Dy romanet që ndezën teori të çmendura janë 'Udhëtimi i Mrekullueshëm Nëntokësor i Baron Trump-it', botuar në vitin 1888, dhe 'Presidenti i Fundit', botuar në vitin 1896.
Një çift romanesh të harruar, të shkruara nga autori amerikan Ingersoll Lockwood në fund të shekullit të 19-të, duket se kanë parashikuar kthimin e Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë jo të njëpasnjëshëm, raportoi The Sun. Këto libra, dikur thuajse të harruar, rifituan vëmendjen pas rizgjedhjes së Trump-it, duke nxitur teori të çmendura konspirative në rrjetet sociale që pretendojnë parashikimin e kaosit politik, lidhjet familjare të Trump-it dhe madje mundësinë që ai të jetë "presidenti i fundit".
Teoritë filluan të përhapen me shpejtësi në TikTok. Një postim, tashmë me miliona shikime, theksoi ngjashmëritë e çuditshme mes trillimit dhe realitetit. Në seksionin e komenteve, ndërsa disa përdorues vunë re lidhje të habitshme mes romaneve dhe Trump-it, djalit të tij më të vogël Barron dhe ngjarjeve nga presidenca e tij, të tjerë i hodhën poshtë si thjesht rastësi.
Romani i parë, 'Udhëtimi i Mrekullueshëm Nëntokësor i Baron Trump-it', përshkruan një aristokrat të ri me emrin Baron Trump, i cili jeton në Kështjellën Trump. Ai përshkruhet si një fëmijë inteligjent, kureshtar dhe shpesh arrogant, i udhëhequr nga një mentor i quajtur Don. Djali niset në udhëtime fantastike për të zbuluar portale magjike, përfshirë një në Rusi.

Është interesant fakti që emri i plotë i personazhit, Wilhelm Heinrich Sebastian Von Troomp, sugjeron prejardhje gjermane, ngjashëm me familjen Trump, rrënjët e së cilës të çojnë në Gjermani.

Libri i dytë, 'Presidenti i Fundit', përshkruan një zgjedhje tronditëse dhe të diskutueshme që lë qytetin e New York-ut në kaos. Protestuesit, të indinjuar nga zgjedhja e një presidenti populist, sulmojnë Fifth Avenue, ku sot ndodhet Trump Tower.

Detaje të tilla nga romanet kanë ndezur spekulime të shumta në rrjetet sociale. Ndërsa disa sugjerojnë se autori kishte njohuri profetike, të tjerë kanë ngritur teorinë se vetë Trump është një udhëtar në kohë. Sipas The Sun, kjo teori lidhet me xhaxhanë e ndjerë të Trump-it, John G. Trump, një shkencëtar i shquar që studioi dokumentet e Nikola Teslës, një inxhinier, futurist dhe shpikës serbo-amerikan. / NDTV - Syri.net
© SYRI.net