'0 taksa deri në 2030'/ Tomorri: Masë populiste që nuk ka efekte reale

'0 taksa deri në 2030'/ Tomorri: Masë populiste që nuk ka efekte reale

20:37, 05/06/2020

Të gjitha bizneset e vogla, me xhiro nga zero deri në 14 milionë lekë nuk do të paguajnë tatimin mbi fitimin deri në vitin 2029.

Një vendim i tillë, që pritet të zyrtarizohet ligjërisht në këtë periudhë pandemie, u njoftua nga vetë kryeministri Edi Rama një ditë më parë, ndërkohë që Ministri i Rindërtimit u shpreh ditën e sotme se heqja e tatimit është pjesë e planit kombëtar deri në vitin 2030.

Ky vendim, sipas qeverisë, synon të rrisë formalizmin e biznesit të madh, por nuk përjashtohet mundësia që sipërmarrjet e mëdha të joshen nga lehtësirat fiskale duke u kamufluar si biznese të vogla.

Por sipas gazetarit të ekonomisë, Klodian Tomorri kjo është një masë që nuk ka efekte reale.

"Nuk është një masë që ka efekte reale. Bëhet fjalë për një politikë, e cila në total ka një efekt prej 10 milionë dollarësh në vit, që është i papërfillshëm. Aktualisht sistemi tatimor, që zbaton qeveria shqiptare, për bizneset deri në 5 milionë lekë tatim-fitimi është 0; për bizneset nga 5 deri në 14 milionë lekë xhiro në vit tatim-fitimi është 5%. Pra, kjo është fasha që kryeministri thotë do ta bëjë zero. Bizneset me xhiro nga 5 milionë deri në 14 milionë, të cilat sot paguajnë tatim-fitimin në masën 5%, sipas qeverisë, që hyn në fuqi nga janari i vitit të ardhshëm, nga ana fiskale është i papërfillshëm", u shpreh Tomorri në një intervistë për "Ora 19" në Syri TV.

Gazetari shtoi se, e gjithë kjo lëvizje e qeverisë është populiste.

"Theksoj është një masë populiste. Është një lëvizje që duket spontante. Qeveritë serioze kur dalin dhe kërkojnë votën komponenti fiskal brenda një programi qeverisës është shumë i rëndësishëm. Ky program votohet që në vitin e parë të mandatit. Më vonë mund të ketë lëvizje të vogla, por nuk mund të preket politika fiskale", shtoi gazetari.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco