Ministri i Jashtëm: Heqja e sanksioneve, 'çelës' për rivendosjen e stabilitetit në Siri

Ministri i Jashtëm: Heqja e sanksioneve, 'çelës' për rivendosjen e stabilitetit në Siri

20:14, 22/01/2025

Diplomati i lartë i Sirisë tha të mërkurën se heqja e sanksioneve ekonomike të vendosura gjatë sundimit të presidentit të rrëzuar Bashar al-Assad, është "kyçe" për rivendosjen e stabilitetit në vendin e shkatërruar nga lufta.

Për javë të tëra, autoritetet e reja të Sirisë kanë lobuar te fuqitë perëndimore për të hequr kufizimet që kishin shënjestruar administratën e al-Asadit për shtypjen e tij brutale të protestave antiqeveritare në vitin 2011, të cilat shkaktuan luftën civile në vend.

Por komuniteti ndërkombëtar ka hezituar të tërheqë masat, me shumë vende – përfshirë SHBA-në – që thonë se janë duke pritur të shohin se si sundimtarët e rinj të Sirisë ushtrojnë pushtetin e tyre, përpara se ta bëjnë këtë.

“Heqja e sanksioneve ekonomike është çelësi për stabilitetin e Sirisë”, tha ministri i Jashtëm Asaad al-Shaibani në një bisedë me ish-kryeministrin britanik, Tony Blair në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Sanksionet, shtoi ai, u vendosën për të mirën e sirianëve, por tani janë "kundër popullit sirian".

Më 8 dhjetor, forcat opozitare të udhëhequra nga grupi "Hayat Tahrir al-Sham" (HTS) morën kontrollin e Damaskut dhe rrëzuan al-Asadin, duke i dhënë fund më shumë se 50 viteve të sundimit me grusht të hekurt të familjes së tij.

Gati 14 vjet konflikt, kanë vrarë më shumë se gjysmë milioni sirianë, kanë shkatërruar infrastrukturën e vendit dhe kanë varfëruar njerëzit e tij, duke detyruar miliona të largohen nga shtëpitë e tyre.

“Arsyeja e këtyre sanksioneve është tani në Moskë”, tha al-Shaibani, duke iu referuar al-Asadit, i cili iku në kryeqytetin rus.

Ai shtoi se "populli sirian nuk duhet të dënohet" nga masat kundër sundimtarit tani të rrëzuar.

'Gjendje e shembur'

Al-Shaibani këmbënguli gjithashtu në Davos, se Siria nuk do të ishte "një kërcënim për asnjë vend në botë".

HTS, shefi i së cilës Ahmed al-Sharaa është lideri i ri i Sirisë, i ka rrënjët në një ish-degë të al-Kaedës në Siri, por aI ndërpreu lidhjet me grupin në vitin 2016 dhe ka kërkuar të zbusë imazhin e tij.

“Ne trashëguam një shtet të rrënuar nga regjimi i al-Asad, nuk ka asnjë sistem ekonomik”, tha al-Shaibani, duke shtuar se “ekonomia në të ardhmen do të jetë e hapur”.

Autoritetet e reja do të fokusohen në pesë sektorë, tha ai: energjia, telekomunikacioni, rrugët dhe aeroportet, arsimi dhe shëndetësia.

“Nëse kemi sukses në këta pesë sektorë, shërbimet bazë për popullin tonë sirian” do të ofrohen, shtoi ai.

Më herët të mërkurën, al-Shaibani i tha Financial Times se një komitet ishte krijuar për të studiuar "gjendjen ekonomike dhe infrastrukturën e Sirisë dhe do të fokusohej në përpjekjet e privatizimit, duke përfshirë fabrikat e vajrave, pambukut dhe mobiljeve".

Siria gjithashtu do të "eksplorojë partneritet publik-privat për të inkurajuar investimet në aeroporte, hekurudha dhe rrugë", sipas intervistës së tij me FT.

Më 6 janar, SHBA njoftoi se po ofronte lehtësim të kufizuar sanksionesh për disa aktivitete në Siri për gjashtë muajt e ardhshëm, për të lehtësuar aksesin në shërbimet bazë pas rënies së al-Asad.

Në fillim të këtij muaji, kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se blloku mund të fillojë heqjen e sanksioneve, nëse sundimtarët e rinj të Sirisë ndërmerrnin hapa për të formuar një qeveri gjithëpërfshirëse që mbronte pakicat.

Ministrat e jashtëm të BE-së pritet të diskutojnë propozimet për lehtësimin e disa masave në një takim në Bruksel, më 27 janar./ Al Arabiya.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco