Pandemia shfryn balonat elektoralë në Kosovë

Pandemia shfryn balonat elektoralë në Kosovë

11:14, 29/12/2020 Nga Dardan Gashi

Pavarësisht se bota po kalon në një periudhë të rëndë me pandeminë, politikanët e Kosovës do të mundohen që t’ju 'lyejnë kokën me akull' kosovarëve. Si mundësi e kanë fushatën që tashmë ka nisur. Premtimet do të vazhdojnë të jenë milionëshe, punësime të panumërta e çka jo tjetër. Por, këtë herë partitë do të kursejnë për vete, pasi fushata do të fokusohet nëpër rrjete sociale. Krejt këto do të ndodhin kur bota ka siguruar vaksinën anti-COVID, e Kosova nuk është askund.

Subjektet politike në Kosovë janë duke u përgatitur për zgjedhjet e jashtëzakonshme që priten të mbahen në fillim të vitit 2021.

Siç ndodh zakonisht që nga paslufta, gjatë kësaj fushate zgjedhore qytetarëve të Kosovës pritet të iu jepen premtime të shumta nga kandidatë për kryeministër dhe kandidatë për deputet të subjekteve të ndryshme politike, pavarësisht situatës ekonomike, sociale të krijuar si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Ani se, buxheti për vitin 2021 pritet të jetë 2.4 miliardë euro ose 200 milionë euro më i ulët në krahasim me këtë të vitit aktual për shkak të pandemisë COVID-19, paqartësia rreth sigurimit të vaksinës anti-covid, për të cilën shtetet fqinje veqse kanë filluar ta aplikojnë, premtimet si rritja e pagave në sektorin publik, investimet milionëshe në asfalt nuk do të mungojnë, për më tepër pritet të jepen në formë të pazakontë, për faktin se fushata pritet të bëhet në shumicën e rasteve në formë virtuale (online), për shkak të rrethanave të Covid-19 të cilat nuk lejojnë tubime të qytetarëve.

Por për njohësit e kësaj fushe, ani se ekonomia kosovare është goditur rëndë nga pandemia, premtimet ku përmenden shifra të mëdha për punësime dhe rritje ekonomike nuk do të mungojnë, e të njejtat sipas njohësve të fushës virtuale ‘do të i ha pazari’, dhe do të kenë kosto më të ulët.

Analisti, Safet Gërxhaliu për Syri.net Kosova, thotë se në rend të parë duhet të kuptohet që politika në vete ngërthen një definicion interesant që ka të bëjë me një art të mashtrimit, i cili vjen në pah zakonisht në kampanja të ndryshme zgjedhore.

Sipas tij, kjo është dëshmuar në Kosovën e pasluftës, ku premtimet kanë qenë pompoze, por realizimi I tyre ka qenë diametralisht I kundërt, investimet kanë qenë më tepër atje ku ka pasur përfitime te grupet e caktuara të interesit, klane, parti politike sesa për shtet dhe qytetarë.

“Në këtë drejtim është e vërtetë që jemi në një periudhë kohore mjaft sfiduese, në rend të parë duhet të kuptohet që Kosova nuk e ka komoditetin, që pothujase , brenda një viti të ketë dy parë zgjedhje, në rend të dytë definitivisht efektet e pandemisë Covid-19 në aspektin ekonomik janë evidente edhe në vend, e treat është dimenzioni kohor që nuk dihet deri kur do të zgjatë kjo pandemi  dhe e tëra kjo do të ndikoj në mënyrë direkte ose indirekte në ngecjen e relaizimit të premtimeve, që do të bëhen eventualisht në kampanjën zgjedhore për këto zgjedhje”

Ai vlerëson se qytetarët e Kosovës, janë mësuar në këtë drejtim dhe e shohin fare mirë që orientimet janë shumë më tepër atje ku ka më tepër tenderë, por në këtë drejtim, beson që do të ketë tkurrje shkaku I pandemisë.

Gërxhaliu, tutje tha se ajo që duhet ta brengos qytetarin dhe ta analizoj para hedhjes së votes është, si është e mundur që të dilet në kampanja zgjedhore për vitin 2021 dhe e tëra kjo mbështet në faktin që në projeksionet buxhetore, për vitin 2021 ka tkurrje të të hyrave.

“Për vitin 2021 ka tkurrje të të hyrave. të orientuara në edukim, arsim, investime, ushtrinë dhe në qoftë se këto shtylla anashkalohen , a mund të ndërtohet kampanja vetëm me premtime sterile të orientuara në infrastrukturë dhe në asfalt.Prandaj do të jetë mjaft sfiduese por dua të besoj që qytetari është mësuar me premtime të kota dhe kjo do ta përcjellë Kosovën edhe në të ardhmen”

Ndërsa profesori Bashkim Nurboja, për Syri.net Kosova thotë se pandemia e ka dëmtuar ekonominë, si rezultat edhe të hyrat qeveritare.

Andaj, sipas tij investimet e shumta kapitale nuk mund të ndodhin, pa e rritur borxhin publik.

“Kosova ka hapsirë të rrit borxhin publik, por këtë duhet ta bëjë me një plan të mirëfilltë. Për rimëkembje ekonomike nevojitet politikë e veçant, që përfshinë sektorët e rëndësishëm dhe shtresat e ndjeshme të shoqërise. Politikat ekonomike duhet të orientohen në dy kahje, kërkesën dhe ofertën aggregate”

Analisti Xhevdet Pozhari, për Syri.net Kosova thotë se kësaj radhe asnjë fushatë nuk mund ta mbulojë fytyrën e vërtetë të atyre që qeverisën deri tani.

Ai vlerëson se në rrethanat aktuale, si shtet duhet të kemi tre prioritete: Mbrojtjen e shëndetit të popullatës dhe mirëqenien e tyre, ndërprerjen e hovit të krimit dhe korrupsionit, si dhe arsimimin cilësor të brezave të ri.

“Debati i fundit në Kuvendin e Kosovës dhe propozimit të buxhetit la të nënkuptojë se nëse vazhdohet me këtë mendësi të qeverisjes, do të kemi pasurim të grupeve të biznes interesave të lidhura ngushtë me pushtetin e tanishëm edhe në fatkeqësi globale, siç është pandemia Covid-19. Në një kohë kur një shtet i mirëfilltë do të duhej të kujdesej për qytetarët, mirëqenien e tyre dhe shëndetin duke siguruar vaksinat e duhura që tashmë shpërndahen në të gjitha shtetet evropiane, kjo qeveri në ikje planifikimet i ka të koncentruara në asfalt dhe ndërtime spitalesh, aty ku tenderët janë qindra milionësh.”

Ai shton se rimëkëmbja ekonomike e trumbetuar, del të jetë veç nëpërkëmbje e qytetarëve dhe forcim i mëtutjeshëm i interesave të grupeve të ngushta të interesit.

“Pastaj, nëse kjo qeveri do të shënonte ndonjë sukses në cilindo segment, as nuk do të mendoheshin dy herë që LDK ta kandidonte Avdullah Hotin si kandidat të ardhshëm për kryeministër. Por, ata e dinë më mirë se të gjithë të tjerët se qytetarëve ia ngarkuan barrën edhe ashtu të rënduar nga pandemia dhe sot përgatiten për një mashtrim të radhës ku shpresojnë se qëllimin do ta arrijnë me ndihmën e bizneseve që vazhdojnë të përfitojnë miliona edhe në kohë pandemie”

Sfiduese do të jetë edhe fushata zgjedhore e cila për here të parë duket se do të zhvillohet online.

Kjo  pas masave anticovid të cilat nuk lejojnë organizime e tubime të qytetarëve në këtë kohë pandemie.

Eksperti i rrjeteve sociale, Dardan Hasku, për Syri.net Kosova, thotë se ashtu siç ndodh me marketingun në përgjithësi, në çdo zgjedhje që ndodh, shpenzimet e partive dhe politikanëve në marketingun digjital po rriten gjithnjë e më shumë në krahasim me shpenzimet në marketingun tradicional.

“Këtë trend e shoh se do të jetë prezent më shumë se asnjëherë më parë në zgjedhjet e tashme në Kosovë për dy arsye – e para, është pandemia e cila do të kufizojë aktivitetet në terren dhe rrjedhimisht ai buxhet do të orientohet në online dhe e dyta është sepse zgjedhjet deri diku “i kanë zënë në befasi” partitë dhe rezultati deri diku është i qartë, andaj duke ditur se kosto e marketingut online është më e ulët se e formave tjera të marketingut, fokusi do të jetë pikërisht këtu.”

Ndërsa, nga llogaridhënia, Hasku vlerëson se nuk sheh ndonjë dallim për nga fushata me presence, vetëm se ndoshta do të ketë rritje të kujdesit.

Ndoshta do të ketë rritje të kujdesit, sepse në tubimet në salla janë prezent kryesisht vetëm simpatizantët dhe militantët e partive, ndërsa online ka qasje secili dhe mund t’i shohin postimet të gjithë qytetarët, rrjedhimisht kjo bën që politikanët të jenë shumë më të kujdesshëm me mesazhin që e përcjellin tek qytetarët.

 

Për njohësin tjetër  Dardan Gërbeshin, fushata online po del të jetë mundësi e mirë për politikanët.

Gërbeshi për Syri.net Kosova, thotë se kampanjat në rrjete sociale do të jenë mundësi e mirë për politikanët pasi targetohen miliona qytetarë, për dallim nga tubimet e zakonshme ku marrin pjesë një numër më I vogël I mbështetsve ose familjarë të tyre.

Rrjetet sociale, janë një det për politikanët në kohë fushate, targetojnë lokalitete të caktuara, mosha të caktuara, dhe njëherësh mund edhe të japin lloj lloj premtimi, pa pasur nevojë që të takohen fizikisht me votuesit potencial dhe kostoja do të jetë më e ulët.

Ndryshe,  Kosova do të mbajë zgjedhje të hershme per herë të dytë gjatë 18 muajve të fundit pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të publikuar pasditen e së hënës (21 dhjetor).

Vendimi thotë që mënyra sipas të cilës është formuar qeveria e koalicionit të udhëhequr nga Avdullah Hoti në qershor është jokushtetuese dhe që presidentja duhet të shpallë zgjedhje të reja. Këto zgjedhje duhet të mbahen brenda 40 ditëve pasi të shpallen.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco