Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky takoi liderët kryesorë evropianë, për t’i bashkërenduar qëndrimet para takimit me presidentin amerikan, Donald Trump, në Uashington.
Në një postim në llogarinë e vet në X, Zelensky tha se “qëllimi ynë kryesor” është paqja e besueshme dhe e qëndrueshme për Ukrainën dhe për mbarë Evropën.
“Dhe është e rëndësishme që dinamika e të gjitha takimeve tona të çojë pikërisht në këtë rezultat. Ne e kuptojmë se nuk duhet të presim që Putini të heqë dorë me dëshirë nga agresioni dhe përpjekjet e reja për pushtim. Prandaj, presioni duhet të funksionojë, dhe ai duhet të jetë presion i përbashkët – nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, dhe nga të gjithë në botë që respektojnë të drejtën për jetën dhe rendin ndërkombëtar”, shkroi ai.
Ai i falënderoi partnerët e Kievin që po punojnë për t’i dhënë fund vrasjeve dhe luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Së bashku me liderët e Finlandës, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Komisionit Evropian dhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, ne kemi koordinuar qëndrimet tona para takimit me presidentin Trump. Ukraina është gati për një armëpushim të vërtetë dhe për vendosjen e një arkitekture të re sigurie. Na duhet paqja”, shtoi ai.
Ndërkohë në Shtëpinë e Bardhë kanë mbërritur gjithashtu edhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, si dhe presidenti i Finlandës, Alexander Stubb.
Lexo dhe: Bisedimet Trump - Zelensky, Në Shtëpinë e Bardhë mbërrijnë liderët europianë
© SYRI.net