Reduktimi i orëve javore të punës u miratua nga kabineti në Spanjë. Konkretisht, pas negociatave të vështira, qeveria spanjolle i dha sot dritën jeshile uljes së kohëzgjatjes javore të punës nga 40 në 37.5 orë. Ministrja e Punës, Yolanda Diaz tha se sot është një ditë historike sepse për 41 vjet kohëzgjatja ligjore e javës së punës nuk kishte ndryshuar në Spanjë.
Ajo u shpreh se reduktimi i orarit të punës do të përmirësojë produktivitetin në vend. Sipas saj është e kotë të shpenzohen orë e orë në punë kur çështja është të jesh efektiv. Teksti i miratuar sot është rezultat i një marrëveshjeje të nënshkruar më 20 dhjetor me dy sindikatat kryesore, UGT dhe CCOO, por jo me organizatat e punëdhënësve, të cilët kishin vendosur në mes të nëntorit të tërhiqeshin nga negociatat, pas njëmbëdhjetë muajsh të pafrytshëm takimesh.
Këta të fundit janë të shqetësuar për ndikimin e reformës në konkurrencën spanjolle. Ata argumentojnë se jo të gjithë sektorët e aktivitetit preken në mënyrë të barabartë dhe se një ulje e përgjithshme e orarit të punës mund të dobësojë disa biznese.
Një shqetësim që u hodh poshtë nga Yolanda Diaz, e cila këmbënguli për stabilitetin e ekonomisë spanjolle, e cila regjistroi një rritje prej 3.2% vitin e kaluar. Në programin e tyre të përbashkët të vulosur në tetor 2023, Sumar dhe Partia Socialiste Spanjolle (PSOE) ishin zotuar të reduktonin kohën javore të punës nga 40 në 37.5 orë deri në dhjetor 2025, pa humbur pagën.
© SYRI.net