Hetimi parlamentar mund të trondisë politikën e fshehur pas privatizimeve qindra milionëshe

Hetimi parlamentar mund të trondisë politikën e fshehur pas privatizimeve qindra milionëshe

13:57, 28/10/2020 Nga Dardan Gashi

Njëri ndër proceset më të errëta të ekonomisë kosovare, ai i privatizimit në Kosovë, i cili ka nisur 17 vite më parë, së fundmi po hetohet në një Komision Hetimor Parlamentar.

Anëtarët e këtij komisioni kanë arritur të vënë në pah se ekzistojnë indikacione që ky proces është përcjellur me parregullsi të shumta.

Dyshimet më të mëdha të privatizimit janë në kohën kur pronat shoqërore u shiten nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit –AKM (2002 -2008).

Nga procesi i privatizimit janë shitur mbi 2000 asete me një vlerë prej mbi 750 milionë euro. Këto ndërmarrje u privatizuan në mbi 100 valët e privatizimit të zhvilluara deri më tani.

Për privatizimin e këtyre aseteve, Komisioni Parlamentar Hetimor ka ftuar 21 dëshmitarë, përgjegjës të procesit të privatizimit.

Kryesuesi i këtij komisioni, Hajrullah Çeku, për Syri.net Kosova, thotë se fokusi i këtij komisioni është në parregullsitë që e kanë shoqëruar procesin dhe ndërhyrjet e grupeve të interest.

“Komisioni po e heton gjithë procesin e privatizimit në Kosovë, nga fillimi deri sot. Në mënyre të veçantë, fokusi është në parregullsitë që e kanë shoqëruar procesin dhe ndërhyrjet e grupeve të interesit. Komisioni po bënë grumbullimin e dëshmive duke siguruar dokumente nga institucionet, intervistuar dëshmitarë dhe analizuar veprimet e AKM, APK dhe autoriteteve të tjera përgjegjëse. Në fund, Komisioni do të hartojë raportin me të gjetura dhe rekomandime.

Çeku thekson se në periudhën e ardhshme të punës së komisionit, pres që të ndriçohen edhe shumë aspekte të panjohura të procesit të privatizimit.

Jemi në fazën e grumbullimit të dëshmive, ndërsa më pastaj do të kalojmë në fazën e shqyrtimit të dëshmive. Mbledhjet e komisionit dhe seancat e intervistimit të dëshmitarëve janë publike. Deri tani një numër çështjesh kanë dalur në publik dhe janë raportuar në media. Në periudhën e ardhshme të punës së komisionit pres që të ndriçohen edhe shumë aspekte të panjohura të procesit të privatizimit.

 

Deputeti,  po ashtu ka folur lidhur me evidentimin e përfituesëve më të mëdhenjë nga ky proces.

“Lista e privatizuesve të ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tjera është publike. Detyra jonë është që të thellojmë hetimet në dy drejtime, e para lidhet me rregullsinë e privatizimeve dhe e dyta me zbulimin e lidhjeve eventuale mes këtyre personave dhe njerëzve të politikës.

Çeku shtoi se detajet e keqpërdorimeve eventuale nga njerëzit e politikës, biznesit ose grupeve të tjera të interesit, do të shpalosen në fazat e mëvonshme dhe në raportin përfundimtar të komisionit.  

“Komisioni është duke punuar për të zbuluar ndërhyrjet e politikanëve në procesin e privatizmit për të siguruar përfitime në mënyrë të paligjshme. Detajet e keqpërdorimeve eventuale nga njerëzit e politikës, biznesit ose grupeve të tjera të interesit do të shpalosen në fazat e mëvonshme dhe në raportin përfundimtar të komisionit”

Lidhur me pritshmërit nga ky proces, Syri.net Kosova, ka  folur edhe me profesorin Bashkim Nurboja.

Nurboja, për Syri.net Kosova, thotë se në asnjë mënyrë nuk mendon që do të mund të zbulohen të gjitha “dallaveret”.

Kjo pasi, sipas tij, ka shumë raste që i fituesi i parë i një aseti është tërheqë që t’ia lëshojë rrugën të dytit, me dallim të lartë në çmim, kjo ka qenë një indikacion që mund të ketë bashkëpunim në mes palëve

“Procesi i hetimi në përgjithësi duhet vlerësuar, se popullit po ju rikujtohen disa gjëra që i kanë ditur. Në të njëjtën kohë, po dalin edhe fakte të reja të cilat duhet të jenë nxitje për organet e shtetit për hetime. Në asnjë mënyrë nuk mendoj që do të mund të zbulohen të gjitha “dallaveret”, sepse vetë struktura dhe procedurat e agjensionit kanë qenë të tilla, që i kanë legjitimuar veprimet që janë në kundërshtim me parimet e konkurrencës.”

Tutje, Nurboja, thotë se përfituesit më të mëdhenj të këtij procesi kanë qenë ata të cilët kanë pasur qasje në kapital, sepse, me kapital të mjaftueshëm e kanë fituar të drejtën të luajnë.

“Familjarët me të ardhura mesatare edhe pse e kanë vlerësuar një aset që ka qenë në shitje nuk kanë mundur të hyn në lojë për shkak të mungesës së kapitalit. Në rast se organizimi i privatizimit do të ishte në shitje të pjesëtueshme (aksione), atëherë edhe familjet me të ardhura mesatare do kishin pasur mundësi të investonin. Kështu si përfitues nga ky proces janë vetëm personat që kanë poseduar kapital”

 

Profesori thekson se procesi i privatizimit ishte dashur ta ketë për qëllim nxitjen e zhvillimit ekonomik, me fokus të prodhimit dhe rritjen e punësimit.

Sipas tij, nëse e shikojmë rast për rast, natyrisht që mundemi të gjejmë raste të suksesshme, por, në përgjithësi ky proces nuk mundet të shquhet si i suksesshëm.

“Shumë ndërmarrje që janë privatizuar kanë lanë probleme të natyrave të ndryshme edhe për pronaret privat: kemi raste ku pronat janë privatizuara deri sa kanë qenë të okupuara nga personat tjerë. Efekti për të tërhequr investime të huaja ka qenë minimal për shkaqe që nuk lidhen vetë me procesin e privatizimit”

Profesori, tutje thotë se pasuria shoqërore është dashtë të menaxhohet me kujdes më ta madh, dhe, sipas tij një pjesë ka mundur të privatizohet, një pjesë ka mundur të jepet për sektorë të veçantë për interes nacional dhe një pjesë kanë mundur të bëhen me pronar të përzier publik-privat.

Nurboja, shton se privatizimi si proces ka prodhuar shumë pabarazi në shoqëri.

Kjo për shkak se, ata që nuk kanë pasur kapital të mjaftueshëm. nuk arritën as të marrin pjesë.

“Kjo pabarazi do të vështirësoi nxitjen ekonomike, sepse asnjë shoqëri nuk mund të zhvillohet pa rritjen e klasës së mesme

“Megjithëse procesit të privatizimit i ka ardhur fundi, është e rëndësishme që publiku të dinë  të vërtetën dhe njerëzit që e kanë deformuar këtë proces duke e keqpërdorur duhet të ballafaqohen me ligj. Kjo kishte me dëshmuar forcën e ligjit për proceset e ardhshme të vendit tonë.

Ai vlerëson se këto fonde është dashur të përdoren për investime kapitale të natyrës që i shërbejnë të gjithë popullit, për shembull, investim në bllokun e ri të energjisë apo investim në rritjen e prodhimit të Trepçës etj.

Ndryshe, ndërvite, procesi i privatizimit u kritikua në masë të madhe, duke u përmendur emra të mëdhenjë të politikës të përfshirë në këtë proces.

Kujtojmë se Komisioni Parlamentar Hetimor për Procesin e Privatizimit do të funksionojë në një periudhë gjashtëmujore.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Komentet

Shto koment

Denonco