Bizneset me humbje miliardëshe, Odat kosovare 'patericë' e qeverisë

Bizneset me humbje miliardëshe, Odat kosovare 'patericë' e qeverisë

10:30, 13/11/2020 Nga D.G.

Shumë biznese parashikohen që të futen në kolaps dhe dhjetëra mijëra vende të punës do të mbyllën për shkak të pandemisë së koronavirusit në Kosovë.

Edhe parashikimet e Bankës Qëndrore dhe Institucioneve Financiare Ndërkombëtare, paralajmërojnë se në Kosovë pritet të ketë rënie ekonomike, më të madhen që nga paslufta.

“Ekonomia do të shënojë rënie 7.2%. Shkaktarët lidhet me masat  e ndërmarra që ndikuan negativisht në nivelin e investimeve. Një prej faktorëve që ka ndikuar në uljen e kërkesave agrare është rënia e vizitave nga diaspora”, tha gjatë ditës së djeshme Guvernatori I BQK-së Fehmi Mehmeti.

Por, pavarësisht kësaj, Qeveria edhe pse nuk ka miratuar ende Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, ka vendosur që nga dita e sotme të marrë masa të reja, në parandalimin e përhapjes së virusit korona.

Kjo ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha tek shumica e bizneseve, të cilave pavarësisht humbjeve, kanë mbetur pa aleat karshi Qeverisë.

Kjo pasi, përfaqësuesit e bizneseve (Odat Ekonomike, Shoqatat e bizneseve), që parashihen që të jenë krah i bizneseve kosovare, duket se kanë vendosur të ia bëjnë ‘argatin’ Qeverisë, duke heshtur karshi votimit të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike dhe masave të reja kufizuese për bizneset.

Këto organizata, përveç thirrjeve publike për ta votuar Ligjin në Kuvend, në Qeverinë Hoti nuk është se kanë ndërmarrë ndonjë iniciativë tjetër efektive, për t’u dal krah bizneseve të cilave humbjet e kanë kaluar vlerën miliardëshe.

Analisti Xhevdet Pozhari, për Syri.net Kosova, thotë se këto organizata me gjasë më mirë ndjehen në lëkurën e shërbyesit të një Qeverie, e cila tashmë për të satën herë më radhë ka dëshmuar se nuk e ka as kredibilitetin dhe as fuqinë për të proceduar tutje programet që janë në interes të qytetarëve.

Pozhari tutje thotë se nga veprimet e tyre, del se më e rëndësishme sesa gjendja faktike, është emri i përveçshëm, i cili e udhëheq Qeverinë.

“Me veprimet e tyre të fundit, ato së buti thënë përdorin standarde të dyfishta kur në fakt situata tani është edhe më e rënduar qoftë sa i përket pandemisë apo edhe aspektit ekonomik” thotë Pozhari.

Tutje, Pozhari thekson se në thelb edhe vetë themelimi i kësaj qeverie ishte krejtësisht në kundërshtim edhe me vullnetin e shprehur me votë, por, edhe me konceptin e prezantuar para votuesve.

“Në rrethanat e tanishme, kjo është veç një Qeveri e shperfytyruar e cila hallin e vetëm e ka se si të gjejë një fajtor për të mbuluar dështimet dhe skandalet e njëpasnjëshme, duke nisur nga vjedhja e thesarit, asgjësimin e dokumenteve të rëndësishme... etj. Përpjekja e mbijetesës së saj politike duke u thirrë në dialog dëshmon se kjo Qeveri nuk ka vesh për të dëgjuar hallet e qytetarëve, nuk ka kokë për të gjetur zgjjdhje dhe as zë për t'iu dhënë përgjigje” shton ai.

Ndërsa, profesori i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për Syri.net Kosova thotë se organizatat në mbrojte të bizesneve duhet ta kenë të qartë që janë përfaqësues të bizneseve deri në atë moment kur mbrojnë interesin e biznesit, përndryshe mund të ekzistojnë formalisht, por, nuk do të thotë që do përfaqsojn bizneset ne realitet.

Sipas tij, është e papranueshme që përfaqësuesit e biznesve të bëjnë ‘temena’ kryemistrit aktual duke humbur edhe sensin e të ekzistuarit si përfaqësues të bizneseve.

Ai thekson se me akumulimin e pakënaqësive, si tek bizneset dhe qytetari, tani e tutje ata do e marrin fatin e tyre në duart e tyre, sepse, më nuk besojnë si në qeveri, por, as në përfaqësusesit e tyre.

Duke marr parasysh gjendjen e palakmusheme ekonomike në vend, si rezultat i pandemisë, bizneset po e kalojnë vitin më të vështirë ekonomik, për shkak të aktivitetit të dobët ekonomik dhe më e rënda që perkrahja nga qeveria është shumë e zbehtë, mos me thënë fare, e them këtë duke marr parasysh kontributin e bizneseve 20 vitet e fundit në arkën e shtetit.

Më e rënda sipas tij, është fakti që dështimin e vet, qeveria ia ngarkon bizenseve për faktin që dështoi me ligjin anti-Covid duke bërë që numri i të infektuarve vetëm është rritur edhe më shumë që nga zbatimi i ligjit, derisa gjobat ndaj biznesve dhe qytetarëve kanë arritur në shifra mbi 2 milionë euro.

 “Dështimi tjetër i radhës dhe që kjo Qeveri nuk ka më arsye të rri në pushtet është ligii i rimëkëmbjes ekonomike me deshtime të njëpasnjëshme, ku krejt këto dështime ia ngarkon bizneseve duke tentuar që përmes masave gjojase në emër të mbrojtjes nga pandemia tenton që të bllokon tërë aktivitetin ekonomik.

Si përfundim, Kadriaj vlerëson se kjo sjellje e qeverisë dhe e përfaqësusve të bizneneve do e provokojë një revoltë gjithë popullore, pasi bizneset dhe qytetari nuk e kanë më të voglën arsye për mirëkuptim ndaj qeverisë.

Se përfaqësuesit e bizneseve kanë heshtur karshi qeverisë, e thotë edhe analisti Rron Gjinovci.

Ai përmes një shkrimi në Facebook, ka kritikuar përfaqësuesit e bizneseve për qasjen e tyre karshi qeverive të ndryshme në vend.

“N'kohë të Albinit flakë qitke kundër Qeverisë, tash po i qorton bizneset” shkroi ai në Facebook, pas kërkesës së OEK që bizneset të I respektojnë vendimet e Qeverisë pasi të njejtat mund të gjobiten.

Ndryshe, Masat e reja anti-covid të vendosura nga Qeveria e Kosovës, e të cilat në shumë komuna kufizojnë lëvizjen e lirisë nga ora 19:00 e deri në ora 05:00 të mëngjesit, po kundërshtohen nga bizneset dhe qytetarët.

Për këtë arsye, “Zëri i Popullit” ka paralajmëruar një protestë, në shenjë pakënaqësie me masat e fundit të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës.

Por, kjo protestë, nuk ka marrë përkrahje nga asnjë organizatë/shoqatë e bizneseve.

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco