Këto janë aktivitetet e Bankës Qendrore të realizuara këtë vit

Këto janë aktivitetet e Bankës Qendrore të realizuara këtë vit

16:21, 22/12/2020

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Fehmi Mehmeti në konferencën e fundvitit me gazetarë, ka thënë se me gjithë vështirësitë me të cilat është ballafaquar vendi, BQK-ja ka arritur edhe të zbatojë objektivat e saj, duke siguruar një sistem financiar të qëndrueshëm, i cili jo vetëm se arriti të përballojë zhvillimet e pafavorshme ekonomike në vend, por edhe u shndërrua në njërën ndër shtyllat kryesore të mbështetjes për bizneset dhe individët që hasën në vështirësi financiare për shkak të krizës pandemike.

Konform kushteve të reja, të cilat u krijuan, pas shfaqjes së pandemisë, BQK-ja u tregua proaktive duke reaguar shpejt me qëllim që të ruhet funksionimi normal dhe qëndrueshmëria e sistemit financiar dhe, në të njëjtën kohë, të vihet sistemi financiar në shërbim të ekonomisë.

Në këtë mënyrë sipas Guvernatorit Mehmeti, që në ditët e para të masave kufizuese BQK-ja aktivizoi Ekipin e Vazhdimësisë së Punës, i cili kishte për detyrë të monitorojë dhe të japë udhëzime që sigurojnë mbarëvajtjen e funksioneve të BQK-së dhe të sistemit financiar në përgjithësi.

Gjatë gjithë kohës u sigurua funksionimi i rregullt i sistemit të pagesave dhe furnizimit me para të gatshme në mbarë vendin, përfshirë këtu edhe zonat të cilat kanë qenë të izoluara për një periudhë më të gjatë kohore.

“Kontributi i sektorit bankar në mbështetje të ekonomisë ishte shumë i rëndësishëm edhe në aspektin e vazhdimit të kreditimit, përkundër ngritjes së nivelit të rreziqeve me të cilat u ballafaquan bankat. Gjatë periudhës janar - tetor 2020, vlera e kredive të reja të lëshuara nga sektori bankar ishte 1.2 miliardë euro, përderisa vlera e përgjithshme e kredive aktive në sektorin bankar në tetor 2020 ishte 3.2 miliardë euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 7 përqind. Aktualisht, edhe pas ndërmarrjes së gjithë këtyre masave jo shumë të zakonshme për një sektor bankar dhe me një ekonomi e cila gjendet në një fazë recesioni, sektori bankar i Kosovës vazhdon të ketë nivel të lartë të qëndrueshmërisë dhe është i gatshëm të ushtrojë rolin e tij kyç në procesin e rimëkëmbjes ekonomike. Pakoja e rimëkëmbjes ekonomike e sapo aprovuar nga Kuvendi i Kosovës parasheh një rol shumë të rëndësishëm për sektorin bankar. Një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj pakoje bazohet në skemat e garantimit të kredive dhe subvencionimit të normave të interesit, të cilat do ta lehtësojnë dhe përmirësojnë rrjedhën e financimit bankar drejt ekonomisë së vendit. Gjithsej mjetet e sektorit bankar kanë vazhduar trendin e rritjes edhe gjatë këtij viti, duke arritur vlerën prej 5.05 miliardë euro në tetor 2020, e cila paraqet një rritje vjetore prej 10.3 përqind. Sektori bankar vazhdon të gëzojë besim të lartë tek publiku, besim ky i shprehur edhe me rritjen e vazhdueshme të depozitave. Në muajin tetor 2020, vlera e përgjithshme e depozitave ishte rreth 4.1 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 8.7 përqind. Ritmi i rritjes së gjithsej depozitave diktohet kryesisht nga depozitat e ekonomive familjare, kategori që dominon strukturën e gjithsej depozitave në sektorin bankar me pjesëmarrje prej 67 përqind në totalin e depozitave, e të cilat në vitin 2020 shënuan rritje prej 7.3 përqind. Normat e interesit në kredi vazhduan trendin rënës, duke zbritur në 6.3 përqind nga 6.5 përqind sa ishin në periudhën e njëjtë të periudhës së kaluar, gjë që tregon për lehtësim të vazhdueshëm të qasjes në financim bankar”, deklaroi Guvernatori Mehmeti.

Ai bëri të ditur se norma e kredive joperformuese shënoi një rritje të lehtë prej vetëm 2.7 përqind në tetor 2020, në krahasim me vitin e kaluar kur ishte 2.2 përqind, por mbulueshmëria e kredive joperformuese me provizione për humbje nga kreditë mbetet në nivele të larta prej 140 përqind, që dëshmon për nivele adekuate të provizioneve në sektorin bankar.

Sektori bankar vazhdon të ketë tregues të lartë të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 16.9 përqind në tetor 2020, krahasuar me 16.5 përqind në vitin paraprak, i cili vazhdon të mbetet dukshëm mbi nivelin minimal rregullativ prej 12.0 përqind.

Me qëllim të mbajtjes së niveleve të shëndosha të kapitalit brenda sistemit bankar dhe për të mbështetur ekonominë e Kosovës nëpërmjet kreditimit, BQK-ja ka marrë vendim për të pezulluar shpërndarjen e dividentës nga ana e bankave për vitin 2019 dhe 2020.

“Përveç sektorit bankar, rol të rëndësishëm në financimin kreditor të ekonomisë së Kosovës kanë edhe institucionet mikrofinanciare dhe ato financiare jobankare, të cilat kryesisht fokusohen në ofrimin e mikrokredive. Vlera e përgjithshme e kredive të këtij sektori në tetor 2020 ishte 220 milionë euro që paraqet një rritje vjetore prej 1.4 përqind. Në sektorin e sigurimeve, deri në shtator 2020, u regjistrua një rënie e lehtë e aktivitetit. Primet e shkruara bruto deri në muajin shtator 2020 ishin 72.3 milionë euro, që paraqet një rënie prej 2.2 përqind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Dëmet e paguara nga sektori i sigurimeve gjatë kësaj periudhe shënuan vlerën prej 35 milionë euro, me një rritje të lehtë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur ishin 34.5 milionë euro. Gjithsej mjetet e sektorit të sigurimeve kanë vazhduar trendin e rritjes edhe gjatë këtij viti, duke arritur shumën prej 214.3 milionë euro në shtator 2020, me një rritje vjetore prej 9.3 përqind. Si rezultat i gjendjes së rënduar financiare dhe mos përmbushjes së kërkesave ligjore për kapital, si dhe në funksion të përmirësimit të gjendjes financiare, me qëllim të mbrojtjes së policëmbajtësve dhe sigurimit të stabilitetit financiar të sektorit, BQK-ja gjatë këtij viti ka marrë vendimin për vendosjen nën administrim të përkohshëm të siguruesit "Kosova e Re". Ky vendim është në vazhdën e një sërë masave të ndërmarra nga ana e BQK-së për rritjen e qëndrueshmërisë së sektorit të sigurimeve, me qëllim të sigurimit të një sektori stabil dhe në pajtueshmëri me kërkesat ligjore të BQK-së. Për sa i përket sektorit pensional, përkundër rënies së vlerës së investimeve në fillim të pandemisë, performanca e tregjeve financiare ndërkombëtare është përmirësuar vazhdimisht muajve të fundit dhe tashmë është rikuperuar vlera e rënies së vlerës së këtyre investimeve. Kthimi në investimet e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës deri në fund të muajit shtator 2020 ishte pozitiv me një normë prej 12.5 përqind”, tha Guvernatori Mehmeti.

Pakoja e rimëkëmbjes ekonomike parasheh injektimin e një shumë të konsiderueshme të parave në ekonomi (rreth 220 milionë euro) duke i mundësuar kontribuuesve pensional të tërheqin 10 përqind të kursimeve të tyre pensionale.

Sa i përket kësaj çështje, BQK-ja ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në realizimin operacional të këtij procesi duke iu mundësuar fondeve të dhënat e llogarive bankare të kontribuuesve pensionalë nëpërmjet Regjistrit të Llogarive Bankare me qëllim të kryerjes së validimit të llogarive të kontribuuesve, dhe eliminimit të gabimeve të mundshme në kryerjen e pagesës së 10 përqindëshit.

Gjatë vitit 2020, BQK-ja ka përmbushur sigurimin e një furnizimi kualitativ dhe kuantitativ të kartëmonedhave dhe monedhave euro për sektorin bankar me qëllim të shlyerjes së transaksioneve me para të gatshme të ekonomisë dhe qytetarëve.

Me qëllim të ballafaqimit në mënyrë sa më efektive me kushtet e krijuara, BQK-ja në vazhdimësi është koordinuar me të gjitha institucionet e Kosovës, institucionet financiare në Kosovë, odat ekonomike, si dhe institucionet financiare ndërkombëtare, duke mbajtur takime shumë të shpeshta për të siguruar ndërmarrjen e masave adekuate dhe në kohën e duhur kundrejt nevojave të ekonomisë.

Gjithashtu, BQK-ja që nga fillimi ishte pjesë e grupit ndërinstitucional për dizajnimin e masave emergjente për t’i dalë në ndihmë ekonomisë, dhe më pas edhe për të hartuar planin e rimëkëmbjes

ekonomike, i cili pak ditë më parë edhe u aprovua nga Kuvendi i Kosovës përmes kalimit të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomik.

Ai bëri të ditur se falë komunikimeve të BQK-së është arritur që të aprovohet RFI (Rapid Financing Instrument) nga FMN-ja në shumë prej 52 milionë euro për të mbuluar nevojat urgjente dhe të përkohshme të bilancit të pagesave si rezultat i pandemisë COVID -19.

Po ashtu, pas koordinimit me bankat qendrore të regjionit, Banka Qendrore Evropiane ka aprovuar kërkesën e BQK-së për të vendosur një linjë financimi repo në shumë prej 100 milionë euro. Kjo linjë e financimit i mundëson BQK-së të huazoj likuiditet në valutën euro nga Eurosistemi, për të adresuar nevojat e mundshme të likuiditetit për institucionet financiare në Kosovë në rast të mosfunksionimit të tregjeve për shkak të pandemisë COVID -19.

Duke parë se ekonomia e vendit po hynte në një krizë të theksuar, ku bizneset dhe qytetarët po ballafaqoheshin me vështirësi të mëdha financiare, BQK-ja duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe në bashkëveprim me institucionet kredidhënëse në Kosovë, ndërmori një varg masash për të ndihmuar ekonominë që të përballojë në mënyrë sa më të lehtë sfidat e kësaj krize.

“Këto masa fillimisht konsistuan në aplikimin e moratoriumit për pagesat e kredive pa asnjë masë ndëshkuese për të gjithë huamarrësit që janë ndikuar negativisht nga pandemia. Ky moratorium përkohësisht i ka liruar kredimarrësitë nga ngarkesa e pagesës së kredisë, duke e përmirësuar kështu pozitën e tyre të likuiditetit për financimin e nevojave të tjera. Pas përfundimit të periudhës së moratoriumit, BQK-ja ka publikuar udhëzuesin për ristrukturimin e kredive me qëllim të vendosjes së kritereve në të cilat duhet të bazohet procesi i ristrukturimit të kredive për huamarrësit që kanë hasur në vështirësi financiare si pasojë e pandemisë. Udhëzuesi për ristrukturimin e kredive ka bërë të mundur që t’iu lehtësohet barra kreditore kredimarrësve pa implikuar ndonjë përkeqësim të klasifikimit të tyre në regjistrin kreditor të Kosovës”, tha ndër të tjera Guvernatori Mehmeti duke shtuar se BQK-ja mbetet e përkushtuar që të vazhdojë aktivitetin e saj në shërbim të stabilitetit dhe zhvillimit të ekonomisë së vendit, duke krijuar kushtet për zhvillimin e një infrastrukture të qëndrueshme financiare, në linjë me zhvillimet bashkëkohore në këtë fushë, duke përfshirë edhe zhvillimin e segmenteve të reja të sistemit financiar siç është tregu i kapitalit, i cili kërkon një bashkëveprim të gjerë ndërinstitucional.

Gjithashtu, masat e ndërmarra nga BQK-ja u vlerësuan si shumë adekuate, si nga publiku vendor, ashtu edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare siç janë Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e Artikullit IV për Kosovën, Banka Botërore, raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2019 dhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve për vitin 2020 për Kosovën.

Angazhimi i BQK-së është vlerësuar edhe nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE) dhe Zyra e Komisionerit për Gjuhët, të cilët kanë ndarë çmimin “Praktika më e mirë në zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve” për vitin 2020 për BQK-në.

Në këtë konferencë, Guvernatori Mehmeti ndau çmimin “Ekonomist i Ri”, ku bazuar në vlerësimin e komisionit profesional për vlerësimin e këtyre punimeve, është shpallur fitues, Qendrim Shkodra me temën “Ekonomia e Kosovës në kohë Pandemie, ndikimet e COVID-19 në ekonominë vendore dhe ndërkombëtare”.

Sipas parashikimeve të BQK-së, ekonomia e Kosovës në vitin 2020 pritet të shënojë një rënie prej 7.2 përqind në terma real, e cila paraqet goditjen më të rëndë që ka pësuar ekonomia në këto 20 vite.

Ndikim të rëndësishëm në rënien e aktivitetit ekonomik në Kosovë kishin edhe masat e kufizimit të lëvizjes nga shtetet tjera, ku nga të dhënat e regjistruara deri në shtator 2020, shpenzimet e jorezidentëve në Kosovë, pjesa më e madhe e të cilave janë nga diaspora, ishin 470 milionë euro, e cila paraqet një rënie prej rreth 60 përqind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Por, diaspora ka vazhduar të ndihmojë ekonominë edhe në kohë pandemie.

Vlera e remitencave të pranuara deri në tetor 2020 ishte 796.5 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 12.9 përqind.

Për sa i përket investimeve të huaja direkte, vlera e tyre deri në shtator 2020 arriti në 250.6 milionë euro, në krahasim me vlerën prej 216.4 milionë euro të regjistruar deri në shtator 2019.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco