Tërheqja e 10% të kursimeve pensionale është shumë problematike

Tërheqja e 10% të kursimeve pensionale është shumë problematike

09:42, 05/11/2020

Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” (IPS-MK) ka publikuar numrin e tretë të “Monitoruesit Social e Demokratik” lidhur me menaxhimin e pandemisë Covid-19 nga institucionet shtetërore dhe publike të Republikës së Kosovës.

Në bazë të monitorimit të vendimeve dhe masave institucionale të ndërmarra nga 1 gushti deri 31 shtator 2020, IPS-MK vlerëson se se masa për tërheqjen e 10% të kursimeve pensionale është shumë problematike për nga aspekti social.

Tërheqja e 10% të kursimeve pensionale është masë e kulluar ekonomike që rrit kërkesën agregate, por nuk ofron ndihmën thelbësore për shumicën e qytetarëve të Kosovës. Përderisa 155 milionë euro (72.14% e vlerës së gjithmbarshme) u takojnë kategorive më të pasura të kontribuesve (19.94% të të gjithë kontribuesve), afërsisht 60 milion (27.86% të vlerës së përgjithshme) do t’u shpërndahen 3 kategorive me kursime më të pakta që përbëjnë 80.06% të të gjitha llogarive. Përpos që paraqet një pasqyrë të trishtë të pabarazisë sociale, kjo është shenjues i rëndësishëm edhe ekonomik. Sepse gjasat janë shumë të mëdha që shtresat me më pak të hyra ta orientojnë konsumin e tyre kah artikujt bazë, kryesisht ushqimor, të cilët mund të llogarisim që do t’i shpenzojnë paratë e tyre (60 million) në ekonominë vendore, përderisa pjesa tjetër prej 155 milionëve ka rrezik të dalë jashtë vendit, duke u orientuar në artikuj dhe shërbime më luksoze.

Po ashtu, Qeveria duhet të sigurohet që fondet për bizneset e Kosovës, të cilat do të përdoren për t'i subvencionuar pagat e punëtorëve në shumën prej 289 euro, të përdoren edhe për fuqizimin e pozitës së punëtorëve. Masat e deritashme të qeverisë (pakoja e rimëkëmbjes, tërheqja e kursimeve pensionale, etj.) janë të përqendruara te lehtësirat për bizneset dhe krijimin e mundësive shtesë financiare për të punësuarit. Përpos që ky përqendrim i vendimmarrjes te punëdhënësit krijon mundësi keqpërdorimi të fondeve publike, ai anashkalon shtresat sociale e të papunët të cilët goditen shumë më rëndë nga kriza krahasuar me cilëndo shtresë shoqërore.

Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” denoncon mungesën e transparencës nga Qeveria e Republikës së Kosovës në lidhje me ndihmën qeveritare që është ofruar për komunitetet joshumicë përgjatë pandemisë Covid-19. Megjithë përpjekjet IPS-MK, organet përgjegjëse të Qeverisë nuk kanë dhënë informacione lidhur me shpërndarjen e mjeteve financiare publike dhe përkujdesjen shëndetësore për këto komunitete. Kjo mostransparencë e organeve të Qeverisë së Kosovës paraqet shkelje e të drejtave të qytetarëve për të pasur informacionin në lidhje me çështjet e interesit publik, si e drejtë që buron nga garancitë kushtetuese dhe ligjore, nga të drejtat ndërkombëtare dhe vendore për qasje në dokumente publike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco