Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të shtunën se përjashtimi i vendit të tij nga bisedimet midis SHBA dhe Rusisë për luftën në Ukrainë do të ishte "shumë i rrezikshëm" dhe kërkoi më shumë diskutime midis Kievit dhe Uashingtonit, për të zhvilluar një plan për një armëpushimi.
Duke folur në një intervistë ekskluzive me Associated Press, Zelenskyy tha se Rusia nuk dëshiron të angazhohet në bisedime armëpushimi ose të diskutojë ndonjë lloj lëshimi, të cilin Kremlini e interpreton si humbje, në një kohë kur trupat e tij kanë dorën e sipërme në fushën e betejës.
Ai tha se presidenti amerikan Donald Trump mund ta sjellë presidentin rus Vladimir Putin në tryezë me kërcënimin e sanksioneve, që synojnë sistemin energjetik dhe bankar të Rusisë, si dhe mbëhstetjen e vazhdueshme të ushtrisë ukrainase.
"Unë mendoj se këta janë hapat më të afërt dhe më të rëndësishëm," tha ai në intervistën në kryeqytetin ukrainas, që zgjati për më shumë se një orë.
Vërejtjet e Zelenskyy pasuan komentet e së premtes nga Trump, i cili tha se zyrtarët amerikanë dhe ruse ‘tashmë po flisnin’ për përfundimin e luftës. Trump tha se administrata e tij ka pasur diskutime “shumë serioze” me Rusinë, por ai nuk dha detaje.
“Ata mund të kenë marrëdhëniet e tyre, por të flasim për Ukrainën pa ne, është e rrezikshme për të gjithë”, tha Zelenskyy.
Ai tha se ekipi i tij ka qenë në kontakt me administratën Trump, por këto diskutime janë në një "nivel të përgjithshëm" dhe ai beson se takimet personale do të zhvillohen së shpejti, për të zhvilluar marrëveshje më të detajuara.
"Ne duhet të punojmë më shumë për këtë," tha ai, duke shtuar se Trump duket se ishte i përqendruar në çështjet e brendshme, në javët e para pas inaugurimit të tij.
Lufta gati trevjeçare në Ukrainë është në një udhëkryq. Trump premtoi t’i jepte fund luftimeve brenda gjashtë muajve nga marrja e detyrës, por të dyja palët janë shumë larg njëri-tjetrit dhe është e paqartë se si do të merrte formë një marrëveshje armëpushimi. Ndërkohë, Rusia vazhdon të bëjë fitime të ngadalta por të qëndrueshme përgjatë frontit dhe forcat ukrainase po durojnë mungesa të mëdha të fuqisë punëtore.
Shumica e ukrainasve duan një pauzë në luftën për të rindërtuar jetën e tyre. Vendi përballet pothuajse çdo ditë me sulme ruse ndaj shtëpive dhe sulmet ndaj sistemeve të energjisë kanë zhytur qytete të tëra në errësirë.
Miliona ukrainas janë zhvendosur, të paaftë për t'u kthyer në shtëpitë e tyre, pasi pjesë të gjera të lindjes së vendit janë kthyer në rrënoja. Gati një e pesta e Ukrainës tani është e pushtuar nga Rusia. Në ato zona, autoritetet e emëruara nga Moska po fshijnë me shpejtësi çdo aluzion të identitetit ukrainas.
Me kthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë, marrëdhënia e Ukrainës me SHBA-në, aleatin e saj më të madh dhe më të rëndësishëm, është gjithashtu në një pikë kthese.
Në një telefonatë fillestare me Trump gjatë fushatës presidenciale, tha Zelenskyy, të dy ranë dakord që nëse Trump fitonte, ata do të takoheshin për të diskutuar hapat e nevojshëm për t'i dhënë fund luftës. Por një vizitë e planifikuar nga i dërguari i Trump në Ukrainë, Kwith Kellogg, u shty "për arsye ligjore", tha Zelenskyy. Kjo u pasua nga një ngrirje e papritur e ndihmave të huaja, që bëri që organizatat ukrainase të ndalonin projektet.
“Unë besoj se, para së gjithash, ne (duhet) të zhvillojmë një takim me të dhe kjo është e rëndësishme. Dhe kjo është, meqë ra fjala, diçka që të gjithë në Evropë duan”, tha Zelenskyy, duke iu referuar “një vizioni të përbashkët për një fund të shpejtë të luftës”.
Pas bisedës me Trump, “duhet të kalojmë në një lloj formati bisede me rusët. Dhe unë do të doja të shihja Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ukrainën dhe rusët në tryezën e bisedimeve. ... Dhe, për të qenë i sinqertë, një zë i Bashkimit Evropian duhet të jetë gjithashtu atje. Unë mendoj se do të ishte e drejtë, efektive. Por si do të dalë? Nuk e di.”
Zelenskyy paralajmëroi kundër lejimit të Putinit për të marrë "kontrollin" mbi luftën, një referencë e dukshme ndaj kërcënimeve të përsëritura të Rusisë, për përshkallëzim gjatë administratës së Presidentit Joe Biden.
Pa garanci sigurie nga aleatët e Ukrainës, tha Zelenskyy, çdo marrëveshje e arritur me Rusinë do të shërbente vetëm si një pararendës për agresionin e ardhshëm. Anëtarësimi në aleancëne NATO-s, një dëshirë e kahershme për Kievin që Moska e ka refuzuar kategorikisht, është ende zgjedhja kryesore e Zelenskyy.
Anëtarësimi në NATO është opsioni "më i lirë" për aleatët e Ukrainës dhe gjithashtu do ta forconte Trump gjeopolitikisht, argumentoi Zelenskyy.
"Unë me të vërtetë besoj se këto janë garancitë më të lira të sigurisë që mund të marrë Ukraina, më të lira për të gjithë," tha ai.
“Do të jetë një sinjal se nuk i takon Rusisë të vendosë se kush duhet të jetë në NATO dhe kush jo, por të vendosin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mendoj se kjo është një fitore e madhe për Trump”, tha ai, duke apeluar dukshëm për prirjen e presidentit për fitues dhe marrëveshje biznesi.
Përveç kësaj, tha Zelenskyy, ushtria e Ukrainës prej 800,000 trupash do të ishte një bonus për aleancën, veçanërisht nëse Trump kërkon të sjellë në shtëpi trupat amerikane, që janë të vendosura jashtë shtetit.
Propozimet e tjera të garancisë së sigurisë duhet të mbështeten nga armë të mjaftueshme nga SHBA dhe Evropa, dhe mbështetje për Kievin për të zhvilluar industrinë e tij të mbrojtjes, tha ai.
Zelenskyy tha gjithashtu se një propozim francez për të vendosur forcat evropiane në Ukrainë për të vepruar si një parandalues kundër agresionit rus po merr formë, por ai shprehu skepticizëm, duke thënë se shumë pyetje mbetën në lidhje me strukturën komanduese dhe të kontrollit dhe numrin e trupave dhe pozicionet e tyre. Çështja u ngrit nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe me Trump, tha ai.
“Unë thashë në prani të dy liderëve se ne jemi të interesuar për këtë, si pjesë e garancisë së sigurisë, por jo si garanci e vetme e sigurisë”, tha ai. "Kjo nuk mjafton."
Ai shtoi: “Imagjinoni, ka një kontigjent. Pyetja është kush është në krye? Kush është kryesori? Çfarë do të bëjnë nëse do të ketë sulme ruse? Raketat, zbarkimi, sulmi nga deti, kalimi i kufirit tokësor, ofensivë. Çfarë do të bëjnë ata? Cilat janë mandatet e tyre?”
I pyetur nëse ia bëri këto pyetje Macronit, ai buzëqeshi dhe tha: “Ne jemi ende në procesin e këtij dialogu”.
Pas një deklarate të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio se lufta e ka kthyer Ukrainën me 100 vjet prapa, Zelenskyy i kërkoi Rubios të vizitojë Ukrainën.
Rubio "duhet të vijë në Ukrainë, para së gjithash, për të parë se çfarë ka bërë Rusia", tha presidenti ukrainas. “Por gjithashtu për të parë se çfarë bëri populli ukrainas, çfarë ishte në gjendje të bënte për sigurinë e Ukrainës dhe botës, siç thashë, dhe thjesht bisedoni me këta njerëz.”/ AP.
© SYRI.net