Kriza politike/ Kryeministri francez, Bayrou i mbijeton votëbesimit të dytë në parlament

Kriza politike/ Kryeministri francez, Bayrou i mbijeton votëbesimit të dytë në parlament

18:38, 05/02/2025

Kryeministri francez, François Bayrou, i ka mbijetuar një votëbesimi në parlament, e kërkuar nga e majta e fortë, pasi Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë (RN) dhe socialistët e qendrës së majtë, nuk e mbështetën mocionin kundër tij.

Të mërkurën, 128 ligjvënës votuan pro mocionit të parë të mosbesimit, shumë më pak se 289 votat që nevojiteshin.

Partia e majtë e fortë France Unboëed (LFI) kishte paraqitur dy mocione mosbesimi kundër kryeministrit, pasi ai thirri kompetenca të veçanta kushtetuese për të kaluar me detyrim buxhetin e këtij viti.

Mjeti, i njohur si neni 49.3, lejon qeverinë e pakicës të miratojë legjislacionin pa votim parlamentar.

Vendimi i Partisë Socialiste (PS) për të mos mbështetur mocionin e censures, zemëroi partnerët e tyre të majtë në Frontin e Ri Popullor (NFP) dhe mund të ‘shkundte’ aleancën, që kolektivisht fitoi më shumë vende në zgjedhjet e fundit të përgjithshme.

Të martën, Jean-Luc Mélenchon, kreu i LFI-së, tha se vendimi i PS nënkupton fundin e aleancës. "Fronti i Ri Popullor ka një parti më pak," tha Mélenchon.

E formuar përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar, NFP përbëhej nga LFI, PS, të gjelbërt (EELV) dhe komunistët (PCF).

Éric Coquerel, një deputet i LFI-së dhe kryetar i komisionit të financave të asamblesë kombëtare, akuzoi PS-në për "tradhti".

Me një vit para zgjedhjeve komunale dhe dy vjet para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, analistët politikë besojnë se e majta nuk ka zgjidhje tjetër veçse të mbetet e bashkuar, nëse dëshiron të largojë të djathtën ekstreme të Marine Le Pen.

Alexis Corbière, një deputet i majtë i përjashtuar nga LFI, pasi nuk u pajtua me Mélenchon përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar, tha se vendimi i PS ishte "një gabim politik dhe strategjik", por nuk kritikoi socialistët.

“A duhet të shajmë njëri-tjetrin, ta quajmë njëri-tjetrin tradhtarë? Unë nuk mendoj kështu. Nëse ka pasur aleanca, kjo është për shkak të kërcënimit nga e djathta ekstreme. Ne kemi nevojë për këtë front të bashkuar, të një të majtë të bashkuar dhe popullore,” tha ai.

Mundimet e Bayrou nuk kanë mbaruar. Ai do të përdorë nenin 49.3 për të miratuar dy projektligje të tjera të sigurimeve shoqërore në javën e ardhshme, duke nxitur dy mocione të tjera censure nga LFI.

PS ka thënë se synon të paraqesë mocionin e saj të mosbesimit, ndoshta javën e ardhshme, lidhur me komentin e Bayrou - i konsideruar ksenofobik nga shumë - se francezët "ndiheshin të zhytur nga imigracioni"./ The Guardian.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco