UnitedHealthcare, siguruesi më i madh shëndetësor në SHBA me mbi 50 milionë klientë, ka emëruar Tim Noel si CEO-n e ri të kompanisë. Ky vendim vjen gati dy muaj pas vrasjes së ish-shefit ekzekutiv Brian Thompson, një ngjarje tragjike që tronditi industrinë e kujdesit shëndetësor në vend.
Thompson u qëllua dhe u vra më 4 dhjetor në Manhattan, Nju Jork, jashtë një hoteli ku qëndronte. Ngjarja ndezi debate të gjera rreth mënyrës se si funksionon sistemi shëndetësor në SHBA, duke pasur parasysh kostot e larta dhe trajtimin që shumë amerikanë e konsiderojnë të padrejtë nga firmat e sigurimeve.
Tim Noel, një veteran i UnitedHealthcare, u cilësua nga kompania mëmë, UnitedHealth Group, si një lider me “përvojë të pashembullt dhe përkushtim të fortë për të përmirësuar kujdesin shëndetësor për të gjithë palët e interesuara.”
Arrestimi i të dyshuarit
Pas një gjuetie pesëditore, Luigi Mangione, 26 vjeç, u arrestua në një restorant McDonald’s në Pensilvani. Ai është akuzuar për 11 vepra penale shtetërore, përfshirë vrasjen si akt terrorizmi, dhe për krime federale që mund të rezultojnë në dënim me vdekje.
Sipas prokurorëve, Mangione dyshohet se qëlloi Thompson përpara se të largohej nga vendngjarja. Ai është deklaruar i pafajshëm për akuzat dhe aktualisht po përballet me gjyq si në nivel shtetëror, ashtu edhe federal.
Emërimi i Noel vjen në një moment kritik për UnitedHealthcare, teksa kompania përballet me sfida të reja dhe kërkesa për reforma në sistemin e kujdesit shëndetësor./ BBC - Syri.Net
© SYRI.net