Xhepa kritikon projekt-buxhetin: Borxhi do rritet me 1 miliard euro

Xhepa kritikon projekt-buxhetin: Borxhi do rritet me 1 miliard euro

19:31, 22/10/2020

Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa ishte i ftuari i mbrëmjes i Juli Krisafit në SYRI TV.

Ai komentoi fillimisht raportin e publikuar sot nga Banka Botërore për situatën ekonomike në vend.

“Shqipëria është konsideruar si ekonomia që do të ketë goditjen më të fortë në rajonin tonë. Nga kjo pikëpamja, kjo është një goditje negative, që i ka vendosur të gjithë parametrat ekonomikë në vështirësi serioze. Ka njëfarë luhatje mes parashikimeve të institucioneve ndërkombëtare, megjithatë pritet që të jetë një goditje e fortë. Gropa që është krijuar është serioze. Ky nivel i krizës nuk është ndeshur ndoshta që nga viti 1997,” tha Xhepa.

Më pas ai komentoi edhe projekt-buxhetin, duke rezervuar kritika të forta. Sipas tij, Shqipëria nuk duhet të ndjekë rrugën e Greqisë për borxhet, pasi edhe periudha e rikuperimit mund të jetë me vite.

“Në përgjithësi vendet e botës i kanë shkelur parimet e qeverisjes së shëndoshë vetëm në emër të luftës ndaj pandemisë, çka do të thotë se rritja e borxhit mund të jetë e justifikuar në kontekstin e masave të forta që qeveria mund të marrë për të mbrojtur shëndetin publik dhe për të mbajtur ekonominë në tërësi me oksigjen.

Ndërkohë që nëse lexojmë buxhetin e vitit tjetër, jo vetëm që ruan të njëjtin nivel investimesh në shëndetin publik si vitet e tjera, por njëkohësisht edhe në aspektet e tjera e konsideron rivazhdimin e disa megaprojekteve që janë të pajustifikuara. Do të thotë se borxhi do të thellohet. Borxhi, i regjistruar gjithmonë, pritet të rritet me 1 miliard euro më shumë,” tha Xhepa.

I pyetur se përse ekonomia shqiptare po tkurret më shumë se ekonomitë e tjera, ai tha: “Ne do të tkurremi më shumë për shkak se 20 përqind e PBB vjen nga sektori i turizmit. Për shkak të mbylljes globale nga pandemia, ky është argumenti që përdoret për uljen ekonomike në Shqipëri”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco