Pandemia zvogëlon numrin e kërkesave për kredi

Pandemia zvogëlon numrin e kërkesave për kredi

10:31, 16/10/2020

Kreditë nuk iu shkuan mirë kosovarëve këtë vit. Shkaku i pandemisë Covid-19,  edhe ekonomia kosovare sikurse ajo botërore ka pësuar një goditje të rëndë.  Rrjedhimisht bizneset kanë hezituar që të marrin kredi për investime dhe zgjerim të kapaciteteve të tyre.

Njëjtë ka ndodhur edhe me ekonomitë familjare.

Zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti, tha se kreditimi në fillim të pranverës ka pësuar rënie, e që më vonë është pasuar me një rritje të ngadalësuar.

“Kreditimi në fillim të stinës së pranverës, ka pasur rënie dhe më vonë ka vazhduar me një rritje të lehtë që ka qenë më e ngadalësuar se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në muajt qershor-gusht 2020 ka një rritje të rëndësishme të kreditimit, por një pjesë e këtyre kredive janë kredi të riprogramuara. Megjithatë, stoku i kredive nga muaji mars 2020 deri më gusht 2020 është rritur për 63 milionë dhe në fund të gushtit 2020 ka arritur vlerën prej 3.15 miliardë euro Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ky stok është rritur për 114 milionë euro”, theksoi Ahmeti për IO.

Ngecje shumë më të madhe në kreditim ka ndodhur tek ekonomitë familjare se sa tek bizneset.

Nga 63 milionë sa ka qenë rritja e stokut, 43 milionë janë rritje e kreditimit nga Bizneset, derisa 19 milionë janë rritje nga ekonomitë familjare, pjesa tjetër është nga sektorët tjerë si nga OJQ-të.

Në anën tjetër  qytetarëve  nga 16 marsi e deri më 30 prill iu është mundësuar pezullimi i kësteve të kredive, vendimi ky i Qeverisë së Kosovës.

Përveç kësaj BQK-ja gjatë kësaj kohe saktësisht më 8 qershor ka miratuar udhëzuesin për ristrukturim të kredive për shkak të pandemisë.

Qëllimi i këtij udhëzuesi është që t’u ofrojë kredimarrësve, kredidhënësve dhe institucioneve tjera, informacion lidhur me parimet dhe udhëzimet që kanë të bëjnë me procesin e ristrukturimit të kredive.

 “Kreditë për ristrukturim duhet të bëhen dhe pranohen prej datës së hyrjes në fuqi të këtij udhëzuesi deri më 31 gusht 2020”. Bordi Ekzekutiv ka amandamentuar këtë nen me kërkesën e Institucioneve Kredidhënëse që afati të shtyhet deri më 30 Shtator 2020. Përfundimisht, ju lutem të jeni të njoftuar se BQK-ja brenda mandati të saj ligjor as nuk pranon dhe as nuk aprovon kërkesa për ristrukturim. Ashtu siç është e theksuar në Udhëzimin në fjalë, kërkesat për ristrukturim bëhen në institucionet kredidhënëse dhe janë subjekt i shqyrtimit dhe aprovimit nga ana e këtyre institucioneve. Rrjedhimisht pyetjet lidhur me kërkesat për ristrukturim, si dhe kushtet e ristrukturimit duhet të kërkohen nga institucionet kredidhënëse”, tha Ahmeti

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco