Teksa po kërkon raporte më të mira me Putinin, Trump telefonon edhe Lukashenkon

Teksa po kërkon raporte më të mira me Putinin, Trump telefonon edhe Lukashenkon

16:18, 20/08/2025

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i telefonoi liderit bjellorus, Aleksandr Lukashenko, vetëm disa orë para takimit me Vladimir Putinin javën e kaluar në Alaskë, duke i befasuar shumë vëzhgues dhe politikanë.

Trumpi shkroi në rrjetet sociale - duke e përshkruar Lukashenkon si “president shumë të respektuar” - se biseda e tij me të ishte përqendruar tek lirimi i 1.300 të burgosurve politikë.

Sipas Valer Kavaleuskit, kreut të një organizate në mërgim të quajtur Agjencia e Çështjeve Euro-Atlantike, theksi i Trumpit mbi të burgosurit politikë ishte thellësisht simbolik.

“Trump e vendosi çështjen humanitare, lirimin e të burgosurve politikë, në krye të mesazhit të tij”, tha Kavaleuski për Radion Evropa e Lirë (REL).

“Kjo thekson se negociatat humanitare janë të përshtatshme si për Minskun, ashtu edhe për Uashingtonin. Ato shmangin çështjet e vështira, si gjeopolitika apo lufta në Ukrainë, ndërkohë që duken bujare dhe të denja, sepse lidhen me jetën e njerëzve”, nënvizoi ai.

Për Lukashenkon, i kritikuar prej kohësh dhe i izoluar nga Perëndimi si diktator dhe aleat i ngushtë i Putinit, telefonata e Trumpit përfaqësonte një përparim diplomatik.

“Një dhuratë për Lukashenkon”

Valer Karbalevich, analist politik për Shërbimin bjellorus të REL-t, tha se kjo telefonata ishte “dhuratë e madhe” për Lukashenkon, sepse i mundëson një rrugë kthimi pas shkatërrimit të marrëdhënieve me Perëndimin kur i shtypi brutalisht protestat masive kundër manipulimit në zgjedhjet e vitit 2020.

“Lukashenko është i kënaqur”, shkroi ai. “Ai ndien qartazi një shqetësim psikologjik sepse, tash e pesë vjet, vendet perëndimore nuk e kanë njohur si president të Bjellorusisë”.

Por, Kavaleuski mendon ndryshe: “Edhe me letra të dobëta në dorë, si i panjohur, nën kontrollin rus dhe i përfshirë në agresion kundër Ukrainës, Lukashenko arriti të lidhej me Trumpin… Kjo nuk ishte dhuratë. Ishte rezultat i një diplomacie të synuar dhe të aftë të bjellorusëve”.

Svyatlana Tsikhanouskaya, udhëheqësja opozitare bjelloruse në mërgim, përshëndeti përpjekjet e Trumpit për lirimin e të burgosurve politikë në Bjellorusi, por kërkoi vazhdimin e trysnisë ndaj regjimit të Lukashenkos.

Për momentin, interesimi i Trumpit për Lukashenkon ka thyer një bllokadë disavjeçare. Mbetet e paqartë nëse kjo tregon thjesht një gjest humanitar apo fillimin e një kanali të ri diplomacie amerikane.

Për opozitën bjelloruse, shqetësimi është se gjestet humanitare të Trumpit mund të hapin derën për legjitimimin e Lukashenkos pa sjellë reforma themelore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco