Biznesi kosovar detyrohet të ndërmjetësojë mes qeverisë e opozitës për zhbllokimin e Pakos së Rimëkëmbjes

Biznesi kosovar detyrohet të ndërmjetësojë mes qeverisë e opozitës për zhbllokimin e Pakos së Rimëkëmbjes

16:32, 19/09/2020 Nga Dardan Gashi

Si pasojë e shpërthimit të pandemisë globale të koronavirusit, e gjithë bota, përfshirë Kosovën, që nga muaji mars i vitit 2020 u përball me një ngadalësim të aktivitetit ekonomik

Se pandemia goditi rëndë bizneset kosovare, tregon fakti që gjatë vitit 2020 deri tani janë shuar 800 biznese.

Por ani se gjatë kësaj kohe pati humbje të vendeve të punës, mbyllje të bizneseve e mungesë të investimeve, ajo që mbetet shqetësuese është reagimi i vonuar i institucioneve për ta shpëtuar ekonominë.

Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike, edhe pse u proklamua në muajin qershor me ardhjen e qeverisë së re asaj të kryeministrit Avdullah Hoti, kanë kaluar më shumë se tre muaj që ky Ligj dështon të votohet në kuvend, pasi i njejti nuk po i ka numrat.

Mos pajtimet mes pozitës e opozitës, për pakon e rimëkëmbjes po rrezikojnë edhe një kolaps të mundshëm të sektorit privat në vend.

Gjatë ditës së djeshme, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media ku kanë bërë të ditur se nga fillimi i pandemisë e deri më tani humbjet e bizneseve në vend kanë prekur shifrat një miliard euro.

Kryetari i OEK, Berat Rukiqi tha se muaji tetor dhe shtator janë vendimtarë që të intervenohet në ekonomi sepse nëse nuk ndodh kjo, kolapsi ekonomik është i pashmangshëm dhe sipas tij do të ketë mbyllje të vendeve të punës e falimentim të bizneseve.

Drejtori ekzekutiv i OEAK, Arian Zeka ka thënë se mos kalimi i ligjit në Kuvend për rimëkëmbje është për keqardhje.

“Ky ligj është mjaft me rëndësi për vendin, duke marrë parasysh gjendjen e rëndë ekonomike të shkaktuar nga Covid-19”, tha ai.

Duke e parë se Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike, nuk kaloi në Kuvend as ditën e djeshme, ndërmjetës i pajtimit të pozitës e opozitës po provojnë të dalin bizneset kosovare.

Një gjë të tillë e ka paralajmëruar Kryetari I Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.

Rukiqi ka thënë se gjatë javës do të angazhohen që të lehtësojnë komunikimin pozitë-opozitë per harmonizimin e qendrimeve per rimekembjen ekonomike

“Javën tjetër do të bëjmë përpjekje intenzive të lehtësojmë komunikimin pozitë-opozitë për harmonizimin e qëndrimeve për rimëkëmbjen ekonomike. Barrikadimi dërgon në kolaps”

Njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj për Syri.net Kosova thotë se iniciativa e OAK-ut  është me vullnet të mirë por qasja është e gabuar.

Kjo pasi sipas tij, përfaqësuesit e biznesve duhet të dalin me një deklaratë protestuese dhe rezistuese njëhrit duke i bojkotuar të gjithë përfaqësuesit e popoullit dhe duke protesuar me makineritë dhe punëtorët e tyre para parlamentit të Kosovës.

Ai shton se Kosova ende nuk është larguar nga mentaliteti majtist, për faktin që nuk është kuptuar demokracia për arsye që në demokraci biznesi dhe qytetari ka ndikim në pushtet perderisa tek ne ndodh e kundërta.

“Nga ajo çfarë manifestohet në politikbërjen vendore në Kosovë të krijojnë përshtypjen që ne si shoqëri sa do që trumbetojmë për demokraci ne ende kemi mentalitet majtist për faktin që fati i ekonomisë mvaret nga politika.Meqë nisemi që demkoracia është qeverisje e shumicës vlerësoi që qytetari është shumica, e them këtë që duke marr parsysh nivelin e përfaqsimit koha tregoi që politika në vend nuk ndryshon me thirrje dhe lutje pra kjo politikë në vend e kupton vetëm protestimin si një mjet i demokracisë, për ndryshe nuk do të ketë ndryshim sepse kjo gjendje është parajsë për politkën në vend”

Ndryshe, Qeveria aktuale me të ardhur në pushtet, vendosi ta injorojë pakon fillestare të rimëkëmbjes ekonomike nga Qeveria Kurti, duke vendosur që ta propozoj një të re, me shifta astronomike të cilat ndryshonin dita-ditës.

Nga 1. 2 miliard sa ishte premtimi fillestar, e 5 miliardë për 5 vitet e ardhshme, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se kryeministri, Avdullah Hoti ka njoftuar se Kosova do të ketë mbi 400 milionë euro për të lehtësuar dëmet e shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Kjo shumë edhe pse u cilësua e pamjaftueshme nga ekspertë ekonomikë, është thënë të jetë mbledhur përmes donatorëve të disa projekteve, përkrahjes së buxhetit të Kosovës dhe huave për investime e cila është bërë e ditur se synon të ndahet për periudhën e mbetur të këtij viti dhe vitin e ardhshëm.

Loja me vlerat milionëshe për rimëkëmbje ekonomike, për fat të mirë nuk e ndali intervenimin e Diasporës kosovare, e cila edhe pse e prekur direkt nga pandemia, me anë të remitencave, ka arritur që edhe njëherë të iu dal krahë qytetarëve dhe bizneseve kosovare.

Sipas të dhënave të publikuara nga BQK, në periudhën Janar-Korrik 2020, nga Diaspora kanë hyrë në Kosovë përmes sistemit bankar, 526 milionë Euro ose 47 milionë Euro më shumë se sa gjatë vitit 2019.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco