administratën publike, për çdo vit, përmes auditimeve financiare dhe të pajtueshmërisë bën vlerësimin për: Cilësinë e raportimit financiar; Efektivitetin e sistemeve të kontrollit të brendshëm; dhe Pajtueshmërinë e transaksioneve financiare me ligjet dhe rregulloret në fuqi. Ndërsa, përmes auditimeve të performancës vlerëson nëse fondet publike po shfrytëzohen në mënyrë efikase dhe efektive.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco