OEA: COVID-19 po ndikon në rritjen e përgjegjësisë së bizneseve ndaj shoqërisë

OEA: COVID-19 po ndikon në rritjen e përgjegjësisë së bizneseve ndaj shoqërisë

14:54, 16/10/2020

Rëndësia e përgjegjësisë sociale korporative (CSR) është shtuar sidomos pas periudhës së shpërthimit të pandemisë COVID-19, e cila ka theksuar nevojën për veprime të përgjegjshme, ndërsa një numër i madh i kompanive në vend kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme për ta zbutur ndikimin e pandemisë te shoqëria.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi sot një konferencë me një panel ekspertësh në këtë fushë, gjatë së cilës u diskutuan fazat dhe parimet e CSR-së, si dhe trendët globalë për t'u ndjekur në zhvillimin e mëtejmë të kësaj praktike.

Ariel Shaban, kryesues i Komitetit të Përgjegjësisë Sociale Korporative të Odës Amerikane dhe drejtor për zhvillim të biznesit & menaxher i kualitetit në KIVO, i cili ishte edhe moderator i kësaj konference, theksoi nevojën për fuqizimin e CRS-së brenda kompanive, duke marrë parasysh ndikimin pozitiv që ka mbi shoqëri, derisa shtoi se gjatë kohës së pandemisë korporatat u kanë qëndruar afër qytetarëve përmes veprimtarive të përgjegjësisë sociale që kanë.
Wayne Visser, kryesues i organizatës “Sustainable Transformation” dhe profesor në shkollën e menaxhmentit të Antwerpit, njoftoi pjesëmarrësit me pesë fazat e përgjegjësisë sociale të korporatave, nëpër të cilat kalojnë ndërmarrjet, që janë mbrojtëse, të bamirësisë, promocionale, strategjike dhe transformative.

Sipas Visserit, gjatë zhvillimit dhe avancimit të korporatave ana e përgjegjësisë sociale duhet të transformohet njëkohësisht, duke u përshtatur me klientët dhe nevojat e tregut në shërbim të së mirës së shoqërisë, derisa shtoi se është e rëndësishme që secila ndërmarrje që e ka të avancuar departamentin e CSR-së t’i koordinojë veprimtaritë e veta në bazë të fushës ku ajo vepron.

Ai po ashtu theks të veçantë i dha nevojës për rritjen e vetëdijes ndaj CSR-së, derisa shtoi se gjendja e pazakontë e krijuar nga pandemia ka sjellë një ndryshim të madh në kërkesat dhe thirrjet për ndihmë nga shoqëria civile drejt korporatave.

Për fund, Visseri shtoi se edhe pse pandemia ka çrregulluar rrënjësisht ekonominë dhe rrjedhimisht të hyrat e korporatave, çdo vepër që i shërben të mirës kolektive, qoftë ajo në mbrojtjen e ambientit, përmirësimin e cilësisë e ushqimit ose donacioneve, bën pjesë në CSR.

Ndërkaq Indira Kartallozi, drejtoreshë ekzekutive e “Sustainability Leadership Kosova”, u shpreh mjaft e kënaqur për gatishmërinë e korporatave për të qenë më aktive në shërbim të shoqërisë, gjersa potencoi se trendët e përgjegjësisë sociale tashmë kanë filluar të kalojnë nëpër ndryshime të mëdha të imponuara nga pandemia COVID-19, si dhe nga kërcënimet e tjera që i kanosen njerëzimit siç është ngrohja globale.

Sipas saj, një shtysë tjetër drejt implementimit të ndryshimeve mbi këtë fushë janë politikat e huaja, si dhe presioni i ushtruar mbi kompanitë më me ndikim.

Ajo mori shembull disa biznese kosovare, të cilat veprimtaritë e tyre i kanë reformuar për t’u përshtatur me nevojat e tregut pas shpërthimit të pandemisë, aktivitete të cilat sipas saj klasifikohen si përmbushje e përgjegjësisë sociale korporative.

Tutje, Kartallozi shtoi se një trend pozitiv i rritjes së përgjegjësisë sociale po vërehet tek bizneset startup të vendeve në zhvillim, të cilat po përdorin inovacionin për t’i shërbyer zhvillimit ekonomik të vendit, si dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve.

Antigona Limani, kryesuese e marketingut dhe Departamentit për Marrëdhënie me Publikun në “Raiffeisen Bank”, tha se kompania që ajo përfaqëson gjendet në fazën strategjike të përgjegjësisë sociale korporative.

Sipas saj, kjo bankë synon të mbështesë ndërmarrjet të cilat kanë ndikim pozitiv në ekonomi dhe ambient, derisa ky parim fillimisht ka krijuar mjaft sfida, ndërsa tani standardet e bankës për përgjegjësi sociale u imponohen edhe bizneseve me të cilat bashkëpunojnë.

Limani theksoi se periudha e pandemisë ka shkaktuar ndryshime në mënyrën sesi sektori bankar në përgjithësi i shfrytëzon fondet dhe të njëjtat do të alokohen dhe investohen në ato industri që i shërbejnë mirëqenies publike, duke përmbushur kështu parimin kryesor të CSR-së. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco