Përballë sfidave familjare dhe trashëgimisë mbretërore, Princi William premton një epokë të re

Përballë sfidave familjare dhe trashëgimisë mbretërore, Princi William premton një epokë të re

09:43, 03/10/2025

Princi i Uellsit, William, ka bërë një premtim të fortë për të ardhmen, duke paralajmëruar se kur të ngjitet në fron, do të sjellë një frymë të re në monarki. Një transformim të kujdesshëm, por vendimtar, që do të përmirësojë institucionin pa u rrëzuar nga themelet.

Këtë komente ai e bëri gjatë një interviste të rrallë e të sinqertë me aktorin Eugene Levy, për emisionin The Reluctant Traveller të Apple TV+, intervistë që burime nga pallati mbretëror e kanë cilësuar si më të hapurën që Princi ka dhënë ndonjëherë.

Takimi u zhvillua në kështjellën e Windsor-it, ku Princi William shfaqet duke lëvizur me një skuter elektrik përreth territorit të pallatit, një mjet që, siç thotë ai vetë, e përdor shpesh.

“Besoj se mund të thuhet me siguri që ndryshimi është pjesë e agjendës sime. Një ndryshim për të mirë, të cilin e përqafoj dhe e shijoj. Nuk kam frikë nga ndryshimi, përkundrazi, më entuziazmon ideja që mund të sjell diçka ndryshe. Jo diçka radikale, por ndryshime që mendoj se janë të nevojshme”, është shprehur Princi.

Gjatë vizitës në disa nga sallat më madhështore të kështjellës, William foli edhe për historinë e familjes mbretërore dhe ndikimin që ajo ka tek ai personalisht.

“Nëse nuk je i kujdesshëm, historia mund të kthehet në një barrë, një ankorë që të mban pas. Ndihesh i mbytur prej saj dhe i kufizuar. Prandaj është e rëndësishme të jetosh në të tashmen”, tha ai.

Megjithatë, ai theksoi se e respekton traditën, por nuk nguron të bëjë pyetje kritike për të ruajtur aktualitetin e monarkisë. “Ka momente kur sheh një traditë dhe pyet veten: A është ende e përshtatshme për kohën që jetojmë? A po japim efektin maksimal që mund të japim? Më pëlqen t’i vë gjërat në pikëpyetje, kjo është ajo që dua të them”, tha ai.

Në një pjesë më të çiltër të intervistës, Princi William flet për jetën familjare, përballjen me sëmundjen e babait dhe bashkëshortes së tij, si dhe për mënyrën si po e menaxhon këtë periudhë të vështirë.

“Çështjet familjare më mbingarkojnë shpesh. Stresi dhe shqetësimet që lidhen me familjen më prekin shumë”, u shpreh ai.

Duke folur për fëmijët dhe mënyrën si ata po përballojnë gjendjen e nënës së tyre, Princi tha: Përpiqemi t’u japim atyre ndjenjën e sigurisë dhe mbështetjes që kanë nevojë. Jemi një familje e hapur, flasim për gjërat që na shqetësojnë, por asnjëherë nuk mund të parashikosh plotësisht ndikimin që mund të kenë ato biseda. Prandaj është e rëndësishme të jemi aty për njëri-tjetrin, t’i japim siguri fëmijëve që çdo gjë do të shkojë mirë.

Gjatë bisedës, Princi William përmendi edhe fëmijërinë e tij dhe vëllait të tij, Princit Harry, nën vëzhgimin intensiv të mediave. Edhe pse nuk foli drejtpërdrejt për marrëdhënien aktuale me Harry-n, ai theksoi: Shpresoj që të mos kthehemi më në disa nga praktikat e së kaluarës, që unë dhe Harry i kemi përjetuar kur ishim fëmijë. Do të bëj çmos që të mos kthehemi prapa në këtë drejtim.

Në një moment të veçantë të intervistës, Princi dhe aktori ndaluan në pub-in “Two Brewers” pranë kështjellës. Levy piu një gotë Guinness, ndërsa Princi zgjodhi një cider të ëmbël. Në këtë atmosferë të çlirët, William u shpreh krenar për mënyrën se si familja e tij ka përballuar sfidat e vitit të fundit.

“Jeta na vë në provë. Por mënyra si i kapërcejmë sfidat është ajo që na formëson. Jam shumë krenar për bashkëshorten dhe babain tim, për mënyrën se si i kanë përballuar sfidat. Edhe fëmijët janë treguar të mrekullueshëm.”

Aktori Eugene Levy tha për BBC-në se ishte i befasuar nga sinqeriteti i Princit gjatë intervistës. “Për mua ishte thjesht një bisedë. Nuk mendova se do të ishte ndonjë ‘scoop’. Ishte një ditë krejtësisht surrealiste për mua”, u shpreh ai.

Në fund të ditës së tyre së bashku, Princi William u shpreh se dëshiron të ndërtojë një botë për të cilën djali i tij të ndihet krenar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco