Presidenti i ri i përkohshëm i Sirisë mirëpret emirin e Katarit në Damask

Presidenti i ri i përkohshëm i Sirisë mirëpret emirin e Katarit në Damask

11:59, 30/01/2025

Emiri i Katarit Sheikh Tamim bin Hamad Al-Thani mbërriti në Damask të enjten dhe u mirëprit nga presidenti i përkohshëm Ahmed al-Sharaa, tha gjykata e Katarit.

Emiri është kreu i parë i shtetit që viziton Sirinë, që nga rrëzimi i Bashar al-Asad.

Ai “mbërriti për një vizitë zyrtare në Damask”, ku u “mirëprit nga presidenti i Republikës Arabe Siriane, Ahmed al-Sharaa”, thuhet në një deklaratë të gjykatës.

Udhëtimi, më pak se dy muaj pasi forcat e opozitës siriane rrëzuan al-Asad, vjen një ditë pasi Sharaa u emërua president i përkohshëm për një periudhë të paspecifikuar tranzitore dhe pason një vizitë të kryeministrit të Katarit, në fillim të këtij muaji.

Ndryshe nga vendet e tjera arabe, Katari nuk rivendosi lidhjet diplomatike me Sirinë nën al-Asad dhe ishte një nga të parët që mbështeti forcat e armatosura të opozitës siriane, që dolën pasi qeveria e tij shtypi një kryengritje paqësore më 2011.

Ambasada siriane në Doha i tha AFP, se Sheikh Tamim do të takohej me Sharaan, "në një vizitë historike që do të trajtojë bashkëpunimin dhe ndihmën në disa sektorë".

Katari ishte vendi i dytë, pas Turqisë, që rihapi ambasadën e tij në kryeqytetin sirian, pas përmbysjes së al-Asadit dhe ka kërkuar heqjen e sanksioneve.

Në një deklaratë të mërkurën, ministria e jashtme e Katarit tha se Doha përshëndeti "hapat që synojnë të ristrukturojnë" shtetin sirian dhe "të konsolidojnë paqen civile, sigurinë dhe stabilitetin", pasi Sharaa u ngarkua gjithashtu me formimin e një legjislativi kalimtar.

Grupi i Sharaa-s udhëhoqi ofensivën, që rrëzoi al-Assad-in më 8 dhjetor. Autoritetet njoftuan të mërkurën gjithashtu ,shpërbërjen e të gjitha grupeve të armatosura të përfshira në përmbysjen e al-Asadit, si dhe të ushtrisë së ish-qeveritare.

Gjatë një vizite në fillim të këtij muaji, kryeministri i Katarit Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al-Thani u zotua të mbështesë rehabilitimin e infrastrukturës së Sirisë, e shkatërruar nga gati 14 vjet luftë civile.

Ai tha se marrëveshja, përfshin sigurimin e Sirisë me 200 megavat energji dhe rritjen graduale të prodhimit.

Një burim diplomatik ka thënë gjithashtu se Katari po peshonte planet për të ndihmuar Sirinë, me pagat e sektorit publik.

Gjithashtu këtë muaj, ministrat nga qeveria kalimtare e Sirisë, përfshirë kryediplomatin Asaad al-Shaibani, takuan kryeministrin e Katarit, në vizitën e tyre të parë në vendin e Gjirit, që nga marrja e pushtetit.

Më 23 dhjetor, ministri i shtetit i Katarit në ministrinë e jashtme, Mohammed al-Khulaifi, udhëhoqi delegacionin e parë të nivelit të lartë të Katarit në Damask, pas një përçarjeje diplomatike 13-vjeçare.

Sundimtari i Katarit është më i larti nga një varg zyrtarësh të huaj që vizitojnë Damaskun, që nga dhjetori.

Një delegacion nga Rusia, një aleat i ngushtë i liderit të rrëzuar al-Assad, e vizitoi këtë javë, ndërsa ministra të jashtëm ose zyrtarë të lartë nga vende si Franca, Gjermania dhe Turqia kanë qenë gjithashtu në Damask.

Ministria e Mbrojtjes e Sirisë tha të enjten se një delegacion i nivelit të lartë ushtarak turk kishte vizituar gjithashtu vendin./ Al Arabiya English.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco