Deshifrimi i portretit të ri zyrtar të Donald Trump-it

Deshifrimi i portretit të ri zyrtar të Donald Trump-it

18:14, 18/01/2025

Nga Jake Lapham

BBC News

Serioz. Kërcënues. Një "foto me mesazh."

Këto janë disa prej përshkrimeve të portretit më të ri zyrtar të Donald Trump-it, realizuar nga fotografi i tij kryesor, Daniel Torok. Në foto, presidenti i zgjedhur ka një shprehje serioze, me vetullën pak të ngritur.

"Portreti zyrtar i presidentit është imazhi më i printuar dhe më i shikuar i presidentit, në histori," tha për BBC-në ish-fotografi i Shtëpisë së Bardhë, Eric Draper.

Ai ka punuar për George W. Bushin gjatë gjithë presidencës së tij tetëvjeçare, duke realizuar të dy portretet e tij zyrtare.

Përshtypja e parë e Draper-it për imazhin e Trump-it ishte se ishte "shumë i manipuluar" me ndriçim studioje dhe me retushime pas shkrepjes.

Sipas tij, fotoja përdorte ndriçim të llojit "monster" për të ndriçuar në mënyrë dramatike presidentin nga poshtë dhe për t’i bërë sytë më të dukshëm.

ImageKy ndriçim i jep imazhit një pamje "kërcënuese", të parë shpeshnë filmat horror, tha Eliska Sky, fotografe portretesh në Institutin e Fotografisë në Londër. Ajo e krahasoi portretizimin e Trump-it me një boksier para një ndeshjeje.

Ndriçimi "sugjeron seriozitet dhe qëllim", sipas Paul Duerinckx-it, një lektor i fotografisë dokumentare në Kolegjin e Artit në Swansea.

Ky imazh është i goditur, shtoi ai, sepse burimi i dritës në shumicën e fotove vjen nga lart, si dielli ose dritat e tavanit, dhe ndryshimi i burimit në këtë foto "ka tendencë të krijojë vërtet një efekt te ne".

Shumë njerëz në rrjetet sociale e krahasuan fotografinë me 'fotografinë e arrestimit' të Donald Trump-it, bërë në burgun e qarkut Fulton në Xhorxhia, pasi ai u akuzua për përpjekjen për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020, një akuzë që Trump e mohon.

Jared Polin, një fotograf YouTuber, tha se bisedoi për portretin me z. Torok dhe se ky i fundit i tha se fotografia e arrestimit kishte shërbyer si frymëzim.

"Fotoja e arrestimit ishte një nga imazhet më të kërkuara, ndoshta në histori," thotë Polini se kishte thënë z. Torok. Z. Torok nuk iu përgjigj kërkesës së BBC-së për koment.

Fotografia e arrestimit, e realizuar në vitin 2023, u bë pjesë e kulturës amerikane, duke u shfaqur në gjithçka, nga filxhanët e kafesë deri te bluzat.

Stili i portretit të ri të Trump përfaqëson një largim nga pamja e imazhit të tij të vitit 2017 dhe atij të presidentëve të mëparshëm, duke përfshirë George W. Bushin.

Image"Sigurisht që bëhen fotografi për të kënaqur klientin, dhe në këtë rast, mendoj se ky është tipi i imazhit që ata dëshironin të portretizonin," tha z. Draper për BBC.

Ai kujtoi se si u ul me presidentin e atërheshëm Bush dhe zonjën e parë Laura Bush për të parë një përzgjedhje fotosh para se të zgjidhnin të preferuarën e tyre.

"Ideja ishte që të kishte ndriçim të këndshëm, të dukej si një portret profesional, me një shprehje të këndshme sepse këto foto do të mirëpresin njerëzit kur të hyjnë në postën e tyre," tha ai.

Andrew Parsons, një fotograf politik që ka punuar për katër kryeministra britanikë nga David Cameron te Liz Truss, si dhe për Boris Johnson për 13 vite, tha: "Është një foto me mesazh, po ju jap një mesazh. Nuk është një qeshje spontane, është një shikim i ashpër, drejt në objektivin e kamerës."

Nga ana tjetër, z. Parsons tha se versioni i vitit 2017 ishte "një foto e Donald Trump-it si biznesmen".

Është e vështirë të mbivlerësosh rëndësinë e imazheve politike si ajo e Trump-it, tha ai. "Një foto mund të bëjë ose të prishë një fushatë politike." / BBC - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco