Presidenti i SHBA Donald Trump është planifikuar të marrë pjesë në një takim të financuesve globalë dhe drejtuesve të teknologjisë, të organizuar nga fondi sovran i pasurisë së Arabisë Saudite në Miami më vonë në shkurt, sipas disa njerëzve me njohuri për ngjarjen.
Sipas njerëzve, të cilët folën për Reuters në kushte anonimiteti, Trump është planifikuar të mbajë një fjalim në tubim.
Ndër të pranishmit e tjerë që janë gati të marrin pjesë në samitin e Prioritetit FII, janë CEO i TikTok, Shou Zi Chew, CEO i Oracle, Safra Catz, si dhe Yasir Al-Rumayaan, guvernatori i Fondit të Investimeve Publike, fondi sovran saudit prej 925 miliardë dollarësh, sipas faqes së internetit të FII. Faqja publike nuk e rendit Trumpin, si pjesëmarrës.
Një përfaqësues për FII në Riad nuk pranoi të komentojë. Përfaqësuesit e ambasadës amerikane në Riad, nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.
Pjesëmarrja e mundshme e Trump në këtë ngjarje do të vinte pasi Arabia Saudite ishte ndër shtetet arabe, që dënuan me shpejtësi planet e tij për rindërtimin e Gazës si një "riviera e Lindjes së Mesme" dhe thirrjen e tij për zhvendosjen e palestinezëve nga enklava.
Trump gëzoi lidhje të ngushta me shtetet e Gjirit gjatë mandatit të tij të parë si president, duke përfshirë Arabinë Saudite, e cila ka investuar 2 miliardë dollarë me një firmë të Jared Kushner, dhëndrit dhe ish-ndihmësit të Trump.
Organizata Trump planifikon të ndërtojë një Kullë Trump në kryeqytetin saudit Riad, si pjesë e zgjerimit të pasurive të paluajtshme në rajon, duke përfshirë kryeqytetin e Emirateve Abu Dhabi.
Trump i ka bërë thirrje Arabisë Saudite dhe OPEC-ut, që të ulin koston e naftës. Ai ka thënë gjithashtu se Riadi duhet të rrisë një paketë të planifikuar investimesh amerikane, në 1 trilion dollarë nga 600 miliardë dollarët e raportuar fillimisht.
Eksportet amerikane të mallrave në Arabinë Saudite ishin dukshëm më të larta në vlerë sesa investimet e huaja direkte saudite në SHBA në vitet e fundit, treguan të dhënat e qeverisë./ Reuters.
© SYRI.net