Skandali i thesarit, zbardhen fakte të reja, ja ku përfunduan mbi 2 milionë euro

Skandali i thesarit, zbardhen fakte të reja, ja ku përfunduan mbi 2 milionë euro

12:42, 22/10/2020 Nga D.G.

Mbi 2 milionë euro të Thesarit të Shtetit, janë zhdukur gjatë këtij muaji.

Për këtë skandal është arrestuar një punëtor i Thesarit të Kosovës, Labinot Gruda, i cili ka punuar qe 11 vite në këtë vend.

Kjo shumë e parave, u tha se u trasferua përmes katër transaksioneve të ndryshme nga Zyra e Thesarit.

Kështu deklaroi në një konferencë për media nga ministrja e Financave Hykmete Bajrami, e cila poashtu tha se këto llogari janë bllokuar.

Por, rrjedha e ngjarjes po del të jetë më ndryshe nga ajo që raportoi ministrja.

Syri.net Kosova, nga burime të saj brenda Bankës Qëndrore të Kosovës, ka mësuar një anë tjetër të ngjarjes.

Sipas burimit, nga Zyra e Thesarit ka ndodhur vetëm një transaksion, në njërën nga bankat komerciale në Kosovë, nga e cila shuma prej 2.1 milionë eurove është shpërndarë pastaj në katër llogari të ndryshme jashtë Kosovës.

Burimi për Syri.net Kosova, thotë se pavarësisht se njëherë u tha se këto mjete janë të bllokuara nga ana e BQK-së, një gjë e tillë është e pamundur.

Kjo pasi, pagesat që bëhen nga Zyra e Thesarit brenda Ministrisë së Financave, nuk kalojnë për verifikim apo procesim në BQK, por vetëm raportohen pas ekzekutimit.

Burimi thekson se përveç ekzekutimit të pagave të sektorit publik, ku BQK bënë shpërndarjen e mjeteve nëpër bankat komerciale, pagesat tjera nuk e kërkojnë konfirmimin e BQK-së.

Ndryshe, ministrja Bajrami ka thënë se më të kuptuar rastin, e kanë raportuar atë dhe se tashmë është duke u zhvilluar një proces i gjithanshëm.

“Me të kuptuar kemi raportuar rastin dhe departamenti për krimet ekonomike po merren me hetim të brendshëm”, ka thënë Bajrami

Ministrja ka theksuar se tashmë po interesohen të gjejnë se kush është përfituesi përfundimtar i të hollave.

“Deri më tani janë suspenduar 2 zyrtarë, njëri nga ta është arrestuar nga Policia e Kosovës. Ne tanimë kemi gjurmuar, ky është transaksion bankar. Institucionet e rendit janë duke u marrë, duke parë se kush janë përfituesit fundor”, ka theksuar ajo.

Bajrami ka thënë se “Institucionet e rendit po bëjnë përpjekje maksimale që këto mjete t’i kthehen buxhetit të Kosovës”.

Ajo në fund ka shtuar se insitucionet e kanë gjurmuar rastin.

“Është rast i izoluar. Gjithçka po gjurmohet sepse është trasnaksion bankar”, ka thënë në fund.

Kujtojmë se pas avullimit të dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit, Partia Demokratike e Kosovës, ka kërkuar dorëheqjen e Bajramit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco