Banka Zhvillimore mund të nxitë uljen e normave të interesit, Fondi Sovran ambicioz

Banka Zhvillimore mund të nxitë uljen e normave të interesit, Fondi Sovran ambicioz

14:13, 03/02/2021 Nga Dardan Gashi

Partitë politike në Kosovë kanë prezantuar programin e tyre qeverisës, pak para zgjedhjeve të 14 shkurtit. I fundit nga këto parti që publikoi programin qeverisës ishte kandidati i i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti,

Kurti ka përmendur fushat që sipas tij do të jenë prioritet i qeverisjes 4-vjeçare.

Në mesin e tyre, gjendet edhe zhvillimi ekonomik, e sidomos kthimi në normalitet i ekonomisë kosovare.

Kurti premtoi mbështetje për bizneset në sektorin privat sidomos në qasje ndërkombetare. premtoi mbështetje për bizneset që promovojne ambientin dhe eficiencën e energjisë.

Për dallim nga partitë e tjera, Kurti foli shumë per ndihmën e grave në biznes. Premtoi bursa për rininë kosovare për qasje të menjëhershme në tregun e punës. Në programin e tij, Kurti nuk e harroi as mërgatën. Në mesin e zotimeve që pati, ishte edhe heqja e kartonit të gjelbër përgjithmonë.

Ai përmendi edhe sektorin e bujqësisë, ku u zotua në mbështetje gjatë gjithë kohës për bujqit.

Kandidati për kryeministër, premtoi edhe krijimin e Fondit Sovran e Bankën Zhvillimore për rritjen e investimeve.

Kujtojmë se Syri.net Kosova, ka trajtuar secilin program ekonomik të partive më të mëdha në vend.

Enver Hoxhaj ia huq keq, premtimi me kosto 200 milionë euro blof i kandidatit të PDK-së?

Ëndrra 6 miliardëshe e Avdullah Hotit shkel djathtizmin e LDK-së?

E kësaj here, radhën e kanë premtimet e kandidatit të VV-së për kryeministër, të cilat nga njohësit e fushës po shihen si pompoze, por të realizueshme në rast se ekziston vullneti politik.

Eksperti financiar, Florin Aliu për Syri.net Kosova, thotë se LVV ka bërë identifikim të duhur të disa prej problemeve, duke e vërejtur se një ndër problemet janë në sistemin financiar.

Aliu thotë se Banka zhvillimore si koncept tenton të bëjë presion në normat e interesit në sistemin bankar të Kosovës që të ulen ato.

 Sipas tij, suksesi i bankës zhvillimore varet edhe nga madhësia e saj, ku mund të luajë rolin e një banke qëndrore të munguar për Kosovën.

“Nëse madhësia e bankës zhvillimore është signifikante brenda industrisë bankare, atëherë mund të ndikojë që normat e interesit të ulën. Mirëpo duhet patur kujdes pasi nëse madhësia është shume e madhe që kjo mund arrihet ndër vite, mund të ndikojë në dinamiken totale të sistemit bankar. Bankat komerciale në Kosove duhet të kenë një sasi të konsiderushme të fitimeve për shkak se janë shumë të mëdha për të dështuar, dhe në rast të probleme intervenimi në sistemin bankar përmes buxhetit të shtetit mund të jetë i pamundshëm. Prandaj unë jam pro Bankës Zhvillimore mirepo me një analize të thellë mbi efektet e mundshme në sistemin bankar. Për më tepër, duhet të analizohet shume mirë struktura korproative e saj dhe qëllimi i saj (nëse do të ketë qellim fitimin apo nuk do te ketë qëllime fitimprurës).

Eksperti Aliu, sa i përket fondit sovran, vlerëson se ështe ide shumë e mire, pak a shumë është një xhirollogari bankare që mundëson transferimin e mjeteve nga njesitë ekonomike (kompanitë publike), që kanë performancë të mirë tek ato që kanë probleme.

“Mirëpo prapë këtu duhet të bëhet një analizë se cilat janë kompanitë publike që janë me fitime , qe aktualisht është shume e vështire të gjinden. Fondi sovran është një ide që përdoret shumë gjerësisht me resurse natyrore si Norvegjia, Kina, Vendet e Lindjes se Mesme. Unë mendojë që idet janë të mira, mirëpo duhen të i nënshtrohen një analize dhe diskutimi më të gjerë, që besoj mund të realizohet pasi VV të vije në pushtet.

 

Ndërsa, analisti Xhevdet Pozhari, për Syri.net Kosova thotë se zgjedhjet e 14 shkurtit me të drejtë po cilësohen si referendum nga VV, e cila pretendon që të fitojë shumicën absolute të ulëseve në parlamentin e Kosovës.

Kjo pasi, sipas tij, do t'i jepte fuqi edhe për realizimin e premtimeve elektorale ngaqë në të kaluarën jo rrallëherë jemi ballafaquar me situata kur partitë në koalicion pas qeverisjes, fajin për dështime e kanë hedhur tek tjetra, ndërsa, për sukseset kanë tentuar të paraqiten si pronare të vetme.

“ Nuk do mend se ne nuk jemi gjithaq shtet i varfër, sa jemi i vjedhur. Dhe, këtë më së miri e dëshmon pasuria e pushtetarëve dhe bizneset e tyre që jo rrallëherë është raportuar se kanë qenë të ndërlidhura ngushtë me tenderët qeveritarë. Asfalti ka qenë mbulesa më e përshtatshme për ngopjen e apetiteve të biznes-interesave të kamofluara nën petkun e pushtetarëve. Jo rastësisht sot Kosova renditet në mesin e 5 shteteve me nivelin më të lartë të korrupsionit, sipas tabelës së Transparency International dhe jo rastësisht ambasada e SHBA del me deklarim se korrupsioni mbetet pengesa kryesore për zhvillimin ekonomik të vendit”

Shikuar nga ky këndvështrim, sipas Pozharit, programi ekonomik i prezentuar nga Lëvizja Vetëvendosje prek të gjitha shtresat, por, në fokus kryesor e ka qytetarin, veçanërisht, ndërmarrësit e rinj të cilët janë kategoria më e goditur në këtë shtet i cili deri tani ishte në funksion të të pushtetshmit, e jo doemos të aftit.

“Lehtësirat që parashihen për bizneset që të kenë qasje në arenën ndërkombëtare tregon edhe gadishmërinë e Qeverisë së ardhshme për të betonuar bazën e këtyre bizneseve që ato të zhvillohen me parakushte të barabarta jo vetëm brenda vendit. Duhet theksuar se pritshmëritë e qytetarëve janë të larta dhe gjykuar nga programi i prezantuar, Lëvizja Vetëvendosje dëshmon se ka menduar edhe për hapat emergjentë që i duhen qytetarëve veçanërisht në këtë vit pandemie kur pos shëndetit u goditën edhe bizneset.

Ai vlerëson se aktivizimi i aseteve më të rëndësishme: rinisë dhe mërgatës, prioritetet që ky kapital i yni të pëkrahet me hapa konkret, dëshmon edhe seriozitetin dhe njëkohësisht ambicien e programit qeverisës.

Të mbërthyer në rripin e ekzistencës, si shoqëri as që kemi kërkuar përgjegjësi për mjedisin, degradimi i të cilit sipas shumë studimeve të publikuara ndikon drejtpërdrejtë edhe në shëndetin tonë. Ndërveprimi i prioriteteve nga njëra anë duke stimuluar bizneset në mbrojtje të ambientit dhe në anën tjetër duke e vënë si prioritet sektorin e shëndetësisë, japin shpresë se më në fund do të këputet zinxhiri i qeverisjeve të mbrapshta të deritanishme që kontaminuan jo vetëm mjedisin por edhe ambientin politik si dhe krijuan dallime të mëdha klasore, e ku numri më i lartë ishte i qytetarëve që do ta braktisnin vendin për një prespektivë më të mirë.

Për krijimin e Fondit Sovran dhe Bankës Zhvillimore për rritjen e investimeve, ai deklaron se  ka qenë një projekt i prezantuar edhe më parë, por, që nuk arriti të gjejë gjuhën e përbashkët me partnerin e koalicionit shkaku i orientimeve politike.

Ndonëse Kurti ka folur gjerë e gjatë për ndikimin e këtij fondi, kësaj radhe programi duket më i adaptuar dhe i përshtatur me domosdoshmërinë e kohës dhe rrethanave. E paqartë mbetet vetëm periudha kohore e realizimit të programit qeverisës në rast se Lëvizja Vetëvendosje do t'i fitojë zgjedhjet, si dhe bashkëpunimi me partitë e tjera në rastet kur duhet të amandamentohen ose votohen ligje për të cilat duhen edhe votat e partive tjera, në funkcion të realizimit të këtij programi ambicioz qeverisës.

Pozhari shpreson se dallimet politike nuk do të bëhen shkak për zvarritjen e realizimit të një programi që garanton mirëqenien e qytetarëve, veçanërisht kur bëhet fjalë për një parti që për herë të parë e ka rastin ta dëshmojë veten dhe ne t'i japim të drejtë vetvetes që të jemi optimistë se nuk do ta kemi një kryeministër që do të ankohet për pengesat, por, do të tregojë aftësinë për të tejkaluar me mençuri situatat, veçanërisht kur bëhet fjalë për interesin e përgjithshëm.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco