Bali Muharremaj i AAK-së e shpërblen përsëri me tender eprorin në parti

Bali Muharremaj i AAK-së e shpërblen përsëri me tender eprorin në parti

08:32, 01/04/2020

Kompania “Hidroterm”, që ka pronarë Blerim Kuçin nënkryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka fituar edhe një tender në Komunën e Suharekës udhëhiqet nga bashkë-partiaku i tij, Bali Muharremaj

Tenderi i ri në vlerë prej 79,943 euro është për punë shtesë të një tenderi që e kishte fituar vitin e kaluar nga Komuna e Suharekës, për “Rregullimin e rrugës brigada 123 Qendër-Suharekë –Sheshi- Punë shtesë”. Kjo kontratë e punëve shtesë i bashkëngjitet kontratës bazë për këtë projekt e cila ka pasur vlerën  1 milionë e 740 mijë e 415 euro.

Gjithsej, ky projekt do t’i kushtojë komunës së Suharekës  1,820,358 euro.

 

Kjo komunë udhëhiqet nga bashkë-partiaku i tij, Bali Muharremaj. Blerim Kuçi është nënkryetar i AAK-së, partisë së Ramush Haradinaj. Bali Muharremaj është pjesë e AAK-së dhe është zgjedhur kryetar i Komunës së Suharekës prej nga vjen edhe Kuçi. Kuçi i kishte ndihmuar Muharremajt në fushatën për t’u zgjedhur kryetar i Komunës së Suharekës.

Sipas njoftimit për dhënie të kontratës që është publikuar në Prokurimin Elektronik, kontrata është negociuar pa publikimit të njoftimit.

Sipas kontratës, punët shtesë që do të kryhen janë: Gërmimi i dheut të kategorisë së III,  IV dhe V për ndërtimin e kanalit për vendosjen e gypave me makinë dhe dorë. Sigurimi, transporti dhe vendosja e rërës 0-4mm  në kanal. Sigurimi dhe vendosja e zhavorrit   me shtresa për mbushjen e kanalit me  ngjeshje çdo 20-30cm. Largimi i dheut të tepërt të gërmuar deri në deponinë legale të cilën e cakton investitori apo organi mbikëqyrës. Sigurimi dhe montimi i gypave të kanalizimit fekal. Gërmimi i dheut të kategorisë së III,  IV dhe V për ndërtimin e kolektorit për ujërat atmosferik. Sigurimi dhe vendosja e zhavorrit   me shtresa rreth kolektorit. Largimi i dheut të tepërt të gërmuar deri në deponinë legale. Sigurimi dhe vendosja e betonit të varfër C12 për ndërtimin e kolektorit. Ndërtimi i kolektorit për ujërat atmosferik. Sigurimi dhe vendosja e armaturës  sipas specifikacionit në strukturë.

Në shtator të vitit të kaluar, gazeta JNK ka raportuar se kompania “Hidroterm” që është pronë e Blerim Kuçit kishte fituar kontratë për të njëjtin projekt për “Rregullimin e rrugës brigada 123 Qendër-Suharekë –Sheshi” në vlerë prej 1 milion e 740 mijë euro.

 

Nënkryetari i AAK-së, Blerim Kuçi për gazetën Jeta në Kosovë, në shtator, ka deklaruar se kompania që është rekomanduar për kontratë nga Komuna e Suharekës është në pronësi të tij.

Ai ka thënë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka pasur ndikim në dhënien e tenderit.

“Kompania është në pronësinë time e menaxhimin e kompanisë dhe bordin e ka tjetërkush. Kompania është 100 për qind e imja e menaxhimin e ka Blerta Kuçi. Nuk ka ndikuar partia, por unë i kam plotësuar të gjitha kriteret sepse ne jemi kompani serioze dhe kryejmë punë serioze, ju mund t’i pyetni edhe zyrtarët e prokurimit rreth procedurave”, kishte deklaruar Kuçi.

Kompania e Blerim Kuçit, Hidroterm në këtë tender kishte ofertuar me 1 milionë e 723 mijë euro, apo vetëm 17 mijë euro më pak se vlera e parashikuar e kontratës bazë prej 1 milionë e 740 mijë e 415 euro.

 

Në njoftimin për dhënie të kontratës bazë thuhet se kompania N.P.N “Hidroterm” SH.P.K dhe Alba Konstruksion janë fituese të tenderit ku kriter për dhënie të kësaj kontrate ka qenë çmimi më i ulët.

Njoftimi për kontratë është bërë me datën 19 korrik 2019, ndërsa kontrata është dhënë më 4 Shtator 2019.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), kompania N.P.N “Hidroterm” SH.P.K është në pronësi të Blerim Kuçit.

Po ashtu, Kuçi e ka deklaruar kompaninë në pronësi të tij edhe në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco