Zjarri katastrofik që përfshiu kompleksin banesor Wang Fuk Court në Hong Kong është “shuar pothuajse plotësisht” të premten në mëngjes, rreth orës 10:18 me kohën lokale, konfirmuan autoritetet për BBC.
Flakët nisën të mërkurën në mbrëmje dhe për gati dy ditë përfshinë shtatë nga tetë ndërtesat e kompleksit. Ngjarja konsiderohet tashmë si zjarri më i rëndë në Hong Kong në 63 vitet e fundit, duke tejkaluar tragjedinë e vitit 1962 që mori 44 jetë.
Dhjetëra familjarë janë rikthyer në zonën e djegur për të identifikuar viktimat, ndërsa shumë të tjerë vazhdojnë kërkimin nëpër spitale.
Autoritetet raportuan të premten se mbi 50 persona ndodhen ende të shtruar, mes tyre 12 në gjendje kritike dhe 28 në gjendje të rëndë.
Në një spital në Sha Tin, një grua tregoi me lot në sy se po kërkon kunatën dhe motrën binjake të saj:
“Nuk i kemi gjetur ende. Po shkojmë spital më spital me shpresën se marrim një lajm të mirë.”
Policia, në një qendër komunitare, po u tregon familjarëve fotografi të trupave të nxjerrë nga rrënojat, në përpjekje për të identifikuar të humburit.
Çfarë dihet deri tani
Numri i viktimave ka arritur në 94, ndërsa bilanci pritet të rritet. Një zëdhënës i qeverisë i tha AFP-së se operacionet e shuarjes së flakëve kanë përfunduar dhe zjarri është “kryesisht i fikur”. Të paktën 76 persona janë plagosur, ndërsa gati 300 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Qindra banorë janë strehuar në qendra të përkohshme evakuimi. Autoritetet kishin paralajmëruar se kërkim-shpëtimi do të mbyllej të premten në mëngjes, por ende nuk është e qartë nëse është finalizuar.
Shkaku i mundshëm dhe zemërimi i qytetarëve
Zjarri ka ndezur debate të forta në Hong Kong mbi standartet e sigurisë në ndërtim. Ndërtesat e Wang Fuk Court ndodheshin në proces rinovimi, dhe policia dyshon se rrjetat dhe mbulesat plastike nën standarde mund të kenë përhapur flakët me shpejtësi fatale.
Autoritetet pritet të dalin para mediave në një konferencë shtypi më vonë gjatë ditës për të dhënë të dhëna të reja mbi të zhdukurit dhe hetimet./BBC
FOTO GALERI




© SYRI.net