'Ndikimi negativ i korrupsionit në biznese, i njëjtë me atë të pandemisë COVID-19'

'Ndikimi negativ i korrupsionit në biznese, i njëjtë me atë të pandemisë COVID-19'

14:21, 09/12/2020

Në Ditën Ndërkombëtare për Luftimin e Korrupsionit, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, e mbështetur nga Programi i USAID për Drejtësi Komerciale, prezantoi Studimin mbi Perceptimin e Korrupsionit në vend, i cili ofron një pasqyrë mbi progresin e shënuar përgjatë viteve në luftën kundër kësaj dukurie.

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, theksoi se ky studim përveç se i shërben Odës Amerikane, u shërben edhe partnerëve institucional dhe joinstitucional si dokument udhërrëfyes sa i përket nivelit të perceptimit të korrupsionit brenda komunitetit të sektorit privat, por në të njëjtën kohë edhe nivelit të korrupsionit të ballafaquar nëpër institucione të ndryshme. Ai potencoi se këtë vit, ky studim sjellë edhe dy risi, siç janë përfshirja e vlerësimit të pandemisë COVID-19 në rritjen e korrupsionit, si dhe me fokus të veçantë trajton perceptimin dhe korrupsionin e ballafaquar edhe në marrëdhëniet ndër-biznesore brenda sektorit privat.

Tutje, ai u shpreh se gjyqësori është hallkë e rëndësishme në zinxhirin e luftës kundër korrupsionit, prandaj rritja e besimit në sistemin gjyqësor inkurajon bizneset për raportimin e rasteve të korrupsionit.

Ndërkaq, Vjosa Shkodra, zëvendësdrejtoreshë e Programit të USAID për Drejtësi Komerciale, theksoi se studimet e tilla shërbejnë si burim i rëndësishëm i informacionit. Ndërsa, duke u ndërlidhur me objektivat e projektit të Drejtësisë Komerciale, ajo tha se prioritet është zvogëlimi i mundësive për korrupsion si dhe parandalimi i korrupsionit, derisa theksoi se sa i përket mundësive të krijuara për bizneset, sundimi i mirëfilltë i ligjit në vend do të hapte rrugë për integrim të tregjeve edhe me shtetet evropiane, si dhe do të krijonte një klimë më të mirë ekonomike për të gjitha bizneset.

Tutje, ajo theksoi se themelimi i Gjykatës Komerciale mund të ndikojë pozitivisht në tërheqjen e investimeve të huaja, si dhe do të gjenerojë vende të reja të punës dhe do të rris besimin e qytetarëve dhe bizneseve në sistemin gjyqësor.

Bëhet e ditur se këtë vit për herë të parë anketa ka matur edhe perceptimin e korrupsionit brenda sektorit privat, pra për marrëdhëniet dhe transaksionet në mes të bizneseve, rezultatet nga e cila zbulojnë se rreth 70% e të anketuarve besojnë se ka korrupsion në sektorin privat. Rreth 30% prej tyre janë ballafaquar me korrupsionin, ndërsa 40% nuk kanë hasur në ndonjë formë të korrupsionit. Vlen të theksohet se ngjashëm me sektorin publik, ekziston një hendek në mes të korrupsionit të perceptuar dhe atij të ballafaquar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco