Mediu: Trump riktheu Amerikën si autoritetin kryesor gjeopolitik në botë! Paqja Ukrainë - Rusi duhet të vijë pa ndryshime territoresh

17:21, 20/08/2025

Fatmir Mediu kreu i Partisë Republikane thotë se presidenti Donald Trump arriti të rikthejë Amerikën si autoritetin kryesor gjeopolitik në botë. Duke shpresuar që lufta mes Ukrainës dhe Rusisë të mbarojë sa më shpejt, Mediu nënvizon se paqja duhet të arrihet pa ndryshime të territoreve.

“Trump arriti ta rikthejë Amerikën si autoritetin kryesor gjeopolitik nga pikëpamja ushtarake, ekonomike dhe e politikës së jashtme. Asgjë nuk mund të zhvillohet pa Amerikën.

Që në fillim Trump ka pasur një angazhim për një paqe mes Ukrainës dhe Rusisë.  Të shpresojmë që kjo luftë e përgjakshme të mbarojë sa më shpejt por pa ndryshime territoreve pasi do të krijonin një spirale jo vetëm në Ukrainë por dhe në rajone të tjera, dhe ajo që më shqetëson është Ballkani” nënvizon Mediu në një intervistë për Syri Tv, me gazetarin Edvin Parruca.

Si e shikon Mediu pozicionin e Europës në takim me presidentin e SHBA-së për gjetjen e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë.

"I shoh si pozitive takimet në Alaska dhe në Ëashington. Është e rëndësishme që kemi liderët e BE-së dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s dhe presidentin  Zelensky që ulen me Trump në diskutimet që kanë  të bëjnë me ndalimin e luftës në Ukrainë dhe zgjidhjen e paqes. E kjo është e rëndësishme.

Si do të veprojë Europa për të rritur peshën e vet gjeopolitike është çështje për tu diskutuar.  Europa ka nevojë për gjuhë të përbashkët për politikën e jashtme që shpesh nuk e ka. Ka një qëndrim ndryshe Italia, qëndrim ndryshe Franca, e Brukseli. E nevojshme është negocimi i ndërtimit të marrëdhënieve të drejta me SHBA-në" tha Mediu.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco